Eksperti i transferimeve, Di Marzio pretendon se Mbappe do të refuzojë Real Madridin dhe do të qëndrojë te PSG

Kylian Mbappe tani është i vendosur të mbetet te Paris Saint-Germain dhe të mos transferohet te Real Madridi ka thënë eksperti i transferimeve, Gianluca Di Marzio.

E ardhmja e Mbappes ka qenë subjekt i spekulimeve intensive këtë sezon, me Real Madridin që dëshiron të nënshkruajë sulmuesin si një transferim të lirë kur marrëveshja e tij aktuale me PSG-në të skadojë në fund të muajit të ardhshëm.

Kampionët francezë janë të etur për të mbajtur Mbappen, i cili ka shënuar 36 gola në 45 paraqitje këtë sezon.

Një raport i jashtëzakonshëm në Spanjë pretendon se PSG ka ofruar ta bëjë Mbappe ‘pronar’ të projektit të tyre sportiv në një përpjekje për ta bindur atë të qëndrojë në Parc des Princes.

Edu Aguirre i El Chiringuito pretendon se PSG është e përgatitur t’i japë Mbappes fuqinë për të ndryshuar trajnerët dhe për të diktuar politikën e transferimeve në klub.

Për më tepër, ata thuhet se i kanë ofruar atij një pagë marramendëse prej katër milionë funtesh në muaj dhe një pagesë të madhe prej 100 milionë funtesh si bonus për nënshkrimin.

Sipas ekspertit të transferimeve të Sky Italy, Di Marzio, këto përpjekje duket se janë shpaguar me Mbappen e vendosur për të refuzuar një lëvizje te Real Madridi.

“Mbappe tani është afër të qëndrojë në Paris Saint-Germain dhe të rinovojë kontratën e tij”, ka shkruar Di Marzio në Twitter.