DIBËR: Pandemia rrit numrin e shfrytëzuesve të ndihmës sociale

/

Dukshëm është rritur numri i familjeve dibrane, të cilët muajt e fundit kanë trokitur në dyert të Qendrës ndërkomunale për Punë Sociale për të pranuar ndihma sociale. Jeta në pandemi është shkaku kryesor që ka rritur numrin e kërkesave, meqë pikërisht nga fillimi i pandemisë e deri më sot, shumë dibran mbetën pa punë. Në Qendrën për Punë Sociale në Dibër informojnë se të gjitha kërkesat të cilët kanë bazë ligjore për të marrë ndihmë sociale, janë pranuar në përputhje me ligjin.

Drejtori i këtij institucioni social në Dibër, Kreshnik Paçuku na informoi se nga fillimi i pandemisë, respektivisht muaji mars e deri më sot, numri i familjeve që kanë kërkuar ndihmë sociale dhe kanë përfituar është 80. “Janë familje, të cilët i plotësojnë tërësisht kërkesat ligjore për përfitimin e kësaj të drejte”, thotë Paçuku, ndërsa shton se aktualisht në Dibër dhe Qendër Zhupë, numri i familjeve që marrin ndihmë sociale është 800, kurse ky numër para fillimit të pandemisë ka qenë 720. Po ashtu duhet theksuar se, sqaron më tej drejtori Paçuku, për shkak të pandemisë Kovid-19 ka patur edhe disa lehtësime ligjore që kanë të bëjnë me afatet e paraqitjes të shfrytëzuesve të ndihmës sociale në Qendër, si dhe të afatit të paraqitjes të të hyrave materiale vetëm për muajin e fundit. “Një rritje të problemeve sociale paraqet edhe humbja e punës të dibranëve gjatë muajve që gjendemi në pandemi. Qëndron fakti se një pjesë e mirë e dibranëve tani më kanë humbur vendet e punës, sidomos ata që kanë punuar në sferën e shërbimeve të ndryshme”, thotë Paçuku.

Rritja e numrit të familjeve, të cilët gjinden në listën e ndihmës sociale është shqetësuese. Nëse kemi parasysh se në këto familje ka afër katër mijë anëtarë, do të thotë se varfëria është duke u rritur si në Komunën e Dibrës, ashtu edhe në Komunën Qendër Zhupë. Problemi është shqetësues dhe si i tillë kërkon zgjidhje. Një ndihmesë modeste për zbutjen të varfërisë në muajt e pandemisë dhanë dhe janë duke dhënë edhe shumë shoqata joqeveritare, të cilët nëpërmjet ndihmave të ndryshme, furnizuan shumë familje në nevojë me produkte ushqimore dhe veshmbathje. Po ashtu, shumë shoqata dibrane që veprojnë në shtete të jashtme, por edhe individë nga mërgimi ju mundësuan ndihma dibranëve me probleme sociale. Por, pandemia përveç problemeve sociale, ka stimuluar për fat të keq edhe mërgimin e të rinjve. Nga dita në ditë po rritet numri i tyre që braktisin Dibrën dhe sigurojnë bileta vetëm në një drejtim drejtë shteteve të Evropës. (koha.mk)