Demonët e etno-nacionalizmit në Ballkan

Bërja publike e një dokumenti tëashtuquajturi “jo-zyrtar” nga portali slloven i lajmeve “Necenzurirano” më 14 prill, ka shkaktuar një trazim të madh politik në Evropën Juglindore. Dokumenti konfidencial i parashikuar të diskutohej në rrethe të ngushta zyrtarësh, me shumë gjasa ka si autor Janez Jansa, kryeministrin populist të krahut të djathtë në Slloveni, që ka marrëdhënie shumë të mira me kryeministrin e Hungarisë Victor Orban.

Teksti, për të cilin Ministria e Jashtme sllovene pretendon se nuk dinte asgjë, thuhet se i është dërguar që në muajin shkurt Presidentit të Këshillit të Bashkimit Evropian Charles Michel. Dokumenti ankohet për “kaosin dhe institucionet jo funksionale” në Bosnje Hercegovinë (BiH).

Ai identifikon “çështjet e pazgjidhura kombëtare të serbëve, shqiptarëve dhe kroatëve”, si “çështja kryesore e rajonit të Ballkanit Perëndimor”. Në pamje të parë, “zgjidhjet” e propozuara mund të tingëllojnë të ekuilibruara dhe pragmatike.

Por në realitet, ato janë një recetë për krijimin e shteteve etnike homogjene, atë që dështoi ta bënte lufta në vitin 1990. Dokumenti ringjall kujtimet e shëmtuara të gjenocidit dhe spastrimit etnik: Kosova supozohet të bashkohet me Shqipërinë, teksa pjesa veriore e banuar nga serbët të marë një status i veçantë.

Ndërkohë, pjesët kryesore të Republika Srpska, entiteti serb në BiH, supozohet të bashkohet me Serbinë. Pjesa kryesisht kroate e njësisë së dytë të BiH, Federata e Bosnje Hercegovinës, do të bashkohet ose me Kroacinë, ose do t’i jepet një status i veçantë.

Në një fjalim që mbajti në parlamentin e Maqedonisë së Veriut në shtatorin e vitit 2020, presidenti socialdemokrat i Sllovenisë, Borut Pahor, paralajmëroi se nëse procesi i zgjerimit i BE-së vonohet edhe më shumë “përfundimisht në rajon mund të mbizotërojë ideja se kufijtë etnikë duhet të zëvendësojnë ato ekzistuese”.

Ai shtoi se përvoja historike ka treguar se “ka shumë pak mundësi, që një proces i tillë të zhvillohet në mënyrë paqësore”.Në retrospektivë – dhe në dritën e dokumentit të fundit – fjalimi i Pahor tingëllon si një paralajmërim për aspiratat e kryeministrit të vendit të tij dhe nacionalistëve të krahut të djathtë në rajon.

Dokumenti, të cilin Presidenti i Këshillit të BE-së, Michel thotë se nuk e ka marrë,është i dyshimtë. Por kushdo që e shkroi atë, kushdo që e zbuloi, dhe pavarësisht nëse ishte dërguar vërtet apo jo në Bruksel, ata që kërkojnë të ndjellin ndjenjat nacionaliste përmes irredentizmit etnik – ideologjia sipas së cilës anëtarët e një grupi të vetëm etnik duhet të jetojnë në një shtet – kanë pasur sukses.

“Necenzurirano”, shprehet se pjesë të dokumentit janë shkruar në Budapest. Ndikimi politik dhe ekonomik i Hungarisë është rritur ndjeshëm që nga marsi i vitit 2020, kur Jansa filloi mandatin e tij të dytë si kreu i qeverisë sllovene. Nga ana e tij, Jansa ka zhvilluar një stil politik autoritar, radikal të djathtë, të cilin Tanja Fajon, eurodeputete sllovene e ka quajtur “Orbanizim i Sllovenisë”.

