Grupi i Punës miraton nismën për ndryshimet kushtetuese

Shkup, 26 maj – Grupi i punës e miratoi nismën për nevojën e ndryshimeve kushtetuese, ku propozohet përfshirja e pakicës bullgare, por edhe të bashkësive të tjera.

Propozimi nga Grupi i Punës do ti dërgohet Qeverisë, e cila më pas do t’ia parashtrojë Kuvendit.  

“Kishim diskutime të frytshme, dëgjuam argumentet, por ajo që është më e rendësishme u dakorduam me atë që është propozim për qasje drejtë ndryshimeve kushtetuese të RMV-së, me drejtime konkrete për ndryshime dhe plotësime. Ndryshimet janë në pjesën e preambullës me atë që shtohen disa popuj, që do të thotë pas popullit boshnjak shtohen fjalët, populli bullgar, populli kroat, malazez, slloven, populli hebrej dhe populli egjiptian. Ndryshimi i dytë është në pjesën që flet për Diasporën, dhe ndryshime në numrin e përfaqësimit në komitetin për marrdhënie mes bashkësive” – tha Kryetarja e grupit Margarita Caca Nikollovska..

Këto vendime u miratuan me konsenzus, tha Nikollovska, e cila poashtu bëri të ditur se ka pasur edhe propozime tjera gjatë debatit, por tha se për çështje të tjera, si heqja e 20%-it, u mbetet më tej të vendosin deputetët.