Haradinaj-Stublla: Me Greqinë kemi një mik të përbashkët – ShBA-në, po punojmë për njohje

Kryediplomatja kosovare, në një prononcim për Ekonomia Online shtoi se vizita është një mesazh i qartë që marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve që po thellohen jo vetëm për integrim evropian, por edhe në atë ndërshtetëror.

“Është një ditë shumë e rëndësishme për Kosovën sepse sot e presim ministrin e Jashtëm grek Nikos Dendias, i cili vjen me një mesash shumë të mirë që marrëdhëniet tona po thellohen jo vetëm në drejtimin e integrimit evropian, por edhe marrëdhënieve dypalëshe Greqisë dhe Kosovës”.

Ajo më tej ka shtuar se të dy vendet tashmë kanë një mik të përbashkët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Prandaj sipas saj, Kosova duhet që të punojë me kujdes që bashkëpunimi të thellohet edhe më tej dhe të arrihet deri te njohja nga ky shtet, raporton EO.

“Ju e dini që Greqia ka qenë ndër shtetet mosnjohëse dhe ka qenë shteti që ka përkrahur dialogun në drejtim të Kosovës drejt liberalizimit të vizave”.

“Tashmë që kemi një mik të përbashkët ShBA-në, marrëdhëniet tona do të vazhdojnë të thellohen edhe më tej në udhëheqjen drejt finales e cila është njohja dhe po punojmë me kujdes në këtë drejtim”.