Category archive

Diaspora - page 2

Përgatitje për festivalin e muzikës dhe arteve pamore Zvicër-Kosovë

në kategorine Diaspora

E Mërkurë, 9 Janar 2019 – 10:30
albinfo.ch

Bujar Berisha, për publikun muzikor të Lucernit e më gjerë njihet si udhëheqës i rock grupit “Who’s Elektra”, i cili ka vepruar deri para rreth dy vitesh. Aktualisht Berisha drejton një agjenci të arteve (Diediebe.ch), në Lucern, me të cilën ka planifikuar një festival të muzikës dhe të arteve pamore. Festivali pritet të mbahet në Kosovë, nga 5 deri më 8 shtator të këtij viti. Në këtë festival do të marrin pjesë artistë nga Zvicra por edhe nga mbarë Evropa, shprehet organizatori Bujar Berisha për albinfo.ch.
Ndërkaq, këtë të premte, më 11 janar 2019, agjencia “Diediebe.ch” do t`i hapë dyert për njerëz që duan të marrin pjesë ose të kontribuojnë në të gjitha mënyrat në festivalin në fjalë. Siç thotë Berisha, “jemi të hapur për ide dhe bashkëpunime të reja” dhe pikërisht kësaj i kushtohet edhe takimi i planifikuar më 11 janar. Muzika që pritet të jetë pjesë e festivalit do të jetë kryeisht elektronike por nuk përjashtohen edhe ide për zhanre tjera. Po ashtu sa i përket artit pamor, organizatorët janë të hapur. “Do të ketë sigurisht instalacione, performanca etj”, thotë ai për albinfo.ch.
Të interesuarit për të qenë pjesë e festivalit mund të vijnë më 11 janar, nga ora 19.00 dheri në orën 22.00 në këtë adresë: Baselstrasse 61, 6003 Luzern, (im Treppenhaus zum Parkhaus, rotes Gebäude, 5. Stock).

Burimi: https://www.albinfo.ch

Shoqata “Peja” në New York, për dy dekada ndihmon familjet në nevojë

në kategorine Diaspora

E Martë, 8 Janar 2019 – 23:00
albinfo.ch

Për shkak të situatës politike dhe gjendjes së rëndë sociale në Kosovë, komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 20 vjet më parë formoi Shoqatën humanitare “Peja” në New York, me seli në Bronx, me të vetmin qëllim, t’ju ndihmojë qytetarëve në Kosovë.

Komuniteti shqiptar në këtë pjesë të Amerikës, përpos që ndër të parët kishte hapur shkollën shqipe, e panë të arsyeshme edhe formimin e Shoqatës “Peja”, e cila u themelua më 27.08. 1998, për të zhvilluar aktivitetet që janë në dobi të komunitetit shqiptar.

Protagonistët që ishin pjesë e formimit të kësaj shoqate para dy dekadave, flasin me entuziazëm për punën, sfidat dhe angazhimet që kanë bërë deri më tani, por edhe për prioritetet që kanë në të ardhmen, gjithmonë duke ndihmuar qytetarët në vendin e tyre të origjinës.

Përpos që ishte njëri ndër mësuesit e parë të shkollës shqipe në Bronx dhe kryetar i parë i Shoqatës “Peja”, nga viti 1998 deri në vitin 2014, Agim Çavdarbasha, tani kryetar nderi i Shoqatës, deklaroi për Telegrafin se nga koha që ai ka qenë në krye të shoqatës, kanë arritur të kontribuojnë me një shumë financiare prej 200 mijë dollarë, për qytetarët në nevojë në Pejë e rrethinë.

Kurse, kryetarja e grave të Shoqatës “Peja”, Mensure Llonqari, tha për Telegrafin se pjesëmarrja e grave në shoqatë është e kënaqshme, duke patur parasysh, obligimet e tjera që ato kanë, përcjell albinfo.ch

Ndërkaq, për Ramiz Kelmendin, kryetar i Shoqatës “Peja” nga 1 janari i vitit 2014, deri më 1 janar të vitit 2018, detyrë kryesore e tij dhe anëtarëve ka qenë rritja e numrit të anëtarësisë në shoqatë, për shkak se, sipas tij, një kohë ishte zbehur interesimi i komunitetit shqiptar këtu, që të jenë pjesë e shoqatës.

Por, për kryetarin aktual të Shoqatës “Peja”, Rejmond Zeka, ka qenë 20 vjetori i Shoqatës “Peja”, që më së shumti e ka veçuar punën dhe angazhimin e deritashëm të secilit, sa i përket çështjes humanitare, dhe për këtë, ai ka përmendur ndarjen e mirënjohjeve për ata persona që janë angazhuar dhe ka dhënë kontribut për komunitetin në përgjithësi.
Në anën tjetër, Blerim Koqani, anëtar i Shoqatës “Peja”, i cili njihet edhe si lobues i shoqatës, tha për Telegrafin, se në vazhdimësi do të jetë zëri i thirrjes për të gjithë ata që hezitojnë të jenë anëtarë të shoqatës. Ai është shprehur optimist se viti 2019, do të jetë vit i rritjes së anëtarëve të shoqatës, e po ashtu edhe i angazhimit më të madh të tyre, për të ndihmuar qytetarët në nevojë në Kosovë.

Ndërsa, Adriatik Shala- sekretar i Shoqatës “Peja”, thotë për Telegrafin se e veçanta e punës së shoqatës është që tashmë në mënyrë tradicionale, dy herë në vit, të dërgojnë pako ushqimore për familjet në nevojë në Pejë dhe rrethinë, përcjell albinfo.ch

Shumë bashkatdhetarë në atë kohë, sipas Agim Çavdarbasha, tashmë kryetar nderi i Shoqatës “Peja”, kanë qenë të gatshëm në mënyrë individuale të japin maksimumin nga vetja, si kontribute, “por që nuk kanë ditur të orientoheshin se ku t’i dërgojnë ndihmat, prandaj edhe për shkak të kësaj formuam shoqatën”.

Ai tregon se vetëm për një kohë të shkurtër, në fillim, kanë arritur t’i mbledhin gati 44 mijë dollarë, vetëm e vetëm për të ndihmuar qytetarët.

Në anën tjetër, Rejmond Zeka, kryetar aktual i Shoqatës “Peja”, pra nga janari i vitit 2018, thotë se “në vitin 2018 më shumë jemi marrë me riorganizim të Shoqatës, me Kryesinë e re, ku secili anëtar i Kryesisë i ka detyrat e veta, në mënyrë që shoqata të veprojë në mënyrë më të lehtë dhe më të shpejtë”.

Ai tha se më rastin e 20-vjetorit të themelimit të shoqatës janë ndarë mirënjohje edhe për ata persona që nuk janë pjesë e shoqatës, por që me angazhimin e tyre kanë kontribuuar për çështjen kombëtare dhe për komunitetin.

 

Burimi: https://www.albinfo.ch

Artistja kosovare, ekspozitë personale në Romë

në kategorine Diaspora

E Martë, 8 Janar 2019 – 17:00
albinfo.ch

Artistja kosovare, Majlinda Kelmendi, në Muzeun Laboratori i Artit Bashkëkohor në Universitetin Sapieza në Romë më 16 janar do të hapë ekspozitën personale. Ajo ka ekspozuar punën e saj në vende të ndryshme ndërkombëtare, si në Itali, Austri, Gjermani, Hungari, Portugali, Belgjikë, Spanjë, Poloni, etj., duke marrë çmime të rëndësishme dhe mirënjohje.

Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite do të jenë prezentë edhe Presidenti  Fondacionit Sapienza Romë, Antonello Folco Biagini dhe Drejtori i MLAC, Claudio Zambianchi, përcjell albinfo.ch

“Po e filloj këtë vit të ri me ekspozitën me titull COESTISTENZA. Ka qenë sfiduese dhe emocionuese për të planifikuar këtë ekspozitë së bashku me MLAC Muzeu i Artit bashkohor Sapieza Romë, Itali. Unë do të paraqes veprat e mia të reja që kam punuar prej dy vjetësh. Publikimi i eventit do bënte të mundur njoftimin e artdashësve tanë kudo që janë”, ka thënë Kelmendi.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri më 31 janar 2019. Kjo ngjarje është mundësuar dhe mbahet nën patronazhin e Ambasadës së Kosovës.

 

Burimi: https://www.albinfo.ch

E refuzuar në UP, mbaron universitetin elitar të Londrës

në kategorine Diaspora

Përkundër përgatitjes së saj solide, Sevi Hasani nuk pranohet në Fakultetin Ekonomik të UP-së. Por ajo nuk dorëzohet. Në vitin 2011 regjistron drejtimin Ekonomi/Biznes në Westminster University në Londër, të cilin e mbaron me sukses

E Martë, 8 Janar 2019 – 16:00
albinfo.ch

Pas diplomimit në njërin nga top universitetet e Britanisë së Madhe, mes gëzimit dhe lehtësimit, e vetmja pyetje që i sillej në kokë Sevit në ato momente ishte pikërisht: “Çka tash?“ Diplomimi në Westminster ishte vetëm një pjesë e rrugëtimit të ferizajases Sevi Hasani.

Shkollën fillore dhe të mesme e kryen në Ferizaj, e më pas synon Universitetin e Prishtinës për të studiuar ekonominë. Edhe përkundër përgatitjes së saj ndër vite dhe punës në provim pranues, çuditërisht ajo nuk e gjen emrin e saj në mesin e studentëve të pranuar në Fakultetin Ekonomik.  Për shumë të rinj kjo është një situatë shumë dëshpëruese, por jo edhe për Sevin. Përkundrazi, ajo motivohet edhe më shumë.

Pa humbur kohë, merr rrugën për në Londër, fillimisht ndjek një kolegj dyvjeçar, ku e merr edhe bazën kryesore për të studiuar tutje. Në vitin 2011 regjistrohet në drejtimin Ekonomi Biznesi pranë Westminster University në Londër, përderisa me suksese të larta diplomon më 2014, duke marrë titullin Bachelor.

Nga Anglia, në Zvicër

Si një e re me diplomë nga një universitet me famë, edhe Sevi Hasani, si shumë të tjerë, tash kishte edhe pengesën tjetër, pra gjetjen e një vendi pune. Pasi që zhvendoset për një kohë në Zvicër, fillon aplikimin për punë në kompani që i përgjigjen profilit të saj.

“STOXX”, që është një kompani globale në ofrimin e indexeve, ishte një ndër caqet e Sevit. Por edhe pse në mungesë përvoje refuzohet, ajo insiston që të paktën t`i japin një rast dhe ta intervistojnë. Pas një interviste maratonike, e fiton fillimisht një praktikë 3 mujore, e cila shndërrohet më vonë në një vend pune me kontratë.

Gjatë dy vjetëve punë në STOXX (që tani është në pronësi të Deutsche Börse), Sevi bën aty punë të ndryshme si testuese dhe analiste e Indexit, e po ashtu edhe testuese e shumë platformave tjera të STOXX, duke akumuluar kështu një përvojë shume të çmueshme.

UBS dhe më tutje

Banka UBS, më e madhja në Zvicër dhe ndër më të mëdhatë në botë, ishte sfida e saj e radhës. Me dëshirën për të fituar përvojë në sferën bankare, ajo emërohet menaxhere e testeve (Test Manager), një përgjegjësi shumë e madhe kjo, pasi kishte të bënte me projekte gjigante.

Sfidat që kishte në UBS, nuk ishin të pakta, duke shtuar këtu edhe atë që shpesh shihej pak më ndryshe vetëm pse ishte femër e re, apo edhe e huaj. Por përballja me këto vetëm sa i jepte një shtysë më të madhe vullnetit të saj për të arritur më shumë. Kështu Sevi më pas kalon si menaxhere në menaxhim të pasurisë, një detyrë kjo edhe më sfiduese, punë të cilën e bëri për rreth një vit e gjysmë.

E lodhur paksa nga angazhimi i tepërt në UBS, ku pothuajse i mungonte jeta private, ajo vendos të ndërrojë vendin e punës. Dhe, stacioni i radhës është kompania SIX Group. SIX Group, është kompani publike zvicerane që ofron shërbime financiare, e cila në mbarë Zvicrën ka bi 4000 të punësuar. Duke qenë se kishtë përvojë në një fushë të tillë, Sevi emërohet drejtpërdrejt si specialiste. Në këtë cilësi ajo bën testime të platformave të ndryshme tregtare, apo edhe testime të tatimeve, gjatë shitblerjes së aksioneve.

Si femër e re dhe e huaj, shikohej pak më ndryshe

Sfidat që kishte në UBS, nuk ishin të pakta, duke shtuar këtu edhe atë që shpesh shihej pak më ndryshe vetëm pse ishte femër e re, apo edhe e huaj. Por, përballja me këto vetëm sa i jepte një shtysë më të madhe vullnetit të saj për të arritur më shumë

Specialiste në SIX Group

SIX Group, është kompani publike zvicerane që ofron shërbime financiare, e cila në mbarë Zvicrën ka bi 4000 të punësuar. Duke qenë se kishtë përvojë në një fushë të tillë, Sevi emërohet drejtpërdrejt si specialiste.

Burimi: https://www.albinfo.ch

Fluturimet nga Gjermania për Prishtinë me 70 për qind vonesë apo dështime

në kategorine Diaspora

Pasagjerët nëpër relacionet europiane janë vënë në provë të durimit gjatë vitit të kaluar

E Martë, 8 Janar 2019 – 11:28
albinfo.ch

Pasagjerët nëpër relacionet europiane të aviokomunikacionit, janë vënë në provë të durimit gjatë vitit të kaluar. Në disa nga relacionet e hetuara “as një e treta e të gjitha fluturimeve të planifikuara nuk është realizuar sipas orarit”, ka shkruar të hënën portali i pasagjerëve “Airhelp”, përcjell Albinfo.ch.

Në fakt, 15 nga 50 relacionet e testuara me vonesat më të mëdha dhe anulime, fillimin ose përfundimin e tyre e kishin në Gjermani, pra rreth një e treta.

Megjithatë, shumica e problemeve ishin në relacionin ndërmjet Mykonos në Greqi dhe Londër-Gatwick, siç shpjegoi Airhelp. Në vitin 2018, më shumë se tre të katërtat e të gjitha fluturimeve janë prekur nga vonesat ose anulimet. Në radhët e tjera të relacioneve me probleme, u radhitën lidhjet midis Lisbonës dhe Romës-Ciampino me 74.3 për qind të fluturimeve në fjalë dhe nga Lisbona në Bruksel, me rreth 74 për qind, përcjell tutje albinfo.ch.

