Delegacioni i BE-së e dënoi incidentin në Ohër
Shkup, 20 janar – Delegacioni i Bashkimit Evropian (BE) në vend ka dënuar të gjitha aktet e dhunës, si ai në Ohër dhe pret që autoritetet ta hetojnë rastin në fjalë.
“Dënojmë të gjitha aktet e dhunës si ky. Presim që autoritetet ta hetojnë sa më shpejt rastin dhe autorët t’i nxjerrin para drejtësisë”, thonë nga Delegacioni i BE-së në pyetjen e MIA-s për koment lidhur me incidentin e mbrëmshëm në Ohër.
Policia sot ka arrestuar tre banorë të Ohrit të dyshuar se mbrëmë fizikisht e kanë sulmuar një bashkëqytetar të tyre në një objekt hotelerik në Ohër.
Siç bëri të ditur MPB-ja, nëpunës policor nga SPB Ohër në kuadër të masave dhe aktiviteteve të ndërmarra në koordinim me PTHP të Ohrit për zbardhjen e rastit mbi sulmin fizik ndaj 21-vjeçarit nga Ohri, H.P., kanë arrestuar personat S.K., S.K dhe I.S. nga Ohri.
Paraprakisht, zëdhënësi i SPB të Ohrit, Stefan Dimoski tha madje për MIA-n se mbrëmë rreth orës 22:30 në polici është raportuar se tre të arrestuarit, fillimisht brenda dhe më pas jashtë objektit hotelerik, kanë sulmuar fizikisht personin me inicialet H.P., i cili ka marrë lëndime të rënda trupore të konstatuara nga ana e Spitalit të Përgjithshëm të Ohrit, me çka i është ofruar ndihma mjekësore.
Incidentin në fjalë e dënuan presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri Bujar Osmani, si dhe kryeministri bullgar Galeb Donev, madje presidenti bullgar Rumen Radev dhe Ministria e Punëve të Jashtme bullgare.