Grekët vaksinojnë edhe fëmijët, francezët mbyllin klubet e natës – masat e reja në vendet e BE-së

Autoritetet franceze kanë miratuar masat e reja kundër pandemisë së coronavirusit, në mesin e të cilave është edhe mbyllja e klubeve të natës për katër javë.

E autoritetet sanitare në Greqi kanë miratuar vaksinimin e fëmijëve nga 5 deri në 11-vjeç, që do të fillojë nga 15 dhjetori.

“Klubet e natës do të mbyllen për katër javë, nga fillimi i janar”, tha kryeministri Jean Castex i cili u bëri thirrje francezëve të zvogëlojnë kontaktet fizike.

Castex shtoi se të gjithë personat mbi 65-vjeç do të duhet të marrin dozën e tretë dhe atë pa termin – duke theksuar se qeveria franceze planifikon vaksinimin edhe të fëmijëve nga 5 deri në 11-vjeç.

Numri i të infektuarve është në rritje për shkak të variantit të ri Delta, e të dielën janë regjistruar 42.252 raste.

Në Francë deri më tani janë zbuluar 25 raste të infeksioneve me variantin e ri Omicron, derisa nga fillimi i epidemisë kanë humbur jetën afro 120 mijë persona.

“Termini i parë për vaksinimin e fëmijëve nga 5 deri në 11-vjeç do të jetë 15 dhjetori, e platforma për caktimin e terminëve do të jetë i qasshëm nga 10 dhjetori”, kanë njoftuar autoritetet greke.

Fëmijët do të vaksinohen me dozë më të vogël për dallim nga të rriturit, e seria e parë e vaksinave do të arrijë më 13 dhjetor.

Në Greqi në 24 orët e fundit nga coronavirusi kanë humbur jetën 116 persona, derisa u infektuan 4.943. E nga fillimi i epidemisë në këtë vend kanë humbur jetën 18.716 njerëz.