Hetim për “larje parash” për gjashtë persona, mes të cilëve ish kryeministri Gruevski dhe kumbari i tij

/

Prokuroria publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka ngritur procedurë hetuese kundër gjashtë personave, mes të cilëve edhe ish kryeministri, Nikolla Gruevski dhe kumbari i  tij Risto Novaçevski, të cilët dyshohen për veprën penale “larje parash”, me të cilat kanë blerë tokë në Vodno.

Siç informojnë nga Prokuroria, pas procedurës parahetuese disamujore, prokurori kompetent nga Prokuroria publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit gjatë ditës së djeshme miratoi Dekret për zbatimin e procedurës hetuese kundër gjashtë personave, për të cilët ekziston dyshim bazë se kanë kryer vepër penale “larje parash dhe të ardhura tjera të dënueshme me ligj nga neni 273 nga Kodi penal”

“Në periudhën prej 2006 deri 2012, i dyshuari i parë ka përvetësuar mbi 1.300.000 euro. Në të vërtetë, ai si kryetar i partisë politike, një pjesë të mjeteve të cilat në këtë periudhë i ka pranuar personalisht ose nëpërmjet komiteteve komunale të partisë si donacione për partinë politike, nuk i ka paraqitur si donacione dhe në këtë mënyrë ka përvetësuar së paku 1.300.360 euro”, kumtojnë nga prokuroria.

Siç thuhet në kumtesë, këto mjete i dyshuari i parë ka lëshuar në qarkullim me blerjen e tokës ndërtimore në Vodno, ndërsa i dyshuari i dytë, edhe pse e ka ditur se si janë marrë paratë, ka vendosur kontakt me pronarin e një kompanie në Belize dhe ka kërkuar dokumentacion, vula dhe xhirollogari që t’i ketë në dispozicion. Në korrik të vitit 2012 është themeluar ndërmarrje – vajzë në Shkup, ku me marrëveshje paraprake me të dyshuarin e parë, është bërë drejtor i dyshuari i tretë. Në llogari të personit juridik disa herë janë lëshuar para në qarkullim, të përfituara me vepër penale. Pas arritjes së marrëveshjes për çmimin blerës, i dyshuari i tretë në cilësi të drejtorit, ua ka paguar mjetet pronarëve të tokës, me çka është mbuluar burimi i parave dhe pronari i vërtetë i tokës me sipërfaqe të përgjithshme prej 11.000 metarve katrorë”, thuhet në kumtesë.

Si pronar i tokave në Vodno është paraqitur kompania, për të cilën nga Prokuroria thonë se është nën pronësi të të dyshuarit të pestë.

Nga Prokuroria thonë se për të dyshuarin e tretë do të kërkojnë paraburgim, ndërsa për të dyshuarit tjerë masa parandaluese.

Krahas Gruevskit dhe Novaçevskit, për veprën e njëjtë Prokuroria i dyshon edhe Sasho Mijallkovin, Jordan Kamçevin dhe nënën e tij, Ratka Kamçeva dhe Nenad Josifoviqin.