Gërkovska: Populizmi është më i dëmshmi për një demokraci, duhet guxim që ta mbash shtetin në rrugën e duhur

Shkup, 8 dhjetor – Politikat e qeverisjes së mirë janë bazë për stabilitetin e çdo shteti. Nëse duam stabilitet duhet që qytetarët të kenë besim në institucionet, të kemi administratë e cila do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe të krijojmë sistem i cili do të jetë rezistues ndaj korrupsionit, porositi zëvendëskryeministrja përgjegjëse për Politika të Qeverisjes së Mirë, Sllavica Gërkovska, në panelin në temën “Demokraci të brishta”, që mbrëmë u mbajt në Romë, në kuadër të Konferencës në nivel të lartë në temën “Perspektivat e Ballkanit dhe Detit të Zi 2022”, në organizim të NATO-s, Fondacionit të NATO-s për Mbrojtje, si dhe Ministrisë italiane të Punëve të Jashtme.

Gërkovska theksoi se po që se kemi institucione stabile të cilat janë transparente, efikase, profesionale dhe rezistuese në ndikimet politike, por edhe sistem gjyqësor rezistues në ndikim politik, atëherë do të mundemi shumë më lehtë të përballemi me të gjitha sfidat të cilat i hasim, pa marrë parasysh a janë të jashtme ose të brendshme.

“Sa i përket progresit të Republikës së Maqedonisë së Veriut më duhet të theksoj se gjatë pesë viteve të fundit kemi bërë shumë. Nga një shtet i robëruar u bëmë partner ndërkombëtar i njohur dhe i çmuar lartë, u bëmë vend anëtar i NATO-s, i fillojmë bisedimet me Bashkimin Evropian. Por kjo megjithatë nuk mjafton. Kemi edhe shumë punë para nesh, nëse duam të ndërtojmë sistem të qëndrueshëm dhe stabil”, theksoi Gërkovska.

Në panel, siç informojnë nga Kabineti i Gërkovskës, u fol edhe për marrëdhëniet ndërfqinjësore në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me çka zëvendëskryeministrja theksoi se rajonit dhe Evropës u duhen aleanca mes progresivëve dhe njerëzve me integritet, të cilët janë të përkushtuar që të bëjnë ndryshime pozitive. Është me rëndësi, tha ajo, të bëjmë aleanca me shoqëri qytetare, me institucionet e pavarura, sepse vetëm ashtu mund të ecet para.

“Populizmi është gjëja më e dëmshme për një demokraci. Lehtë është të jesh politikan dhe ta thuash vetëm atë që duan ta dëgjojnë qytetarët. Duhet guxim që ta mbash shtetin në rrugën e duhur dhe t’i zbatosh reformat e vërteta”, potencoi Gërkovska.

Në panel u hap diskutim edhe për dezinformatat si problem shoqëror, me çka zëvendëskryeministrja Gërkovska theksoi se është shumë me rëndësi që te të gjithë të zhvillohet mendja kritike, ndërsa veçanërisht te nxënësit.