Këto nuk janë perspektiva aspak të mira për presidencën sllovene të BE-së që nis më1 korrik. Përveç efekteve politike në Ballkanin Perëndimor, dokumenti slloven zbulon se si qeveritë e djathta populiste po përpiqen të ndajnë BE-në nga brenda.

Reagimet e justifikuara, shkojnë në favor të partisë nacionaliste qeverisëse në Kroaci, Unionit Demokratik Kroat (HDZ) dhe degës së saj në Bosnje, që po promovojnë me kokëfortësi axhendën e tyre të supozuar të moderuar, që synon krijimin e një njësie të tretë në BiH për popullsinë kroate, me pretendimin se këta të fundit janë të diskriminuar dhe të nën-përfaqësuar politikisht.

Sigurisht, separatizmi nacionalist dhe kufijtë përgjatë vijave etnike, nuk janë aspak ide të reja. Ato janë rrënja e së keqes që pa pushim dhe për shumë shekuj, e ka zhytur Ballkanin në humnerën e urrejtjes së dhunshme. Për fat të mirë, reagimet nga Evropa dhe SHBA-ja kanë qenë të qarta.

Delegacioni i BE-së dhe ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së në Bosnje ripohuan së bashku sovranitetin, unitetin dhe integritetin territorial të vendit. Ambasada amerikane në Sarajevë deklaroi praktikisht të njëjtën gjë. Por edhe nëse nuk do të rishikohen kufijtë sipas linjave etnike, dëmi është bërë.

Njerëzit që i mbijetuan rrethimit, zhvendosjes së detyruar dhe luftës janë të traumatizuar. Këto ditë, mediat në Ballkanin Perëndimor po i referohen metaforës së Kutisë së hapur të Pandorës. Shumë njerëz në Bosnje, veçanërisht myslimanët boshnjakë, janë të habitur nga mënyra sesi të huajt po diskutojnë edhe një herë për ndarjen e vendit të tyre. I njëjti skenar është promovuar që nga Marrëveshja e Dejtonit e vitit 1995 -sidomos nga brenda njësisë serbe në BiH.

Vështirë se kalon ndonjë ditë që Milorad Dodik, anëtari serb i presidencës trepalëshe të vendit, të mos bëjë deklarata dhe veprime që synojnë të dëmtojnë themelet e shtetit të tij, duke nxitur një irredentizëm agresiv serb. Reagimi i tij ndaj dokumentit ishte i njëjtë me atë çka ishte shkruar. Dodik deklaroi troç se ai do të vazhdonte të punonte për “shpërbërjen paqësore” të BiH.

Edhe pse presidenti serb Aleksandar Vucic ka qenë dukshëm i rezervuar në lidhje me këtë dokument, analistët politikë thonë se dokumenti mbart qartazi firmën e tij, gjë që shihet edhe si një shenjë e mbështetjes së Moskës.

Dhe kjo nuk është për t’u habitur:Krijimi i një pasigurie më të madhe në Bosnje dhe nxitja e përpjekjeve për shkëputje, është një pjesë e parashikueshme e politikës së jashtme ruse. Rusia që mbron serbët e Bosnjës, aktualisht është në konflikt me BE-në dhe SHBA-në, lidhur me një pasardhës të diplomatit austriak Valentin Inzko.

Si Përfaqësuesi i Lartë për Zbatimin e Marrëveshjeve të Dejtonit, Inzko ka qenë në këtë detyrë prej 12 vjetësh. Gjermanët kanë propozuar ish-Ministrin gjerman të Bujqësisë Christian Schmidt.

Por Rusia po bën thirrje për mbylljen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR). Pavarësisht se në letër theksohet se ajo që është shkruar në dokument mbetet jo-zyrtare “deri në zhvillimet e mëtejshme”, gjërat nuk janë kaq të thjeshta. Xhindi ka dalë nga shishja dhe demonët e etno-nacionalizmit agresiv po helmojnë sërish Ballkanin Perëndimor. /Bota.al