Çejku për Ramën: Kishte një shqetësim të madh, agresiv, se ka bërë këtë kur Haradinaj shkoi në Hagë

Për afro 60 minuta, kryeministri Edi Rama me tone të larta dënoi ashpër aktakuzat e ngritura nga Gjykata Speciale ndaj dy themeluesve të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës gjatë seancës plenare në Kuvend.

Ish-Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë dhe Maqedoni, Arben Çejku, duke analizuar fjalimin e tij thotë se kryeministri kishte një shqetësim të madh, arsyet të cilit nuk i di.

Në gjykimin e tij, një retorikë aq agresive nga Tirana zyrtare ndaj faktorit ndërkombëtar për një shtet fqinj, përkudrejt raporteve vëllazërore me Kosovën, ishte e panevojshme dhe mund ta kishte kursyer.

Për Rtv Ora, Çejku thotë se fjalimi i tij duhet lexuar përtej asaj që thotë, por fakt është sipas tij, që këtë se ka bërë asnjë kryeministër, madje as vetë Rama për rastin e Haradinaj dhe shumë luftëtarëve të tjerë të UÇK.

Madje, vijon diplomati, Rama ka edhe precedentin që ka paditur vetë një ish-luftëtar të UÇK-së.

Çejku: Është legjitim shqetësimi për akuzat që për momentin janë ende të paprovuara dhe kanë dëmtuar një proces të dialogut. Por më bëri përshtypje një retorikë e pazakontë, e cila ende nuk duket në Kosovë dhe duket e panevojshme dhe parsyeshme në Tiranë. Të mbash një fjalim aq të gjatë dhe aq agresiv në parlamentin shqiptar për një çështje në vend fqinj pavarësisht se Kosova dhe shqiptarët e Kosovës janë vëllezërit tanë, por adresimi që bëri kryeministri në sulmet e tij kundër gjykatave ndërkombëtare dhe faktorit ndërkombëtar në përgjithësi dhe ndërkombëtarëve si të tillë, janë të panevojshme. 

Kryeministri nuk është sot në ditën e parë të punës së tij, ka pasur një axhendë të kontakteve të takimit, i njeh shumë mirë personazhet.Te fjalimi i sotëm i kryeministrit kam parë një shqetësim të madh të tij, nuk e di pse ishte aq i shqetësuar. Do t’ja lëmë kohës për ta parë se pse ishte ai lloj fjalimi, nuk e ka  mbajtur asnjë kryeministër më parë. Nuk është hera e parë që akuzohen liderë të UÇK, kemi pasur edhe dënime dhe zhvillime të tjera rreth Kosovës. Asnjë kryeministër, as vetë zoti Rama nuk ka qenë kaq agresiv. Edhe kur ish-kryeministri Haradinaj shkoi në Hagë, ai vetë është një kryeministër që ka paditur një ish-luftëtar të UÇK-së, zotin Haradinaj në gjykatën e Prishtinës. 

Brenda mundësisë që pati atë bëri. Fjalimi i sotëm i Ramës në parlament duhet lexuar përtej asaj që thotë, ishte shumë i shqetësuar, nervoz. Nëse do ta shikonte dikush që nuk di shqip do të mendonte se akuzat janë për kryeministrin e Shqipërisë dhe jo presidentin e Kosovës i cili po e ruan qetësinë e tij dhe ende nuk ka ardhur në këtë lloj retorike dhe enumeracioni kundër faktorit ndërkombëtar. Shqipërisë i mjaftonte të kërkonte seriozitet nga gjykata, një vetëpërmbajtje të faktorëve politikë në Kosovë, një qetësi të gjithë shqiptarëve. Kryeministri nuk duhet ti hidhte benzinë zjarrit por duhet të inkurajonte stabilitetin e Kosovës, bashkëpunimin vëllazëror mes faktorit politik në Kosovë dhe për të mos kapërcyer kufirin e retorikës që nuk është e dobishme dhe nuk ndihmon askënd.

Sipas Çejkut, në thelbin e vet axhenda e kryeministrit Rama për të luajtur një rol si aktor dhe jo si faktor në çështjen e Kosovës, sidomos raportet e saj me Serbinë, nuk ka qenë produktiv dhe i dobishëm.

Çejku: Ndërsa shikoja fjalimin më kujtoheshin të njëjtat retorika ku kryeministri nga Durrësi në krah të Vuçic akuzonte Kosovën për mospjesëmarrje, vetëdënim dhe vetëpërjashtim. Kemi një përpjekje të vazhdueshme të kryeministrit për të qenë në qendër të vëmendjes, edhe këtë herë u përpoq.Adresimni i tij ishte shumë i gjatë dhe i padobishëm.Uroj që në të ardhmen të kemi një sjellje institucionale pak më të qartë, Shqipëria duhet të luajë rolin e vet.Nuk është e domosdoshme që të gjitha gjërat ti bëjmë në publik, Shqipëria i ka mekanizmat, është shtet anëtar i shumë mekanizmave europianë dhe mund të ushtrojë ndikimin e vet qoftë edhe për fatin se gjykata dha një njoftim që nuk është i zakonshëm. Këtu Shqipëria mund të luajë rolin e vet.

Ndaj sipas tij Rama duhet të bënte aktin e tij, duke deklaruar tërheqjen e padisë ndaj Haradinaj.

Çejku: Faktet flasin se Shqipëria nuk ka arritur të luajë ndonjë rol. Më vjen keq që kohëve të fundit ka ndikuar që të kemi një keqkuptim të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës. Pse ka ndodhur kjo me Hashim Thaçin ne nuk mund ti vëmë fshesën dhe të harrojmë të gjitha problematikat e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës. Nesër do të ketë një përditshmëri tjetër përsëri.Kemi shumë probleme për të zgjdhur mes nesh. Prisja sot që Rama të thoshte që i inkurajuar edhe nga ajo që po ndodh me liderët e Kosovs dhe ish-luftëtarët e UÇK, ai e përmendi Ramush Haradinajn dhe familjen e tij, mund të thoshte që e tërheq akuzën që kam depozituar në Prishtinë për të kërkuar falje dhe për të inkurajuar një pajtim. Shqipëria duhet të jetë më e përgjegjshme dhe të heqë dorë nga paternalizmat e padobishme.