Sipas Airhelp, sidomos nga Frankfurt am Main për në Prishtinë, Kosovë, pasagjerët në Gjermani është dashur të planifikojnë shumë kohë: Rreth 70 për qind e të gjitha fluturimeve në këtë rrugë, në vitin 2018 janë vonuar apo kanë dështuar. Pasagjerët që kanë dashur të udhëtojnë nga Roma-Fiumicino në Köln/Bon (66.5 për qind) ose nga Katania në Shtutgart (65.7 për qind) gjithashtu kanë qenë të prekur rëndë, transmeton albinfo.ch.

Ndër të tjera, Airhelp për problemet i fajësoi grevat e pilotëve irlandezë në kompaninë me kosto të ulët Ryanair dhe luftën e tregut në prag të falimentimit të Air Berlin.

Burimi: https://www.albinfo.ch

26 shqiptarë para gjyqit, akuzohen për vjedhjen e 700 bizhuterive

në kategorine Diaspora

Disa do të gjykohen në mungesë, përfshirë edhe një të dyshuar për vrasje në një rast tjetër, i cili është në burg në Zvicër

E Martë, 8 Janar 2019 – 8:30
albinfo.ch

26 shqiptarë kanë dalë ditën e hënë para organeve të drejtësisë franceze, pasi akuzohen për 200 vjedhje në Auvergne Rhone-Alpes, por edhe në disa vende të tjera.

Shqiptarët, 19 nga Shqipëria dhe shtatë nga Kosova të ndihmuar nga katër përkthyes dhe pesëmbëdhjetë avokatë dolën para trupës gjykuese në gjykatë në Saint-Etienne, raportojnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Kreu i trupës gjykuese, Francois Bouriaud dëgjoi 16 persona të cilët mendohet se kanë qenë viktima të këtij grupi të rrezikshëm, që përmes aktivitetit të tyre kanë grabitur e vjedhur sasi të mëdha bizhuterish.

Një shoqatë miqësore shqiptare, një shoqatë lokale e vendosur në qendër të Firminy, shërbeu si një kamp bazë për të pandehurit. Humbjet më të lartë materiale të këtyre vjedhjeve të kryera gjatë natës në shtëpitë e zbrazëta për banorët e tyre nga fundi i 2015 deri në fund të 2017, janë vlerësuar në 155,000 euro. Të ardhurat e shitjes së stolive të vjedhura, disa prej të cilave janë shitur në portin belg të Antwerp, mund të kapin vlerën mes 1 dhe 1.5 milionë euro.
Disa do të gjykohen në mungesë, përfshirë edhe një të dyshuar për vrasje në një rast tjetër, i cili është në burg në Zvicër.
Rreth 700 bizhuteri të gjetura nga hetuesit janë ekspozuar pasdite në sallën e gjyqit për t’u identifikuar nga pronarët e tyre.

Burimi: https://www.albinfo.ch

Të jesh funksionar banke në metropolin botëror të bankave

në kategorine Diaspora

“Zürichu është pas Londrës qendra e dytë me e madhe bankare në Europë. Kështu që kyqja në këtë industri nuk ishte ndonjë vendim i vështirë për mua”, thotë në intervistën e tij për albinfo.ch Alban Nevzati, bartës i një posti me përgjegjësi të lartë në bankën më të madhe të Zvicrës, UBS

E Hënë, 7 Janar 2019 – 16:00
albinfo.ch

Alban Nevzati punon në Departmentin e Kontrollit të Rreziqeve, gjegjësisht në repartin e menaxhimit të zhvillimeve strategjike (Change Management), repart global me rreth 400 punëtorë të bankës UBS, më të madhes në Zvicër dhe njërës ndër më të mëdhatë në botë. Në intervistën për albinfo.ch ai flet rreth pranisë së shqiptarëve në bankat e Zvicrës, karrierës së tij të deritashme, shoqatës që bashkon punonjësit bankarë në Zvicër, brishtësisë së bankave në Kosovë etj.

Keystone

Albinfo.ch: Ju punoni si punonjës bankar në Zvicër, që njihet edhe si “vendi i bankave” dhe për më tepër në Cyrih që është një prej qyteteve kryesore në sistemin global bankar. Përse jeni përcaktuar për sektorin bankar dhe a na tregoni si keni filluar aty?

Alban Nevzati: Qysh gjatë studimeve në Universitetin e Zürichut kam punuar në një bankë private. Përvojat të cilat i kam mbledhur në atë bankë, e cila ishte bankë private klasike, më kanë ndihmuar edhe gjatë studimeve të mia. E kisha më lehtë ta bëj një lidhje mes teorisë dhe modeleve të ndryshme ekonomike në njërën anë, dhe aplikimin e tyre në botën reale. Përvoja e punës gjatë studimeve në botën reale bankare më ka bërë të krijoj një fije skepticizmi dhe rezerve ndaj teorive dhe modeleve të ndryshme ekonomike, por njëkohësisht ma ka rritur interesin për njohurinë a po atyre modeleve teorike.

Sistemi bankar në Zürich është pjesë e industrisë globale bankare. Zürichu është pas Londrës qendra e dytë më e madhe në Europë, kurse eshtë në top 10 të qendrave botërore në sektorin bankar. Kështu që kyqja në këtë industri nuk ishte edhe ndonjë vendim i vështirë.

Cili është titulli i postit që mbani aktualisht dhe cilat poste i keni kaluar deri tash, respektivisht, në cilat banka?

I kam mbetur besnik bankës së njejtë në të cilën fillova të punoj pas studimeve. Bankat globale, si kjo ku unë punoj, ofrojnë një llojllojshmëri të drejtimeve të ndryshme profesionale. Unë punoj në departmentin e kontrollit të rreziqeve. Kontrolli i rrezikut është një punë në mbrapavijë ku kontrollohen rreziqet në divizionet e ndryshme të bankës. Aktualisht punoj në repartin e menaxhimit të zhvillimeve strategjike (Change Management), repart global me rreth 400 punëtorë.

Keni mbaruar ndonjë specializim jashtë Zvicrës apo keni përvojë pune në ndonjë bankë ose institucion financiar jashtë vendit?

Kompanitë e mëdha dhe globale, si kjo ku unë jam i punësuar, specializimet zakonisht i ofrojnë përbrenda tyre. E kemi universitetin tonë, ku ligjërojnë ekspertë të brendshëm, por edhe profesorë dhe ekspertë tjerë nga jashtë. Specializimet në kompani janë mirë të strukturuara, janë në shumicën e rasteve me program global por ka edhe të tilla me përmbajtje specifike lokale, dhe çdo punonjës udhëzohet të ndjekë nivele të ndryshme të kurseve dhe specializimeve, varësisht detyrës dhe përgjegjësive që i ka. Unë e kisha rastin të punoj për tre vite në New York për të njëjtën kompani. Të punosh jashtë vendit është një eksperiencë të cilën secilit ja kisha propozuar ta bëjë, nëqoftëse i jepet mundësia.

Cilat janë karakteristikat e sistemit bankar Zvicërn, që e bëjnë të dallohet nga sistemet e vendeve tjera?

