Einxhel Shkira larg televizionit, por pranë martesës në muajt e fundit të shtatzënisë

Einxhel Shkira po shijon ditët si shtatzënë ku pranë saj gjendet si gjithmonë Dagz. Çifti që shumë shpejt u shndërrua në të preferuarin e publikut, është mjaft aktiv në rrjetet sociale, duke na sjellë copëza të kësaj historie dashurie.

Por ndonëse në aspektin sentimental ajo është më e plotësuar se kurrë, në karrierën si moderatore, Einxhel është një hap larg televizionit.

Ndonëse kur doli nga “Big Brother” iu premtua një format në ndihmë të grave, duket se ky plan do të marrë më shumë kohë për t’u realizuar. E duket se nëpërmjet një postimi të gjatë, vetë moderatorja u shpreh se është fokusuar te pritja e ëmbël.

“Për ju që ma doni të mirën dhe prisni që unë të bëj ato që ju prisnit… A e keni menduar ndonjëherë sa egoistë po tregoheni?! A e keni menduar ndonjëherë që unë kam kuptuar se dashuria dhe përkrahja juaj është e kushtëzuar? A e keni vënë re që të vetmin çast në jetën time ku unë po tregohem egoiste e po kujdesem për trupin dhe qetësinë time mendore e shpirtërore, sepse jam në momentin që veç e kam ëndërruar në jetë, ju po më drejtoni gishtin sikur s’po bëj asgjë?

A s’duhet unë të mendoj asnjëherë për veten time? Po të paktën për fëmijën tim a mundem të mendoj? Mendoni se në këtë gjendje do dal të luftoj me shpatë dhe të përballoj gjithë negativitetin që e kanë njerëzit në majë të gjuhës, e kur kjo vjen dhe nga ato që supozohet se më duan imagjino nga ato që s’më kanë dashur? A do ia falja vetes që muajt më të rëndësishëm të trupit dhe mendjes time si grua dhe nënë unë të merrem me ato çka doni ju dhe jo shpirti e zemra ime?

A jam gabim se i kam dhënë pushim vetes e për herë të parë po fle e qetë dhe po pres me krahë hapur në shtëpi njeriun që dua, ndërkohë që ai vazhdon thjeshtë punën e vet, sepse ai nuk është shtatzënë dhe kjo se pengon të vazhdojë planet e veta! Të dashura dashamirëse që s’e dini aspak se me çfarë jam marrë unë nga shtëpia, që nuk dini aspak se çfarë kam kaluar, që nuk dini aspak planet e mia… ju them së që ato çka kërkoni t’i bëj unë mund t’i bëje çdo vajzë e secila nga ju nëse do!

Por, e di që më lehtë është kur i bën dikush tjetër, ama dhe mua gati nuk m’i ka lënë kush, ama dhe unë s’kam pritur askënd me u çua me fol e as me mbaru atë shtatzëninë që unë të kërkoj të drejtat e mia, por jam nisur majës malit vetëm, siç dhe aty brenda e ngjita vetëm dhe e çova deri në fund vetëm, madje pa e ditur që kam dhe përkrahjen tuaj jashtë… por përtej kësaj, personit që duhet t’i bëni kritikë në këto momente është vetja juaj, sepse unë e di se çfarë po bëj me jetën time dhe ku dua të shkoj me hapat e mia, po ju a e dini se çfarë po bëni, çfarë kërkoni dhe ku doni të shkoni?

Apo mjafton të vish këtu si krushkat dhe le të japim mend si të ftillojë kjo jetën, ndërkohë jeta ime është në pikën më të mirë e më të bukur që kam jetuar ndonjëherë… e me keqardhje ju them që as më plas se çfarë thuhet apo mendohet! Po ju kthej përgjigje meqë mendoni se jeni në pozitë të më jepni këshilla meqë më keni suportuar e më keni dashur, se ndryshe as një shpjegim s’i detyrohem askujt!

Di vetëm t’ju them që tani parësore mbi çdo gjë është shëndeti i bebit tim dhe të çoj në fund këtë mision nga Zoti pa e rrezikuar si proces nga ego të tjera të mijat. Kaq kisha dhe nëse ndodh sërish kjo lloj bisede para apo pas shpinës time, lirisht mund të mos më suportoni më, sepse s’kam nevojë për dashuri me interes apo përkrahje me kushte egoiste!

Sot, në vend të parë është Ai dhe Ne të dy që mezi po e presim atë të vijë në jetën tonë dhe të vijë shëndetshëm në krahët tona”, do të thoshte Einxhel sa i përket momentin që po jeton.

Ndërkohë që planet e afërta të çiftit janë për të realizuar edhe martesën e tyre, duke celebruar kështu dashurinë e lindur brenda “Big Brother”.

Megjithatë, në rrjetet sociale, Einxhel nuk e ka përmendur kurrë një ceremoni martesore, duke na bërë të mendojmë se në fakt ceremonia do të jetë vetëm civile.