“Enigma” e Kupës së Shqipërisë

Pasditen e sotme do të përcaktohet 4 gjysmëfinalistet e Kupës së Shqipërisë për sezonin 2019-2020.

Tirana shkon ne Lezhë, një takim që është më shumë një formalitet për bardheblutë pasi mposhtën me rezultatin 5-1 Besëlidhjen në “Selman Stërmasi”.

Megjithatë, asgjë nuk ka përfunduar për 3 përballjet e tjera çerekfinale. Teuta dhe Vllaznia do të shkarkojnë çdo “bateri” në Durrës për të prerë “biletë” për në gjysmëfinale. Rezultati 2-2 në Shkodër u jep një avantazh durrsakëve, por kjo nuk i zbeh mundësitë shkodranëve për të besuar te një mrekulli.

Një takim i vështirë pritet në Korçë midis Skënderbeut dhe Bylisit. Ballshiotët vijnë me moralin e lartë teksa jo vetëm janë rikthyer te rezultatet pozitive, por ia kanë dalë t’i mundin bardhekuqtë dy herë brenda 10 ditëve (kampionat dhe Kupën e Shqipërisë).

Dhe çerekfinalja e fundit është Kukësi-Apolonia. Verilindorët vuajtën shumë për të fituar takimin e parë me rezultatin 1-2. Pavarësisht se rezultati u jep avantazh ndaj fierakëve, ekipi i Mërgjyshit do të tentojë të bëjë më të mirën ndaj skuadrës së Orges Shehit.

Sfida mes Skënderbeut dhe Bylisit do të luhet në orën 19:30, kurse tre takimet e tjera në orën 16:30.