Fushatë para fushatës: Tema kryesore (mos)respktimi i masave për mbrojtje nga Kovid-19 dhe “kryeministri shqiptar”

Shkup, 21 qershor 2020 (MEDIAL) – Tre ditë para fillimit zyrtar të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara për më 15 korrik, partitë politike tashmë kanë dalë në terren mes votuesve, ndërsa krahas përplasjeve të zakonshme për atë se kush çka ka bërë apo ka premtuar, ndërkaq nuk ka bërë, si tema kryesore i imponuan edhe mosrespektimin e masave për preventivë nga koronavirusi dhe idenë e BDI-së për “kryeministër shqiptar”.

LSDM i akuzoi VMRO-DPMNE-në dhe liderin e tyre Hristian Mickoski se “gojën e kanë plot me gjoja kujdes për shëndetin e qytetarëve, ndërsa me të gjitha veprimet drejtpërdrejtë e rrezikojnë shëndetin publik”.

“Pak e kishte (Mickoski) që shkonte nëpër palestra dhe kafene, kur kjo ishte e ndaluar, tani organizon tubime partiake në kundërshtim me të gjitha protokollet për mbrojtje të shëndetit dhe me atë drejtpërdrejtë kontribuon për përhapjen e koronavirusit, akuzoi LSDM, duke cekur se Mickoski dhe partia e tij, me veprimet e veta drejtpërdrejtë e rrezikon shëndetin e dhjetëra qytetarëve.

Ndaj akuzave të këtilla Mickoski u përgjigj se VMRO-DPMNE është parti e popullit dhe kursesi nuk mund të zhvillojë fushata prapa makinave llogaritëse dhe prapa ekraneve.

Sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev, ndërkaq porositi se partia do ta adaptojë fushatën ndaj masave për mbrojtje nga koronavirusi.

“Ne si anëtarë të VMRO-DPMNE-së, si të them bartës të kësaj fushate u përmbahemi të gjitha masave për mbrojtje, Këtë e kërkojmë nga të gjithë njerëzit të cilët marrin pjesë në fushatë. Në të vërtetë, edhe u bëj thirrje të gjitha subjekteve politike që do të marrin pjesë në këtë fushatë, në këto zgjedhje ta bëjnë të njejtën”, deklaroi Janiushev.

Për respektim të protokolleve për fushatën zgjedhore dhe masave për mbrojtje nga koronavirusi, në intervistë për MEDIAL-n, bëri thirrje edhe drejtori i përgjithshëm i Asociacionit qytetar MOST, Darko Aleksov.

“Secili nga faktorët në zgjedhje ka përgjegjësinë e vet dhe nëse nuk respektohen masat për mbrojtje të shëndetit dhe protokollet, do të krijohet kaos dhe që është gjithashtu me rënësi në tërë këtë proces, politikanët të mos ketë kush t’i votojë, ndërsa ne si qytetarë të mos dalim të votojmë”, deklaroi Aleksov, duke cekur se vetë fushata duhet të jetë në fokus të aspektit shëndetësor, sepse zgjedhjet nuk janë vetëm dita e votimit.

BDI nga ana e vet vazhdoi me plasimin e idesë për “kryeministër shqiptar”, duke i akuzuar LSDM-në dhe VMRO-DPMNE-në se “janë të njejtë kur bëhet fjalë për mospranim të komunitetit shqiptar në kreun e pushtetit”.

Partia vlerësoi se me deklaratën se kërkesa për kryeministër shqiptar do ta largojë BDI-në nga koalicioni me VMRO-DPMNE-në, Mickoski vetëm se e ka kopjuar liderin e LSDM-së, Zaev.

“Në këto zgjedhje ne synojmë drejt kryeministrit të parë shqiptar dhe nëse shqiptarët janë të bashkuar rreth kësaj kauze, ne këtë do ta realizojmë. Me një votë të fuqishme he të unifikuar shqiptare, partitë maqedonase do të duhet ta pranojnë kërkesën tonë për kryeministër shqiptar sepse asnjëra prej tyre nuk do ta ketë shumicën e nevojshme në Kuvend, pa mbështetjen e shqiptarëve, porositi BDI.

Ndaj vlerësimeve të këtilla të BDI-së, sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së Janushev u përgjigj se partia e tij nuk do të lejojë shantazhe dhe diktate nga askush, as nga BDI, as nga LSDM.

“Lidhur me atë insistim, unë vetëm do të them, me të vërtetë nuk kuptoj përse insistohet për atë, në të vërtetë edhe kryeministri i deritanishëm nuk sillej më ndryshe nga ajo që në të vërtetë e kërkojnë Ahmeti dhe Osmani”, shtoi Janushev. ab/