Gabimet drejtshkrimore të deputetëve vënë në pah problemet e sistemit arsimor në Kosovë

Disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë bërë gabime
drejtshkrimore gjatë plotësimit të Formularit për Broshurën Parlamentare. Për këtë,
profesori universitar në Fakultetin e Filologjisë fajëson sistemin arsimor në
Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Gabimet kanë qenë të shumta, por gabimet në përshkrimin e kombësisë kanë
qenë më të vërejtura. Ka nga deputetë që e kanë shkruar shqipëtar, shqipëtarë
apo edhe shqiptarë, në vend se të shkruhej korrekt shqiptar apo shqiptare.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Bardh Rugova, tha se këta
deputetë i përshkruan më së miri termi “iletrizëm”, që do të thotë një
person di të shkruajë e të lexojë, por nuk di të kuptoj një komunikim gjuhësor
në mënyrë të plotë.

“Tash analfabetë është pak e madhe, por është një term që tek ne e
quajmë iletrizëm, i cili është një lloj analfabetizmi që po ndodh ditëve të
sotme, di të shkruajë e të lexojë por nuk di të kuptoj një komunikim gjuhësor në
mënyrë të plotë. Por në rastin e Kosovës ndoshta edhe për shkak të normës
drejtshkrimore, ku nuk besoj që ka ndonjë vend që përdorimi i drejtshkrimit
është në shpërputhje me normat”, tha ai.

“Normë shoqërore është edhe ajo që kemi parë në Kuvend, grindje
zënka dhe gjithçka tjetër”.

“Është në dy drejtime, në njërën anë flet për shkollimin dhe për
sistemin e shkollimit i cili i ka prodhuar ata njerëz që do duhej të ishin
njerëz të një far elite kulturore në përgjithësi, dhe kjo është brengosëse
sepse reflekton dhe pasqyron gjendjen e drejtshkrimit në shoqëri. Dhe në anën
tjetër është një çështje puro-kulturore të përdorësh një variatet të caktuar
gjuhësor dhe të përdorësh gjuhën është si çdo gjë tjetër që ka të bëjë me
kulturën tonë. Është njësoj si të mos di të lidh kollaren, si të shkojë me
opinga në parlament, ose ta ketë të pikur këmishën me keçap, pra janë gjëra që
janë njësoj dhe gjendja është e njëjtë”, tha Rugova.

Tutje, Rugova thotë se shkak tjetër i gabimeve drejtshkrimore është
edhe shkollimi jashtë vendit, ku më pastaj shumë nuk i dhënë prioritet gjuhës
amtare

“Tash pse ndodh kjo e para mund të jetë për shkak te vet sistemit
të arsimit, dhe një element tjetër që duhet ta kemi parasysh është se një pjesë
e mirë e shoqërisë tonë i jep një far atributi pozitiv shkollimit jashtë dhe ne
i vlerësojmë ku momentin që thotë se kam përfunduar studimet diku jashtë ne
menjëherë ia qesim një plus dhe e etiketojmë si diçka pozitive dhe
natyrisht që nëse është shkolluar ai do të ketë probleme me gjuhën shqipe, ai
do ta dijë shkrimin akademik në gjuhën të cilën është shkolluar por nuk do ta
dijë te ne, dhe e treta natyrisht që është 
e lidhur me standardin e shqipes, me rregullat e drejtshkrimit të gjuhës
shqipe”, theksoi tutje ai.

Ai përfundon duke thënë se nevojiten investime dhe reforma në arsim.

“Etiketuar si i tillë pra sistemi i arsimit që ka vështirësi e ka problem, por shumë i sigurt se a po dimë t’i gjejmë se cilat janë ato në të vërtetë por në thelb një prej elementeve kryesore që duhet t’i kemi parasysh  është se rezultatet ndërkombëtare të cilat po dalin të nxënësve po tregojnë zbrazëti dhe pastaj këto po manifestohen tutje, nuk e di a duhet në përgjithësi të testohen mësuesit por kur flasim për reforma vazhdimisht po ndërrojmë kurrikula, dhe problemi i vetëm me të cilën mund të përmirësohet arsimi është mësimdhënia dhe investimi tek krejt ky proces”, deklaroi ai për Ekonomia Online.