Editorial/ Kandidatët të mbështetur nga populli, viktimë e koalicioneve mes partive
Shkup, 11 gusht – Nuk ka mbetur edhe shumë kohë deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale, e kjo ka bërë që partitë politike në vendin tonë të kalkulojnë dhe zyrtarizojnë kandidatët apo edhe koalicionet, e disa parti kanë arritur marrëveshje sipas së cilës ato në raundine parë do të garojnë të vetme, ndërsa në raundin e dytë do të mbështesin kandidatin e njëra-tjetrës, por që kjo po deformon vullnetin e votuesve, pasi koalicionet politike janë ato që po përcaktojnë kryetarët dhe jo qytetarët.
Zgjedhjet lokale janë një instrument shumë i rëndësishëm për të matur fuqinë dhe mbështetjen që gëzojnë në elektorat, e që përmes tyre partitë politike krijojnë një pasqyrë më të qartë për rezultatet që ata priten të arrijnë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, pasi një fitore në lokale rrit sigurinë për fitore në parlamentaret dhe e kundërta një humbje në këto zgjedhje “garanton” humbjen edhe në zgjedhjet e përgjithshme, shkruan Zhurnal.
Koalicionet janë një formë legjitime dhe shumë e përhapur në sistemet demokratike, ku përmes tyre partitë politike synojne që të marrin mbështejen e nevojshme apo edhe të sigurojnë fitoren e tyre, por pozita e çdo partie brenda koalicionit përcaktohet në bazë të mbështetjes së tyre që gëzojnë në elektorat, ku mbështetja me e madhe nënkupton pozitë më të mirë negociuese dhe përfitime më të mëdha për partinë, kurse sa më dobët mbështetja në elektorat aq më të dobëta janë pozitat negociouse për partinë.
Në Maqedoninë e Veriut partitë politike po i masin forcat, pasi ata janë dakordësuar që në raundin e parë të garojnë të ndarë, e që e gjithë kjo po bëhet për të testuar mbështtjen që ata gëzojnë në elektorat, e që pastaj në raundin e dytë të krijojnë koalicione në bazë të rezultateve që kanë arritur në rrethin e parë. Matja e forcave për partitë politike në vendin tonë nuk është aq e lehtë, pasi disa parti e kanë të vështirë që të kenë pasqyrë të qartë të mbështetjes që ata gëzojne tek votuesit, pasi si në kampin politik shqiptar edhe në atë maqedonas disa nga ata po shkojnë si koalicion që në raundin e parë. Kështu partitë politike ASH-AAA, LSDM, VMRO do ta kenë të vështirë që ta dinë mbështetjen reale që ata gëzojnë në elektorat, e kjo mund të përbëjë një problem në të ardhmen në përcaktimin se cila parti do të garojnë në njësi apo zonë të caktuar.
Ndonësë koalicionet janë të dobishme dhe sjellin përfitime për partitë politike apo edhe liderët e tyre, ato në vetvete përbëjnë një goditje apo deformim të demokracisë, pasi në shumë raste janë koalicionet që përcaktojnë fituesin dhe jo vullneti i popullit, ndonëse partitë thirren në këtë vullnet për ta ushtruar pushtetin e tyre. Koalicionet në raundine dytë në të shumtën e rasteve konsiderohen si marrëveshje “pazari” se sa një koalicion i mirëfilltë politik, pasi partitë apo liderët përmes kushtëzimeve që i bëjnë partisë tjetër e cila ka nevojë për mbështjeje, ju mundëson atyre përfitime të mëdha, por që e gjithë kjo bëhët në dëm të demokracisë dhe vullnetit të qytetarëve.
Në historinë politike në botë, por edhe në vendin tonë nuk kanë munguar rastet, kur një kandidat në raundin e parë ka pasur avantazh ndaj kandidatit tjetër, por që pas krijimit të koalicionit në raudin e dytë, kandidati që në rrethine parë ka pasur disavantazh në të dytin ka triumfuar. Kjo praktikë ka sjellë debate të shumta, pasi kjo është një mënyrë përmes së cilës partitë politike dhe liderët e tyre përmes metodave demokratike po demtojnë demokracinë, shkruan Zhurnal.
Kjo është një praktikë e cila meriton që të studiohet dhe të ndërmerren masa që të ndryshohet, me qëllim që vullneti dhe dëshira e votuesve të realizohet dhe e njejta mos të deformohet nga interesat e ngushta politike të liderëve dhe partive. Partia opozitare më e madhe në vend VMRO-DPMNE para disa kohëve paraqiti një kërkese, sipas së cilës zgjedhjet lokale të mbaheshin vetëm me një raund, që nënkupton se partia apo kandidati që ka siguruar më shumë vota të shpallet fitues. Kjo është një iniciativë e cila duhet që të analizohet dhe të përkrahet nga të gjithë partitë dhe liderët, pasi kjo është në të mirë të demokracisë dhe zhvillimit të përgjithshëm. Realizimi i saj do të jetë tejet i vështirë, duke pasur parasysh interesat dhe kalkulimet që bëjnë partitë, e liderët tanë na kanë treguar se ata nuk mund që ti kapërcejnë interesat e tyre personale apo partiake para atyre të qytetarëve dhe të shtetit.
Koalicionet janë një mekanizëm demokratik dhe legjtim, por që në shumë raste në vendin tonë ato janë përdorur për ta tjetërsuar vullnetin e popullit, e kjo e bënë emergjente marrjen e masave dhe krijimin e mekanizmave të duhur për ti dhënë fund kësaj praktike. Të dëmtosh demokracinë me mjete demokratike është një godije shumë e madhe për DEMOKRACINË.//Zhurnal.mk