Devijimi i rrugës Prishtinë-Podujevë ia rrezikon shtetit mbi 300 mijë euro

Një trase e rrugës Prishtinë-Podujevë, që ndodhet në ndërtim, do të duhej të të çonte drejt e mbi urën, poshtë së cilës kalon lumi Llap. Por, një devijim i jashtëligjshëm i projektit imponon që ose të prishet rruga tashmë e asfaltuar, ose të rrënohet ura e të ngrihet një e re.

Ky devijim i bërë në hyrje të Podujevës, e dëmton buxhetin për 322 mijë euro, e edhe kthimi në projektin bazë do të nënkuptonte kosto shtesë, raporton KOHA.

Një raport i hartuar nga dy zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës – Hysen Merovci, udhëheqës i divizionit të projekteve, dhe Ardian Begaj, zyrtar i lartë i projekteve për rrugë – hedh dyshime se ndryshimi i trasesë është bërë për interesa private.

Gjynejt Mustafa, i cili punon në Drejtorinë e Rrugëve, insiston të jenë përfillur procedurat kur është bërë devijimi.

“Devijimi nuk ka ndodhur pa arsye. Është bërë ndryshimi i trasesë në pjesën e urës mbi lumin Llap për shkak të argumenteve që kanë dalë me shqyrtimet nga një laborator i licencuar për shqyrtimin e urave. Gjithashtu, edhe në bazë të gjendjes faktike në terren që e ka konstatuar komisioni profesional, i caktuar prej autoritetit kontraktues”, tha Gjynejt Mustafa, Ish-menaxher i ndërtimit të rrugës Prishtinë-Podujevë.

Komisioni të cilit i është referuar Mustafa, vetëm kishte rekomanduar të aprovohej kërkesa e menaxherit për devijim të trasesë. Por, një vendim i tillë kurrë nuk ishte marrë. Pavarësisht kësaj, disa metra pa mbërritur tek ura, traseja ishte zhvendosur në mënyrë që të mos shkonte mbi urën e vjetër.

Ministria e Infrastrukturës e edhe Komuna e Podujevës, të dyja që qeverisen nga Lidhja Demokratike (LDK) në pushtet, kanë bërë përpjekje ta mbajnë fshehtë këtë abuzim me rrugën. Ministri Arban Abrashi nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS prej një jave, e ushtruesi i detyrës së kryetarit të Podujevës, Nexhmi Rudari, fillimisht ka thënë të mos jetë në dijeni të devijimit, e kur i është rikujtuar se ai vetë ishte pjesë e një grupi që ka bërë inspektimin e urës, e ka pranuar këtë dhe ka thënë ta mbështesë ndryshimin e trasesë.

“Unë s’po besoj që ka ndonjë lloj devijimi, sepse kontrata është nënshkruar kaherë mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe operatorit ekonomik. Unë nuk e di për çfarë devijimi tek ura bëhet fjalë.

Ne si komunë kemi kërkuar që mundësisht Ministria e Infrastrukturës ta ndërtojë urën e re, e jo urës ekzistuesi t’i bashkëngjitet një urë tjetër, sepse kjo e vjetra është shumë e dëmtuar dhe nuk komunikon pastaj me këtë urën e re”, tha Nexhmi Rudari, Ushtrues detyre i kryetarit të Podujevë.

Shkaku i devijimit të jashtëligjshëm, projekti ka ngecur prej dy vjetësh. E banorët, si Ramë Haziri që e ka shtëpinë buzë rrugës, ankohen se kjo pikë tani është kthyer në burim rreziku për nxënësit dhe kalimtarët e tjerë.

“Qe tre vjet krejt nxansat prej matanshmit shkojnë në shkollë. Diku 500 nxanësa e kalojnë kësajde e shkolla qe atje larg. Është shumë rrezik për fmi t’vogël me ra n’rekë atje. Shumë problem i madh për fmi të vogël”, tha Ramë Haziri, banor.

Ministria e Infrastrukturës tani ka dy alternativa përpara, për t’i dhënë zgjidhje problemit. Të dyja ia rrisin koston projektit – edhe shembja e urës së vjetër e ngritja e të resë, e edhe prishja e rrugës së asfaltuar në gjithë gjatësinë e devijimit dhe rishtrimi i saj konform projektit.