Çfarë po i mungon dialogut Kosovë – Serbi që marrëveshja përfundimtare nuk po diskutohet?

Kështu po e vlerëson situatën edhe njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani. Ai në një prononcim për lajmi.net është shprehur se problemi qëndron aty dhe për shkak se Kosova insiston në njohje dhe asociacion pa kompetenca ekzekutive, shkruan lajmi.net.

Në anën tjetër, sipas Ramadanit, Serbia nuk është në gjendje ta njohë Kosovën ka asociacion të fuqishëm. të cilin ai e ka quajtur ‘shtet i vogël brenda Kosovës’.

“Problemi është që nuk po gjendet një zgjidhje që i balancon të dy kërkesat e shteteve, Kosovës dhe Serbisë, për shkak se Kosova insiston në njohje dhe asociacion pa kompetenca ekzekutive, ndërkohë që Serbia nuk është në gjendje që të japë njohjen pa një asociacion të fuqishëm që do të mund të ishte një shtet i vogël brenda Kosovës”, tha Ramadani.

Më tutje, Ramadani shprehet se arsyeja pse dialogu ka rrëshqitur drejt ndryshimit të kufijve është se palët kanë qëndrime antagoniste, derisa thekson se është e vështirë të arrihet marrëveshje pa dëme për Kosovën.

“Kjo është edhe arsyeja që kohë më parë dialogu ka rrëshqitur drejt ndryshimit të kufijve, për arsye se qëndrimet e Kosovës dhe Serbisë kanë qenë antagoniste. Është e vështirë të arrihet marrëveshje pa dëme për Kosovën”, tha Ramadani.

I pyetur për deklarimin e Lajçak se Kosova duhet të japë diçka në këmbim të njohjes nga Serbia, ai tha se nuk mund të pritet që Kosova të jetë fituese në mënyrë të njëanëshme.

Ai shprehet se për njohjen e Kosovës në Serbi duhet të ketë një varg të gjatë të koordinimit ndërinstitucional, nga ndryshimi i Kushtetutës e deri tek përkrahja qytetare.

“Këtë ai e ka thënë, njëlloj si Donald Trump që marrëveshja duhet t’i balancojë interesat e Kosovës dhe Serbisë dhe nuk mund të pritet që Kosova të fitojë në mënyrë të njëanshme. Do të jetë shumë e vështirë të arrihet marrëveshje që të njihet Kosova sepse në Serbi duhet të ndryshohet Kushtetuta e Serbisë, të votohet në parlament dhe duhet të ketë mbështetje qytetare sepse duhet të ketë koordinim ndërinstitucional atje.”, tha Ramadani.

Në anën tjetër, është tashmë e ditur se arsyeja e ndërprerjes së dialogut Kosovë – Serbi është çështja e asociacionit. Pala serbe kërkon që në diskutimet në Bruksel të shtrohet kjo çështje, ndërsa Kosova qëndron prapa marrëveshjes së vitit 2013 për asociacionin.

Lidhur me këtë çështje, Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe në Kosovë do të formohej sipas Kushtetutës së Kosovës dhe do të kishte fuqinë e një organizate jo-qeveritare.

E këtu, kërkesat e Serbisë janë të larta. Shteti serb, kërkon që asociacioni në Kosovë të ketë kompetenca ekzekutive e që do t’i përngjante modelit të ‘Republikës Srpska’ në Bosnje e Hercegovinë.

Emisari i posaçëm për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak gjatë vizitës së tij tre ditore në Kosovë ka takuar gjithë krerët e pozitës dhe të opozitës, e gjithashtu ka dhënë mesazhe të qarta lidhur me dialogun.

Ai në konferencën e sotme, pas takimit me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është shprehur se Kosova duhet të japë diçka për të marrë njohjen reciproke nga Serbia, derisa nuk dihet nëse këtu bëhej fjalë për asociacionin sipas dëshirave të Serbisë.

Pas Kosovës, Lajçak sot ka udhëtuar për në Serbi dhe mbetet të shihet nëse i njëjti do të arrijë t’i bindë palët për marrëveshjen përfundimtare dhe njohjen reciproke – e cila nga ky pozicion i tanishëm duket të jetë larg. /Lajmi.net/