Filloi debati në kuvend për vazhdimin e gjendjes së krizës deri më 30 prill

Shkup, 30 shtator – Me vonesë prej minutave, filloi vazhdimi i mbledhjes së 86-të plenare në të cilën Kuvendi duhet të vendosë nëse gjendja e krizës do të vazhdojë edhe gjashtë muaj, prej sot e deri më 30 prill të vitit 2023.

Para deputetëve janë Propozim-vendimi për miratimin e vazhdimit të afatit për ekzistimin e gjendjes së krizës në gjithë territorin e shtetit për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe situatës në tregjet e energjisë elektrike, si dhe Propozim-vendimi për miratimin e vazhdimit të afatit për ekzistimin e gjendjes së krizës në rajonin e Qytetit të Shkupit për shkak të mungesës së energjisë për ngrohje, mundësisë për shfrytëzimin e lëndëve djegëse alternative dhe situatës në tregun e energjisë së ngrohjes.

I pari për fjalë u paraqit deputeti Bojan Stojanoski i cili akuzoi se Qeveria nuk ka kurrfarë plani për tejkalimin e situatës.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski pardje, në konferencë të përbashkët për media në Qeveri, u bëri thirrje të gjithë deputetëve që ta mbështesin vazhdimin e gjendjes së krizës sepse, tani, siç theksoi, nuk është koha për grumbullimin e pikëve politike, por për mençuri, solidaritet dhe kujdes social.

“Dua t’i them Kuvendit dhe deputetëve të të gjitha partive politike të marrim guxim dhe bashkë dhe përfundimisht të bashkohemi për interesin e qytetarëve”, porositi kryeministri.

Dy propozim-vendimet janë shqyrtuar më herët në Komisionin kuvendor të Mbrojtjes dhe Sigurisë. Debati zgjati pesë ditë dhe përfundoi pardje. Siç ka sqaruar ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, qëllimi i vazhdimit të situatës së krizës është që tu ndihmohet qytetarëve, ekonomisë dhe institucioneve.

Propozim-vendimet për vazhdimin e gjendjes së krizës në furnizimin me energji elektrike në tërë territorin e vendit dhe në furnizimin me energji të ngrohjes në zonën e Qytetit të Shkupit, Qeveria i ka miratuar më 12 shtator, dhe nëse kalojnë filtrin parlamentar, duhet të fillojnë të aplikohen nga sot. Nga ana tjetër, vendimet për shpalljen e situatave të krizës janë marrë në gusht dhe kanë hyrë në fuqi më 1 shtator 2022.