Daçiq paralajmëron ndërprerjen e negociatave Kosovë-Serbi

Daçiq kërcënon me ndërprerjen e negociatave të Serbisë me Kosovën, në qoftë se z.Kurti vazhdon t’ia përmend palës Serbe në takimet e Brukselit krimet makabre të luftës dhe tri gjenocidet me radhë të Serbisë kundër shqiptarëve, që nga viti 1878 ‐ 1999.

Në takimin e fundit Kurti-Vuçiq, në Bruksel, z.Kurti ishte politikani i parë shqiptar, i cili pas 150 vitesh ia përmendi‐përplasi në sy tri gjenocidet e Serbisë kundër shqiptarëve, presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, në prani edhe të ndërmjetësve evropianë z.Borell dhe Lajçak.

Pas përfundimit të takimit Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i tronditur nga një realitet i tillë kundër shqiptarëve, tha se Albin Kurti u kthye në shekullin e 19‐të, duke harruar se krimi i gjenocidit nuk parashkruhet sipas të drejtës penale ndërkombëtare, dhe duke u përpjekur që para botës t’i fsheh të tri gjenocidet kundër shqiptarëve siç i ka fshehur dhe mohuar në mënyrë të përsëritur.

Tani, pas 200 vitesh siç pohoi edhe një koleg i imi në një opinion të tij, duhej të lindej një Albin Kurti, për t’ia bërë publike Serbisë dhe botës të gjitha krimet makabre të luftës dhe tri gjenocidet e Serbisë kundër popullit shqiptar, për t’i hedhë në tavolinën e negociatave me Serbinë, pa fshehur qoftë edhe një fakt të vetëm.

Për takimin e fundit Kurti – Vuçiq në Bruksel është prononcuar edhe Kryetari aktual i Kuvendit të Serbisë, bashkëpunëtori i diktatorit Millosheviq, Ivica Daçiq, i cili kërcënon se nëse Kurti insiston t’ia bëjë publike opinionit demokratik ndërkombëtare tri gjenocidet e Serbisë kundër popullit shqiptar, Serbia do t’i ndërprejë negociatat me Kosovën për një të ardhme paqësore Kosovë-Serbi.

Ajo që mund t’i themi ne z.Daçiq, është në gjykimin e Serbisë, që të vendosë ndërprerjen e negociatave, por Kosova jo vetëm që nuk do të ndërpres negociatat me Serbinë, sepse nuk ka çka të fsheh, por edhe insiston në një dialog të drejtë dhe të sinqertë për t’ia bërë të ditur opinionit demokratik ndërkombëtar të tri gjenocidet e Serbisë kundër popullit shqiptar, të cilat deri më tani Serbia i ka mbajtur fshehtë jo vetëm për popullin serb, por edhe për të gjithë popujt liridashës të botës.

Ka ardhur koha që Serbia ta pranojë të vërtetën për tu ballafaquar me të kaluarën e saj kriminale kundër shqiptarëve, sepse koha për t’i fshehur krimet makabre Serbia, kundër popullit shqiptar ka përfunduar definitivisht.

Dhe më në fund, opozita Kosovare në vend që ta kritikojë Kurtin, kur është në pyetje e ardhmja e Kosovës në raport me Serbinë, duhet ta ndihmojnë për t’i ofruar fakte dhe të dhëna, të cilat janë të shumta kundër përpjekjeve të dështuara të Serbisë, kundër shtetit të Kosovës dhe orvatjes sistematike të Serbisë për t’i fshehur dhe mohuar tri gjenocidet e Serbisë kundër shqiptarëve autoktonë në tokat e paraardhësve të tyre.

Këtij opinioni i jep arsyen dhe kuptimin shumë më të fuqishëm, thirrje që për as një moment politika kosovare, Kryeministri Albin Kurti, mos të hesht që në negociatat e Brukselit dhe në të gjitha takimet tjera me palën serbe po ia përmend krimet makabre të luftës dhe tri gjenocidet e shtetit serb kundër shqiptarëve, sepse aty ky hesht e vërteta shqiptare, ngritë kokë gënjeshtra serbe kundër të vërtetës shqiptare, kjo është mënyra me të cilën Serbia deri më tani ka arritur t’i fsheh tri gjenocidet kundër shqiptarëve dhe shumë krime makabre dhe padrejtësi tjera kundër një populli autokton në trojet e veta dhe paqedashës siç është populli shqiptar.