Gjermania shënon rritje të shifrës ditore të vdekjeve dhe infektimeve nga Covid-19

Instituti gjerman për sëmundje ngjitëse “Robert Koch” ka njoftuar se gjatë 24 orëve të kaluara në Gjermani janë shënuar 19 viktima të Covid-19. Një ditë më parë ishin regjistruar 10 të vdekur.

Në këtë mënyrë, numri i përgjithshëm i të vdekurve nga sëmundja e re në shtetin me popullsinë më të madhe në Evropë shkoi në 8,914. 

Përpos viktimave, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 587 raste të reja të infektimeve dhe shifra e përgjithshme e të prekurve shkoi në 190,862, shkruan “The Guardian”. Kjo shifër është më e lartë se 503 rastet e shënuara një ditë më parë.

Gjermania është në mesin e vendeve evropiane me numrin më të lartë të infektimeve, por ka dukshëm më pak viktima se Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Spanja.

Mbi 1,500 punëtorë të një thertoreje në këtë shtet janë infektuar me Covid-19, duke i detyruar autoritetet lokale që të gjithë 6,500 punëtorët dhe familjarët e tyre t’i urdhërojnë për t’u vendosur në karantinë.

Vatrat e reja të përhapjes e kanë ngjallur frikën për një valë të dytë të përhapjes në vendin me ekonominë më të fuqishme në Evropë, ku shumë prej masave kufizuese tashmë janë larguar.