DIMITROV: Nuk është në rregull që gjuha maqedonase të jetë pengesë për të ardhmen tonë evropiane

/

Zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane, Nikolla Dimitrov theksoi mbrëmë se Maqedonia e Veriut është e përkushtuar në zbatimin e Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë, miqësisë dhe bashkëpunimit me Bullgarinë dhe se Sofja ka luajtur rol të rëndësishëm në ringjalljen e çështjes së zgjerimit të Bashkimit Evropian, por theksoi se suksesi i deritanishëm do të vihet në rrezik nëse nuk gjendet një zgjidhje për ngërçin e shkaktuar nga kontesti me Bullgarinë.

“Është thjesht gabim që gjuha maqedonase të jetë pengesë për të ardhmen tonë evropiane, nëse marrim parasysh se BE-ja është një komunitet që vlerëson diversitetin”, tha Dimitrov sonte për “Politiko”, raporton MIA.

Në artikullin e “Politiko” me titull “Bullgaria kërcënohet me veto për negociatat me Maqedoninë e Veriut”, theksohet se diplomatët evropianë patën diskutimin e parë mbi kornizën e negociatave dje dhe se ka ende një shans për të shmangur dështimin e procesit dhe se janë planifikuar më shumë biseda.

Për herë të parë dje, tema e kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut ishte në axhendën e ambasadorëve të vendeve-anëtare të BE-së, pas disa javësh hekurosje të qëndrimeve në nivelin e ekspertëve, raportoi më herët korrespodenti i MIA-s nga Brukseli.

“Ka ende vend për diplomaci,” tha një nga diplomatët që morën pjesë në takim, duke theksuar në takimet përgatitore për samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit, i cili do të bashkojë liderët nga Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian në Sofje më 10 nëntor, në të njëjtën kohë kur mbahet edhe Këshilli i çështjeve të përgjithshme”, shkruan “Politiko”.

Burime diplomatike deklaruan për “Politiko” dje pas takimit se Bullgaria kishte shprehur qëndrimin se do të vendoste veton për fillimin zyrtar të negociatave me Maqedoninë e Veriut, nëse nuk merren parasysh çështjet e gjuhës dhe historisë.

Një diplomat i cili mori pjesë në takim theksoi se përfaqësuesi bullgar kishte mbajtur një “fjalim të gjatë dhe shumë emocional” mbi këtë temë, shtoi Politiko.

Diskutimi mbi zgjerimin zgjati gati dy orë, ambasadori bullgar foli më gjatë, thanë burime diplomatike për MIA-n. Ai përshkroi qëndrimin e Bullgarisë mbi miratimin e kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se Sofja e konteston emrin e shkurtër të vendit (Bullgaria beson se vendi duhet të quhet Republika e Maqedonisë së Veriut në komunikimin zyrtar, e jo Maqedonia e Veriut), si dhe kushtëzimin e gjuhës si gjuhë maqedonase”, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.

Sipas diplomatëve të pranishëm në takimin e sotëm të ambasadorëve në Bruksel, asnjë vend-anëtar nuk e mbështet pozicionin e Sofjes, pasi ai është jashtë kompetencës së BE-së dhe duhet të zgjidhet në mënyrë bilaterale. Megjithatë, kujtojnë diplomatët, e drejta e vetos në Union mbi këto tema është e paprekshme tani për tani dhe Bullgaria, nëse vendos, mund të bllokojë miratimin e kornizës.

Pritet që mbështetja për kornizën e negociatave të jepet në një takim të ministrave të Këshillit të çështjeve të përgjithshme më 10 nëntor, por sipas Politiko, ekziston një mundësi që Sofja të pengojë procesin.