Sistemi bankar zviceran ka përfituar shumë nga stabiliteti politik i Zvicrës, posaçërisht gjatë luftës së ftohtë. Po ashtu bashkëpunimi i ngushtë mes institucioneve arsimore, qofshin ato universitare ose shkollave profesionale dhe bankave, ka pasur një ndikim të madh në avansimin e sistemit bankar. Kërkesat e sektorit bankar për kuadro të përgatitura janë mbuluar nga sistemi arsimor i Zvicrës. Po ashtu edhe niveli i lartë i jetës dhe i arsimit ka ndikuar që Zvicra të joshë gjithnjë ekspertët më të mirë nga e gjithë bota.

Po funksionimi i bankave në shtetet tona të prejardhjes, si duket dhe çfarë e dallon atë – përveç vëllimit të parasë në qarkullim, që nënkuptohet – nga sistemi bankar i Zvicrës dhe ai i perëndimit?

Bankat zvicerane janë ndër bankat më të mëdha botërore. Sistemi bankar këtu është i etabluar mirë dhe është katalizator i zhvillimit ekonomik të vendit, duke qenë ofruesi i kapitalit për industrinë vendore, por njëkohësisht edhe shtytës i inovacioneve të ndryshme. Për të pasur një ide rreth sistemit bankar të Zvicrës po përmend se në këtë vend janë të punësuar rreth 121’000 persona në banka; Shuma e bilancit të të gjitha bankave në Zvicër ishte në vitin 2017 3’384 miliardë franga zvicerane etj. Sistemi bankar në Kosovë është ende i brishtë. Ende mungon një bashkëpunim i mirëfilltë mes bankave, institucioneve arsimore dhe tregut vendor. Po ashtu mërgata shqiptare nuk është involvuar deri më tani fare në rritjen e likuiditetit në treg. Shpresoj se në të ardhmen kuadrot shqiptare të avansuar në kompanitë e ndryshme globale do të inkuadrohen në tregun financiar të vendeve tona të prejardhjes.

Kohën e fundit vërehet një rritje brengosëse e disa të ashtuquajturve institute mikrofinanciare të cilat cak e kanë qytetarin me të ardhura të vogla dhe familjet e reja. Kostot e fshehta dhe shpenzimet e larta të kamatës e vështirësojnë kthimin e rregullt të kredisë nga kredimarësit dhe aty fillon për ta një rreth vicioz nga i cili vështirë të dilet. Këtu institucionet shtetërore përgjegjëse duhet të jenë rigoroze dhe të mbrojnë qytetarin.

A keni informacione rreth numrit të shqiptarëve që punojnë në banka dhe institucione financiare në Zvicër? 

Vetëm në institutin në të cilin punoj unë, janë qindra shqiptarë! Po ashtu numri i shqiptarëve në institucionet tjera bankare është i madh dhe në rritje e sipër. Shqiptarë mund të gjejmë tani në çdo funksion në banka: Në sportele të bankave, në IT, në Investment Bank, në Asset Management, në menaxhim të fondeve, në menaxhim të resurseve humane (HR), kuadro të larta lobuese, në thesar, kuadro me përgatitje kuantitative, aso me përgjegesi të lartë menaxheriale etj. (b.sh.)

Biografi

I lindur në vitin 1980 në Prishtinë, Alban Nevzati ka jetuar në Prizren, ku dhe e ka përfunduar klasën e katërt të shkollës fillore. Në Zvicër ka ardhur në vitin 1990, ku e ka vazhduar shkollën fillore dhe gjimnazin. Studimet në drejtimin ekonomi dhe menaxhment i ka përfunduar në Zürich, në vitin 2006. 

 

Shqiptarë, në të gjitha nivelet e bankave zvicerane

Shqiptarë mund të gjejmë tani në çdo funksion në banka: Në sportele të bankave, në IT, në Investment Bank, në Asset Management, në menaxhim të fondeve, në menaxhim të resurseve humane (HR), kuadro të larta lobuese, në thesar, kuadro me përgatitje kuantitative, aso me përgjegesi të lartë menaxheriale etj

 

 

Burimi: https://www.albinfo.ch

Festivali shqiptar në Australia Day Awards

në kategorine Diaspora

E Hënë, 7 Janar 2019 – 14:20
albinfo.ch

Festivali Shepparton Albanian Harvest është nominuar në Australia Day Awards.

Ata përmes një njoftimi kanë bërë të ditur nominimim për vitin 2019 për  ngjarjen e komunitetit, sipas tyre është një privilegj që festimi i tyre vjetor ka marr një nominim të till.

Ata kanë thënë se Festivali ynë nuk do të ndodhte pa mbështetjen dhe përkushtimin e komunitetit tonë si dhe për këtë, ata ofrojnë mirënjohjen e përzemërt, përcjell albinfo.ch

Në njoftim po ashtu thuhet, “Sigurohuni që të ruani datën për ngjarjen tonë të ardhshëm: 24 mars 2019. Ndihmoni përhapjen e fjalës dhe tregoni familjes dhe miqëve tuaj”.

Burimi: https://www.albinfo.ch

Bankierët shqiptaro-zviceranë

në kategorine Diaspora

Ky numër i Albinfo.ch që u kushtohet gjeneratave të reja, të dala nga familjet shqiptare dhe që janë të inkuadruar në sektorin financiar dhe të kredive në Zvicër

E Diel, 6 Janar 2019 – 16:00
Dr. Bashkim Iseni, themelues i Albinfo.ch

Në opinionin mbarëshqiptar ende mbretërojnë stereotipe mbi pjesëtarët e diasporës shqiptare, duke i perceptuar ata si ‘gasterbajterë’ të pakualifikuar.

Ky numër i Albinfo.ch që u kushtohet gjeneratave të reja, të dala nga familjet shqiptare dhe që janë të inkuadruar në sektorin financiar dhe të kredive në Zvicër, sjell të dhëna dhe portrete, të cilat i thyejnë këto tabu ndaj komunitetit tonë.

Ndër klishetë që thyen kjo dosje speciale është edhe tendenca për ta konsideruar komunitetin shqiptar si jashtë sistemit. Rritja eksponenciale e numrit të të rinjve shqiptaro-zviceranë në sektorin bankar dhe të kredive vetëm sa e dëshmon integrimin gjithnjë e më të thellë të një numri të konsiderueshëm të pjesëtarëve tanë në Zvicër dhe më gjerë.

Veç kësaj, të rejat dhe të rinjtë që shprehen në këtë numër thyejnë idenë e bankierëve arrogantë dhe të pasur. Modestia dhe syçeltësia e personave të portretuar në këtë numër reflekton pikërisht të kundërtën, sepse ato dhe ata dallohen krejtësisht nga mendjemadhësia e disa individëve shqiptaro-zviceranë që janë pasuruar shpejt, duke filluar me shitje të kredive apo sigurimeve pranë komunitetit shqiptar në Zvicër dhe më gjerë.

Inkuadrimi sistematik i të rinjve shqiptaro-zviceranë në Zvicër në sektorin terciar të shërbimeve ka një domethënie të veçantë. Të ushtrosh profesionin financiar dhe të sigurimeve, në vendin më të njohur në botë për këto fusha, përmban një dimension simbolik, sidomos për familjet e shumta shqiptare, të cilat kanë braktisur vendin për një kafshatë buke. Sot, fëmijët e tyre punojnë në zyrat e qelqit të financës botërore, ku dihet fort mirë se për të ushtruar një profesion të tillë në Zvicër, sidomos për t’u ngritur në hierarkinë e përgjegjësisë në bankat zvicerane me renome ndërkombëtare kërkohen njohuri integrale dhe kompetenca të larta teknike.

