E papritur: Myftinia e Bosnjës distancohet nga deklarata anti-LGBT e imamit të Sarajevës

Zyra e Myftiut të Madh të Bosnjës e Hercegovinës është distancuar nga një deklaratë kundërthënëse e imamit të një xhamie në Sarajevë, e cila nxiti reagime të shumta në rrjetet sociale.

Muhamed Veliq tha përmes një postimi në Facebook të enjten e kaluar se e mirëpret anulimin e paradës së komunitetit LGBT në Sarajevë për shkak të masave kufizuese në kohën e pandemisë.

Kjo paradë ishte planifikuar të mbahet më 23 gusht, shkruan Free Europe.

“Në secilën fatkeqësi dhe tragjedi, ka edhe pak gëzim, mirësi dhe bukuri”, shkroi imami Veliq, duke nxitur reagime të shumta.

Zyra e Myftiut të Madh tha të hënën se deklarata e imamit nuk e pasqyron pozicionin e komunitetit mysliman në Bosnjë.

“Ky është qëndrimi i tij personal dhe nuk është qëndrim i tërë komunitetit mysliman”, tha Muhamed Jusiq, këshilltar i myftiut të madh.

Në anën tjetër, imami Veliq e mbrojti deklaratën e vet, duke thënë se nuk ka përhapur gjuhë të urrejtjes dhe se ai ka të drejtë ta shprehë mendimin e tij.

Parada e parë e komunitetit LGBT në kryeqytetin boshnjak u mbajt më 8 shtator të vitit të kaluar nën masa të rrepta të sigurisë.