Drejtori i Përgjithshëm i “Njujork Tajms” pret shuarje të mediave të shtypura për 20 vjet

Nju Jork, 11 gusht 2020 (MEDIAL) – Drejtori i Përgjithshëm i “Njujork Tajms”, Mark Tompson thotë se pret që më së shumti për 20 vjet gazeta ta ndërpresë daljen e botimit në formë shtypi.

Për Tompson, do të ishte një surprizë nëse gazeta e themeluar në vitin 1851 do të botohej edhe në vitin 2040.

“Unë besoj se Tajms do të botohet edhe 10, eventualisht edhe 15 vjet të tjerë, por do të befasohem shumë nëse do të publikohet pas 20 vjetësh”, deklaroi ai për Si- En- En- Si.

Më shumë se 900,000 njerëz janë abonuar në versionin e letrës së gazetës, tha Tompson. Me nivelet e tanishme të abonimeve, Njujork Tajms mund të shtypë shtatë ditë në javë me fitim pa reklamim, tha ai. Sidoqoftë, Tompson thekson se çdo vit rritet numri i atyre që preferojnë të lexojnë gazetën në telefonat e mençur, tabletët dhe kompjuterët e tyre, kështu që në tremujorin e fundit për herë të parë është evidentuar fitim më i lartë nga digjitali kundrejt botimit të shtypur. Prandaj, Tompson përfundon se një gazetë, e cila mund të mbahet fizikisht në duar, është një format në zhdukje. ls/fab