Filipçe në Beograd, marrëveshje me “Torllak” për vaksina kundër Kovid-19

/

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në vizitën zyrtare në Beograd  tha se me homologun e tij serb është diskutuar për një strategji partneriteti me Institutin serb të Virusologjisë “Torlak” ku tanimë kanë filluar prodhimi i vaksinës ruse “Sputnik V”. Filipçe tha se në këtë mënyrë do të evitohet mungesa e vaksinave në plan afatgjatë, pasi që për këtë vit janë bërë porositë nga prodhuesit e tjerë të vaksinave. Deri në fund të vitit, në këtë institut do të nisë prodhimi edhe i vaksinës kineze Sinofarm, me kapacitet një milion doza për një muaj.

Kjo do të thotë se për çdo hap tjetër apo porosi tjetër e vaksinimit që duhet të bëjmë në të ardhmen, adresa e parë që do të drejtohemi do të jetë ky Institut dhe besoj që sipas nevojës do të kanë kapacitet të mjaftueshëm edhe për neve të na furnizojnë me vaksina në periudhën pas një viti”, tha  Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Ndërkohë siç njoftoi ministri serb i Shëndetësisë Zllatibor Llonçar rreth 15 mijë shtetas të Maqedonisë së Veriut i kanë marrë vaksinat në Serbi. Shumica prej tyre të llojit AstraZeneca. Llonçar tha se të gjithë shtetasit e huaj që kanë marrë nga një dozë në territorin serb, për dozën e dytë e kanë zgjidhjen edhe në vendlindjen e tyre.

Ky është parimi ynë që qytetarët e vendeve fqinje që janë vaksinuar te ne e kemi më rëndësi që tu sigurojmë edhe dozat e dyta, kjo është më së paku që mund të bëjmë për t’ju ardhur në ndihmë. Por, gjithnjë mund të merremi vesh që, kemi evidencë për të tërë qytetarët, nëse biem dakord ne do t’ju dërgojmë dozat e dyta të vaksinave atje dhe ju të organizoheni tua jepni ato vetë”, deklaroi Zllatibor Llonçar, ministër i Shëndetësisë në Serbi.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut mbi 2,6 milion vaksina janë të porositura në Planin kombëtar të imunizimit, të cilat duhet të arrijnë sistematikisht në çdo muaj për të vazhduar imunizimi i popullsisë në mënyrë të pandërprerë deri në arritjen e imunitetit kolektiv. Që nga fillimi i imunizimit deri më tani janë vaksinuar mbi 40 mijë qytetarë.

/Alsat-M/