Ky ndryshim përmban një satisfaksion me dimension historik, dhe shpresojmë se i gjithë ky kuadër financiar në rritje do të ndikojë, herët apo vonë, në ndryshimin e rolit bankar në vendet e prejardhjes, i cili duhet të jetë në shërbim të ekonomisë, dhe jo të kundërtës.

Prandaj, lexues të dashur të Albinfo.ch, kemi kënaqësinë t’ju njohim më nga afër me disa nga bankierët dhe specialistët e sigurimeve të dalë nga komunitetit shqiptaro-zviceran.

Lexim të këndshëm!

 

 

Burimi: https://www.albinfo.ch

Shqiptarja nga Maqedonia, berbere shumë e suksesshme në Zvicër

në kategorine Diaspora

Demirali Saliu dhe bashkëshortja e tij Jesma kanë një sallon për prerjen e flokëve, karakteristik për shumëçka

E Diel, 6 Janar 2019 – 11:30
albinfo.ch

Në qytetin Sion të Zvicrës, biznes familjar zhvillon çifti bashkëshortor Saliu nga Prilepi i Maqedonisë.

Demirali Saliu dhe bashkëshortja e tij Jesma kanë një sallon për prerjen e flokëve, karakteristik për shumëçka, shkruan portali “Lajm.tv”. Bashkëshortja Jesma Saliu është ndoshta femra e vetme shqiptare berbere për meshkuj. Por jo vetëm kaq. Ajo është ndër berberet më të mira në Zvicër, kurse ka fituar në shumë gara edhe në Evropë, përcjell albinfo.ch.

“Këtë zanat e kam marrë nga babai të cilin e kam berber. Mua më ka pëlqyer ky zanat dhe kam filluar të punoj te babai. Ka 15 vite që e punoj këtë zanat. Unë jam nga Maqedonia, më saktë nga Zhitosha e Prilepit”, tha për Lajm.tv, berberja Jesma Saliu.

Si është dashuruar Jesma te ky këtë profesion që nuk është karakteristik për femra, e aq më pak për femrat shqiptare?

Në intervistën e saj për Lajm.Tv rrëfen se zanatin e berberit e ka trashëguar nga babai i saj, i cili ka qenë berberi i parë në Sion. Edhe pse babai ka qenë kundër që bija e tij të trashëgojë këtë zanat, Jesma ka qenë këmbëngulëse. Pas pensionimit të babait, ajo me bashkëshortin e menaxhon biznesin.

Burimi: https://www.albinfo.ch

Në mes të punës në bankë dhe politikës

në kategorine Diaspora

I njohur më shumë si politikan, Përparim Avdili punon në bankën “Swisscanto” ku udhëheq sektorin “Investment Services”. Në intervistën e tij për albinfo.ch, Përparimi flet për jetën dhe punën e tij në mes të bankës dhe politikës

E Shtunë, 5 Janar 2019 – 17:51
Sevdail Tahiri

Si një punonjës profesionist bankash prej vitesh, pas një dite të lodhshme mes shifrave, Përparim Avdili gjen kohë edhe për politikë, duke u marrë me problemet e përditshme të një pjese të qytetit të Cyrihut, në cilësinë e deputetit të Asamblesë së qytetit më të madh të Zvicrës, si shqiptari i parë në këtë post.

Jo shumë gjatë në këtë post, për Përparimin vijnë rezultatet e para. Politikani shqiptar me rrënjë nga Kumanova flet për njërin ndër aktet e para politike të tij si deputet i Cyrihut, iniciativë parlamentare që u mundëson të rinjve dhe të huajve me vendbanim në qytetin e Zürich-ut të parashtrojne në Kuvend si individë një kërkesa në lidhje me komunën.

Nisma e Përparimit është përkrahur nga të gjitha fraksionet përveç atij të SVP-së. “Një hap i rëndësishëm për një vend liberal”, thotë Përparimi teksa fillon të rrëfejë për jetën e një bankieri.

Albinfo.ch: Nëse punoni në një bankë a do të thotë se keni shumë para?

Përparim Avdili: Jo detyrimisht. Ka sektorë tjerë si për shembull ai i farmacisë apo informatikës, ku rrogat përkundër perceptimeve të opinionit të gjerë, pjesërisht janë më të larta se në banka. Pastaj sektori bankar është shumë i madh në rajonin e Cyrihut, janë të punësuar më shumë se 40 mijë persona vetëm në këtë sektor në rajon, përfshirë këtu profesione të ndryshme nga kontabilistë e deri te bankierë tipikë që këshillojnë klientët e pasur nga e gjithë bota. Pra, jo paraja nuk të bën punonjës banke, por profesioni qe mësohet me punë dhe shkollim specifik. Diçka dhe për të theksuar: kohët e arta të bankave kanë ikur siç ishin në vitet e 90, në Cyrih nuk është asgjë speciale tanimë të punosh në një bankë.

Emrat shqiptarë që frekuentojnë nëpër bankat zvicerane, janë të shumtë. Çfarë do të thotë kjo për komunitetin shqiptar në Zvicër?

Ky fakt dëshmon që shqiptarët në Zvicër janë, në formë të plotë, pjesë e shoqërisë së vendit. Shqiptarët as nuk kanë krijuar shoqëri paralele siç ndodh në vendet tjera me komunitete të ndryshmë por po ashtu as nuk kanë ngelur në profesionet e prindërve të tyre. Pra janë shkolluar individualisht sipas preferencave personale dhe jo sipas ideve kolektive. Është një vlerë e madhe zvicerane që çdokush të identifikojë veten dhe vlerën e vet edhe përmes punës dhe profesionit që ushtron, dhe këtë vlerë edhe shqiptarët e kanë adaptuar.

Çfarë pozitash kanë zënë shqiptarët nëpër bankat zvicerane?

Të shumta. Pothuajse në të gjithë sektorët dhe llojet e profesioneve që ofrohen nga bankat, janë të përfshirë edhe shqiptarët, gjë që tregon dhe qartëson normalitetin edhe të faktit që shqiptarët nuk jane shoqëri jashtë trupit zviceran por bëjnë të njëjtën rrugë profesionale, si çdokush tjetër në këtë vend. Siç e përmendëm më heret, në sektorin e bankave të rajonit të Cyrihut janë të punësuar rreth 40 mijë veta, dhe këtu ka të përfshirë qindra shqiptarë në fusha të ndryshme brenda sektorit. Diçka që bie në sy është po ashtu dhe numri i konsiderueshëm i nxënësve me emra shqiptarë në tri bankat më të mëdha në Cyrih ku kam punuar: Credit Suisse, UBS dhe Zürcher Kantonalbank.

Nëse do të të kërkohej ta braktisje njëri prej profesioneve, cilin do ta mbanit?

Politika në Zvicër, fatmirësisht nuk është profesion, por angazhim shoqëror. Së paku politikani parlamentar në Zvicër zakonisht ushtron dhe profesionin e tij ndërsa politikën e merr si angazhim shtesë. Këtu flitet për “Milizsystem” që mban larg profesionalizimin e politikës, me dy arsye: që politikanët të mos krijojnë një varësi nga politika, e cila do të rrezikonte edhe shtetin dhe që politikanët të sjellin përvoja reale dhe praktike nga jeta profesionale edhe në politikë. Kjo është dhe arsyeja ime e angazhimit politik, dhe si i tillë dua të qëndroj edhe më tutje. Pra, të ushtroj profesionin tim ku po ndjek padyshim dhe karrierën time, pastaj që njohuritë dhe përvojat e jetës shoqërore dhe profesionale t`i sjell në politikë për të mirën e qytetarëve. I vetmi rast ku përjashtohet kjo, është nëse futem në ekzekutiv, por realisht nuk bëhet fjalë për këtë gjë në vitet e ardhshme.

