Fakultetet mund të aplikojnë për modernizim të kushteve dhe burimeve laboratorike
Shkup, 10 gusht – Ministria e Arsimit dhe Shkencës, me pëlqimin e Qeverisë, pas një dekade përsëri e ka rihapur mundësinë që fakultetet dhe institucionet shkencore në vend të aplikojnë për fonde nga buxheti i shtetit me të cilat do t’i përmirësojnë kapacitetet e tyre kërkimore -shkencore përmes modernizimit të kushteve në laboratorë. Gjithsej 17.3 milionë denarë për këtë qëllim do të shpërndahen përmes thirrjes publike që është duke u zhvilluar dhe mund të shihet në linkun në vijim.
“Në thirrjen, me propozim -projektet e tyre për zhvillimin e burimeve laboratorike mund të paraqiten universitetet shtetërore – fakultetet / institutet shkencore dhe institucionet shkencore publike – institutet shkencore kombëtare – si subjekte të pavarura që kryejnë veprimtari me interes të veçantë dhe publik për shtetin. Aplikimi zgjat deri më 20 shtator, kumtoi MASH.
Nga ministria resore informojnë se janë parashikuar tre lloje të mbështetjes. Këto janë: ndarja e fondeve për njohjen zyrtare të kompetencës së laboratorëve, për shembull përmes akreditimit të metodave të përdorura në punë, mbështetje për mirëmbajtjen e kompetencës teknike dhe futjen e metodave të reja analitike brenda laboratorëve dhe mbështetje për blerjen e pajisjeve, që do të thotë modernizim i infrastrukturës laboratorike.
“Një nga kushtet për marrjen e fondeve janë burimet që do të sigurohen, jo vetëm për të qenë në dispozicion të stafit kërkimor të punësuar brenda institucioneve, por qasje në to, për qëllime kërkimore dhe edukative duhet t’u sigurohet edhe përdoruesve të jashtëm, përkatësisht shkencëtarëve dhe kërkuesve me ide projektesh me rëndësi të veçantë për shtetin dhe interesin publik, qëndron në kumtesën.
Për Qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, siç thuhet, rritja e investimeve në veprimtarinë kërkimore -shkencore është një nga prioritetet, si kusht bazë për përparimin e shoqërisë, rritje më të lartë ekonomike dhe konkurueshmëri e ekonomisë kombëtare. Politika e inkurajimit të kërkimit shkencor përmes sigurimit të mbështetjes së shtuar buxhetore synon ta rrisë pjesëmarrjen në BPV-në në shkencë dhe Republika e Maqedonisë së Veriut ta arrijë nivelin e vendeve të rajonit dhe BE -së.
Buxheti për shkencën, i cili në vitin 2018 arriti në 252 milionë denarë, pothuajse është dyfishuar për tre vjet, ndërsa vendi vazhdon të jetë përfitues i buxheteve të rritura ndjeshëm në kuadër të programeve ndërkombëtare për shkencën, kërkimin dhe inovacionin, siç është “Horizont Evropa”.