Diskutim, ligjit për marrëdhënie të punës i duhen reforma

Shkup, 24 nëntor  – Profesorë nga pesë universitete, gjykatës dhe përfaqësues të sektorit të biznesit në ambientet e fakultetit juridik “Justinini i parë” në Shkup, diskutuan rreth reformave në ligjin për marrëdhënie të punës dhe mundësinë që aty të inkorporohen ndryshime të reja që i sjell koha digjitale.

Puna me platformat digjitale ka sjellë edhe forma të reja të shqetësimit në marrëdhëniet e punës, andaj kjo çështje duhet të rregullohet me normative ligjore.

“Bashkimi Evropian insiston shumë që kjo të jetë pjesë e legjislatives vendore, pasi që vlerësohet si bazë për diskriminim. Disa shtete janë në proces të futjes së risive në legjislativët e tyre. Pra, kjo është një risi që akoma nuk është rregulluar në legjislativet nacionale. Gjëja e parë që duhet të bëhet është të zgjerohet nocioni shqetësim, pra Ligjvënësi duhet të parasheh se shqetësimi mundet të jetë edhe online.”, – deklaroi profesoresha universitare, Fjolla Kaprolli.

Perceptimi për dialogun social në vendin tonë ku duhet të respektohen argumentet, nevojat dhe interesi i punëtorëve dhe sindikatave është negativ, vlerëson profesori universitarë, Andon Majhoshev. Edhe pse korniza ligjore është e mirë, praktika flet ndryshe. Sindikata është hallka më e dobët në dialogun social.

“Qeveria, kjo dhe ato të ardhshmet, duhet të diskutojë nga pozita e argumenteve të sindikatave, ti’ respektojë interesat dhe nevojat e punëtorëve, të sindikatave, pasi që kapitali më i çmuar sipas meje janë punëtorët.”, – theksoi profesori universitar, Andon Majhoshev.

“Nëse e merrni raportin e fundit të Komisionit Evropian do ta shihni se përmendet dialogu social. Kemi dialog social të shtirur. Ligji aktual për marrëdhënie të punës nuk është ideal, por nuk është dhe katastrofik. Sipas mendimit tim, ligji për marrëdhëniet të punës gjithsesi se duhet të ketë disa përmirësime sipas botës së re, sa i përket marrëdhënieve të punës.”, – u shpreh profesori universitar, Llazar Jovevski.

Si shoqëri na nevojitet pjekuri në pjesën e marrëdhënieve të punës, pasi që çfarëdo reforma të realizojmë, nëse nuk kemi njerëz që ta implementojnë në praktikë nuk do të vërejmë përmirësime, u tha me këtë rast.