Cila është pozita në të cilën ju punoni aktualisht në bankë?

Këtë vit kam kaluar në “Swisscanto” që është pjesë e bankës kantonale të Cyrihut, Zürcher Kantonalbank. Aty e udhëheq një sektor që quhet “Investment Services”, u shërbejmë klientëve institucionalë si për shembull fonde pensionale apo fondacione të ndryshme.

Përse ju pëlqen puna në bankë?

Nuk besoj që njeriu pasionin e jetës e gjen në bankë, por me siguri që është një vend pune interesant ku ka potencial të madh për t’u zhvilluar edhe vetë. Kohët aktualisht nuk janë stabile në sektorin e financave dhe bankave, gjë që e bën edhe më sfidues këtë profesion. E mira e kësaj është që të krijon një presion pozitiv për t’u zhvilluar vazhdimisht, qoftë në aspektin personal por edhe shkollor.

Rruga e një bankieri?

Me plot shifra…

Në politikë, një liberal i bindur

Avdili në politikën e Cyrihut dhe më gjerë ka bërë emër si politikan konsekuent në bindjet e tij liberale. Ai është vetëm 30 vjeçar, i lindur në rrethin e Kumanovës, Maqedoni, ndërsa nga mosha njëvjeçare jeton në Zvicër, gjegjësisht në Cyrih. Ka qenë kandidat në zgjedhjet kantonale të Cyrihut dhe ato federale në vitin 2015, kur votat e fituara nuk i kishin mjaftuar për t`u zgjedhur. Avdili qe vënë në fokus të medieve zvicerane kur e kishte publikuar një video në të cilën kërkonte votën e shqiptarëve në gjuhën shqipe.

Shqiptarët, të pranishëm në të gjithë sektorët bankarë

Pothuajse në të gjithë sektorët dhe llojet e profesioneve që ofrohen nga bankat, janë të përfshirë edhe shqiptarët, gjë që tregon dhe qartëson normalitetin edhe të faktit që shqiptarët nuk jane shoqëri jashtë trupit zviceran por bëjnë të njëjtën rrugë profesionale, si çdokush tjetër në këtë vend. Siç e përmendëm më heret, në sektorin e bankave të rajonit të Cyrihut janë të punësuar rreth 40 mijë veta, dhe këtu ka të përfshirë qindra shqiptarë në fusha të ndryshme brenda sektorit

Burimi: https://www.albinfo.ch

Majko: Mjekët shqiptarë në Diasporë të sjellin përvojat e tyre në Shqipëri

në kategorine Diaspora

E Premte, 4 Janar 2019 – 19:30
albinfo.ch

Ministri Shtetit për Diasporën Pandeli Majko është takuar gjatë ditës së sotme me dy mjekë të suksesshëm shqiptar në Diasporë, kirurgen Marsela Ceno dhe kardiokirurgun Kristo Papa.

Vetë ministri Majko ka njoftuar se gjatë takimit u bisedua për mundësitë e aplikimit të përvojave të dy mjekëve në Shqipëri.

Doktoresha Marsela Ceno ndau me ministrin përvojën e saj si kirurge në Gjermani por edhe punën e madhe në organizimin e të gjithë mjekëve shqiptarë në një shoqatë të konsoliduar.

“Gjithashtu me ministrin u bisedua për detajet e takimit më të rëndësishëm të mjekëve shqiptar në Gjermani, zyrtarizimin e shoqatës së mjekëve shqiptar e cila do të mbahet në datë 16 shkurt në Berlin”, thuhet në njoftimin e Majkos, shkruan albinfo.ch.

Ndërsa Doktori Kristo Papa ndau me ministrin përvojën e tij në “Cork University Hospital”, në Irlandë.

“Dr.Papa gjithashtu është ndër kardiokirurgët e parë në Evropë, pjesë e stafit të klinikës digjitale ndërkombëtare “Health Center of Excellence””, thuhet tutje në njofim.

Burimi: https://www.albinfo.ch

Ëndrra e realizuar e Arditës: puna në kullën e lartë 126 metra

në kategorine Diaspora

Ardita Bunjaku punon si analiste e tatimeve në njërën prej kompanive më të mëdha ndërkombëtare, selia e së cilës për Zvicër është në ndërtesën më të lartë të Zvicrës, në Prime Tower të Cyrihut

E Premte, 4 Janar 2019 – 16:00
Alban Hamza

Me 126 metra dhe 36 kate, Prime Tower në Cyrih, është njëra ndër ndërtesat më të larta të Zvicrës. Dizajni i saj është konceptuar në atë mënyrë që rezulton një kombinim interesant i modernes dhe historisë. Të gjitha katet e sipërme, e posaqërisht Café-bari-I në katin më të lartë, ofron një pamje panoramike të Cyrihut.

Ishte viti 2014 kur Ardita Bunjaku kishte vizituar Cyrihun. Si pjesë e vizitave të saj ishte edhe Prime Tower. E mahnitur me dizajnin, si dhe pamjen që ofronte Bar-I nga lartë, asaj po ashtu i kishte rënë në sy lista e kompanive prestigjioze që zhvillojnë aktivitetin e tyre në këtë ndërtesë.

Edhe Ardita, si cçdo kush tjetër, do të ngazëllehej vetëm me idenë për të punuar në një ndërtesë të tillë, në njërën nga këto kompani.

E lindur në Prishtinë, por si fëmijë dy vjeçe emigron me familjen në Britaninë e madhe, ku dhe kalon pjesën tjetër të jetës deri në moshën 25 vjeçare.

Inovatore dhe me prirje menaxheriale

Gjatë shkollimit, tek Ardita dukej e qartë prirja e saj për numrat e llogaritjet, kështu që vendimi për të studiuar për Ekonomi Biznesi në Londër, ishte një vendim jo i vështirë për të.

“Gjatë studimeve, ishte e qartë se përvoja e punës ishte po aq e rëndësishme sa edhe përfundimi i një drejtimi akademik” thotë ajo, përderisa pas disa aplikimeve fiton vendin e saj të parë të punës në HSBC, një bankë ndërkombëtare, ku fillimisht punon si zyrtare e kredisë, ku klientët e saj ishin kompani me qarkullime të mëdha vjetore.

Aty fillojnë edhe sukseset e para. Pas vetëm 9 muajsh ajo nominohet si punëtorja më e mirë, gjë që i mundëson edhe trajnimin nga ana e saj të kolegëve të saj të punës, e që po ashtu ishte një nivel tjetër i përgjegjësisë. Po ashtu nga menaxherët e saj ajo përshkruhej edhe si shumë inovatore, natyrale e me aspirate menaxheriale.

Pasi tashmë kishte vizituar Cyrihun, e mahnitur nga ambienti i bukur që e rrethon, dhe nga stili i lartë i jetës që ofron ky qytet, Ardita, synon më lartë, duke aplikuar në kompani të ndryshme të Cyrihut për ndonjë vend pune.

Ëndrra për të punuar në Prime Tower të Cyrihut, bëhet realitet

Ndodhi që Ardita dhe Prime Tower të takohen prapë. Por kësaj radhe ajo vinte aty si analiste e tatimeve një nga bankat më të mëdha ndërkombëtare, selia e së cilës për Zvicër ishte pikërisht aty.

“Ajo që për mua dikur ishte vetëm një ëndërr, dalngadalë u kthye në realitet” shprehet Ardita, duke bërë kështu që studimet dhe përvoja e saj në Britani të shpaguhet.

Edhe këtu shpejt dallohet përkushtimi dhe zotësia e saj në punë, për çfarë emërohet si bashkë koordinatore e një ekipi prej 4 vetash. Ndërsa tash, si pjesë e një ekipi prej 12 vetash, është duke bërë specializimin në tregti dhe tatime të kompanive amerikane, gjë që padyshim do të shënojë edhe një hap tutje në karrierën e saj.

Duke punuar në një ambient multikulturor, pos punës zhvillon edhe shumë aktivitete të tjera bashkë me ekipin e saj. Por ajo ende nuk është ngopur me pamjen e Cyrihut që e sheh çdo ditë nga tavolina e punës në Prime Tower, e që e eksiton çdo ditë. Por, për të arriturat e saj të deritashme ajo padyshim se i detyrohet vetëvendosjes së saj, përkushtimit dhe punës së madhe, si dhe përvojës në të kaluarën.

 

Studioni! Mundimet shpaguhen një ditë

Ardita me këtë rast ka edhe një porosi për të rinjtë në Zvicër. Sipas saj, shumë nga ta nuk e shfrytëzojnë potencialin e tyre të plotë, për të përfituar nga të mirat që ky shtet mund të ofrojë. Dikujt mund t`i duket si një rrugëtim i gjatë, gjatë të cilit ndonjëherë puna dhe studimi humbin kuptimin një një pikë, por Ardita insiston se një ditë të gjitha shpaguhen…

 

Burimi: https://www.albinfo.ch

Shoqata e bankierëve shqiptarë në metropolin zviceran të bankave

në kategorine Diaspora

“Krijimi i një rrjeti i cili do të lehtësonte integrimin e shqiptarëve në sektorin financiar dhe shndërrimi në qendër orientimi për studentët shqiptarë që dëshirojnë të fillojnë karrierë në këtë sektor” është synimi afatgjatë i Shoqatës Shqiptare Zvicerane të Financave (SAFA)

E Enjte, 3 Janar 2019 – 16:30
albinfo.ch

Shqiptarët në Zvicër janë prej vitesh të organizuar në një numër të madh shoqatash dhe bashkësishë nga më të ndryshmet. Organizimi i komunitetit fillimisht bëhej mbi baza politike, kulturore, sportive dhe së fundi, edhe mbi baza profesionale. E fundit në këtë vistër organizimesh është shoqata e punonjësve shqiptarë të bankave dhe të institucioneve tjera financiare të Zvicrës ose, thënë ndryshe, “bankierët”.

“SAFA” quhet shoqata e themeluar vetëm tri vite më parë në Cyrih. Ajo bën bashkë bankierët shqiptarë, me përqendrim të veçantë në zonën rreth metropolit më të madh bankar të Zvicrës, në Cyrih por edhe më gjerë.

Lidhur me shoqatën e cila përfaqëson shqiptarët e një dege kaq karakteristike për ekonominë zvicerane, degës së bankave, për albinfo.ch flet Getoar Vejseli, anëtar i kryesisë dhe përgjegjës për komunikim në SAFA.

Për një rrjetëzim të profesionistëve të sektorit financiar

“Fillimet e saj SAFA i ka prej vitit 2011 kur një grup shqiptarësh të sektorit financiar takoheshin kohë pas kohe për tu njohur me njëri tjetrin dhe për të shkëmbyer eksperiencat e tyre profesionale. Ndërkaq formën e saj si shoqatë, SAFA e ka marrë në vitin 2015, më saktësisht më 26 shkurt të atij viti, kur, në ambientet e Technopark në Cyrih u vendosën themelet e saj”, thotë Vejseli. Sipas tij, motivi kryesor dhe më i rëndësishëm i krijimit të shoqatës ka qenë rrjetëzimi i profesionistëve (kryesisht të sektorit financiar në Zvicër) dhe shkëmbimi i eksperiencave në mes veti. Ndërsa synimi afatgjatë, ka qenë “krijimi i një rrjeti i cili do të lehtësonte integrimin e shqiptarëve në sektorin financiar si dhe shndërrimi në qendër orientimi për studentët shqiptarë që dëshirojnë të fillojnë karrierë në këtë sektor”.

Ndonëse shoqata njihet gjerësisht si “shoqatë e bankierëve”, ajo në gjirin e saj ka edhe profile tjera. “Profilet profesionale të pjesëtarëve janë të ndryshme, duke filluar nga bankierët, specialistët e teknologjisë së informimit, këshilluesit (consultants), etj., vazhdon Getoar Vejseli.

Ndërsa duke folur rreth organizimit të shoqatës, ai thotë se “SAFA ka asamblenë e përgjithsme, kryesinë dhe auditorët. Në asamblenë e përgjithshme zgjidhet kryesia e shoqatës nga ana e anëtarëve aktivë dhe pastaj kryesia e posazgjedhur vendos bashkërisht për pozicionet, respektivisht përgjegjësitë që çdo anëtar i kryesisë është i gatshëm t`i marrë, përfshirë ketu edhe pozitën e kryetarit/es. Në asamblenë e përgjithshme gjithashtu zgjidhen edhe dy auditorë të pavarur për të kontrolluar llogaritë dhe për të kryer kontrolle të rastit, të paktën një herë në vit. Auditorët duhet të jenë anëtar aktivë të shoqatës”.

Rreth 200 punonjës financiarë shqiptarë vetëm në zonën e Cyrihut

Ndonëse për këto tri vite të ekzistimit, shoqatës i janë bashkuar një numër i konisderueshëm anëtarësh të sektoreve të përmendura, kryesia e SAFA nuk mund të dijë numrin e gjithëmbarshëm të punonjësve financiarë dhe të bankave në gjithë Zvicrën. “Është e vështirë të caktohet një numër i përafërt sepse: e para, shoqata është e fokusuar në Cyrih, dhe e dyta, jo çdo shqiptar që është aktiv në këtë sektor është në dijeni të ekzistimit të kësaj shoqate. Ne si shoqatë deri tani kemi një liste prej mbi 200 personave që janë aktivë me punë në rrethin e Cyrihut. Dhe, aq sa ne jemi të informuar, shqiptarët sot  janë aktivë në gati të gjitha bankat dhe kompanitë më të mëdha në Zvicër”, thekson Vejseli.

Por, a është realizuar synimi që bankierët shqiptarë të Zvicrës i kanë vënë vetes me rastin e themelimit të shoqatës? “Pjesërisht”, shprehet Getoari, duke vënë në pah edhe njëfarë pasivizimi të muajve të fundit. “Angazhimi në shoqatë është vullnetar dhe kërkon kohë. Për fat të keq, gjatë muajve të fundit, shoqata ka qenë pasive për shkak të angazhimeve të shumta profesionale dhe private që i kanë pasur anëtarët e kryesisë. Për momentin, ka filluar riaktivizimi i disa anëtarëve dhe në të ardhmen do të ketë evenimente të rregullta. Vetëm nëse të gjithë japin një kontribut minimal për të ndihmuar rrjetëzimin, mund të arrihen synimet individuale, ato kolektive, si dhe synimet e shoqatës”.

Bashkëpunimi me bankat në atdhe, synim afatgjatë i shoqatës

Deri tash shoqata nuk ka pasur ndonjë bashkëpunim me bankat ose organizatat tjera të këtij sektori në atdhe. “Nuk  kemi pasur bashkëpunime të atij niveli me bankat në trojet tona, por është një nga synimet afatgjate që kërkon kohë dhe përkushtim nga të gjithë”, thotë Vejseli. Megjithatë, shton ai: “deri më tani kemi patur bashkëpunim me një shoqatë nga Kosova, një nga Maqedonia si dhe me Shoqatën e Studentëve shqiptarë në Cyrih, me të cilën kemi organizuar edhe një workshop për t`i informuar studentët rreth mundësive që kanë per tu integruar në tregun financiar”.

I pyetur për pozicionin më të lartë në hierarkinë bankare që ka arritur deri tash ndonjë shqiptar i Zvicrës, qoftë anëtar i shoqatës ose jo, bashkëbiseduesi ynë shprehet i rezervuar. “Pasi pozicionet ndryshojnë prej njërës kompani në tjetrën, është e vështirë të thuhet se cila është pozita më e lartë që ndonjë shqiptar e mban në bankat zvicerane. Mjafton të themi se ka shumë shqiptarë që janë duke udhëhequr me ekipe të tëra në pozitat e tyre”.

Themelimi, më 26 shkurt 2015

“Fillimet e saj, SAFA i ka prej vitit 2011 kur një grup shqiptarësh të sektorit financiar takoheshin kohë pas kohe për tu njohur me njëri tjetrin dhe për të shkëmbyer eksperiencat e tyre profesionale. Ndërkaq formën e saj si shoqatë, SAFA e ka marrë në vitin 2015, më saktësisht më 26 shkurt të atij viti, kur, në ambientet e Technopark në Cyrih u vendosën themelet e saj”.

Një “lodhje”, që besohet të jetë e përkohshme

“Angazhimi në shoqatë është vullnetar dhe kërkon kohë. Për fat të keq, gjatë muajve të fundit, shoqata ka qenë pasive për shkak të angazhimeve të shumta profesionale dhe private që i kanë pasur anëtarët e kryesisë. Për momentin, ka filluar riaktivizimi i disa anëtarëve dhe në të ardhmen do të ketë evenimente të rregullta.

Burimi: https://www.albinfo.ch

Ngjarja tronditëse, lidhja me afganin çon në vrasjen e 28-vjeçares

në kategorine Diaspora

E Enjte, 3 Janar 2019 – 12:17
albinfo.ch

Një shqiptar ka vrarë dhe varrosur vajzën e tij në oborrin e shtëpisë, pasi ishte në një lidhje me një afgan.

Ngjarja ka ndodhur në zonën Alepu në ishullin e Korfuzit në Greqi, raporton Oranews.

Viktimë është 28-vjeçarja, Angjeliqi Petru. Një shtetas afgan, që ishte në lidhje me 28-vjeçaren ka hedhur dyshimet në polici se vajza mund të ishte vrarë nga babai për shkak se nuk miratonte lidhjen e tyre, përcjell albinfo.ch.

Sipas policisë greke, Angjeliqi ka plagë të rënda në kokë, të shkaktuara nga goditje me mjete të forta.

Babai i 28-vjeçares gjatë marrjes në pyetje nga policia ka pranuar krimin dhe ka treguar vendin ku e kishte varrosur.

Burimi: https://www.albinfo.ch

Cili është numri i bankierëve shqiptarë në bankat zvicerane?

në kategorine Diaspora

Zvicra ka bankat më të mëdha në botë, të cilat operojnë në vendet më të zhvilluara të rruzullit dhe menaxhojnë afërsisht një të tretën e pasurisë globale. Albinfo.ch sjell një përmbledhje të sistemit bankar zviceran duke trajtuar këtu edhe prezencën dhe rolin e bankierëve shqiptarë në bankat zvicerane

E Mërkurë, 2 Janar 2019 – 20:10
Bekim Dalipi

Paradeplatz: Selitë e bankave UBS dhe Credit Suisse (KEYSTONE) IMAGES/Andreas Meier)

“Ne nuk flasim për para”, kjo është përgjigja që do të merrni në rast se do t`i pyesni zviceranët për pasurinë e tyre. Ata mund të heshtin, por këtë nuk e bëjnë bankat e tyre, statistikat e të cilave tregojnë se zviceranët janë të pasur. Madje dukshëm më të pasur se në çdo vend tjetër të rruzullit tokësor, e duke lënë mbrapa me një dallim të madh edhe vende që njihen si shumë të zhvilluara e me një standard të lartë jetësor.

Një mbledhje e Shoqatës shqiptare të punonjësve bankarë dhe financiarë të Zvicrës 

Për të kuptuar pse zviceranët janë të „mbuluar” në pasuri e jetë luksoze, ne do të sjellim një pasqyrë të sistemit bankar të këtij vendi të njohur si hambari i parave të botës. Prezenca e bankierëve shqiptarë në „hambarin“ e parave të bankave zvicerane, ka filluar të ndjehet. Ata po zënë poste të rëndësishme në bankat zvicerane dhe disa syresh ne i kemi portretizuar për këtë numër special të revistës albinfo.ch.

Sipas informatave që ka siguruar albinfo.ch, vetëm në bankën Credit Suisse janë një numër i konsiderueshëm me tituj të lartë në hierarkinë bankare që mblidhen një herë në vit në një darkë festive të fundvitit. Vitin e kaluar kanë qenë rreth 100 bankierë shqiptarë të bankës Credit Suisse që janë takuar në një hotel afër aeroportit të Cyrihut. Albinfo.ch ka mësuar nga burime të afërta të bankierëve shqiptarë se takimi i bankierëve shqiptarë të bankës së dytë më të madhe zvicerane, Credit Suisse, do të mbahet prapë në muajin dhjetor.

Një statistikë të saktë të numrit të bankierëve shqiptarë në Zvicër është për shumë arsye vështirë ta kemi. Mirëpo ajo që thuhet nga vetë bankierët shqiptarë, numri i tyre është rritur dukshëm viteve të fundit dhe ata janë pjesë e bankave më të mëdha të vendit. Megjithatë, nëse mund tu referohemi bankierëve shqiptarë dhe shoqatës „Swiss Albanien Finance Asociation”, numri i punonjësve shqiptarëve në sektorin financiar duhet të jetë katërshifror.

Asnjë vend në botë nuk menaxhon më shumë para të huaja se sa Zvicra

Sipas një studimi të realizuar nga Boston Consulting, vitin e kaluar (2017) Zvicra ka menaxhuar hiç më pak se 2300 miliardë dollarë para me prejardhje nga vende të huaja. Për të pasur një ide se për çfarë shume bëhet fjalë, Boston Consulting sqaron se kemi të bëjmë me afërsisht një të tretën e të gjitha pasurive në nivel global. Pjesa më e madhe e parave të jashtme që i menaxhon Zvicra është me prejardhje nga Gjermania, Franca dhe Arabia Saudite, respektivisht nga shtetasit e këtyre vendeve. Në vendin e dytë dhe të tretë për menaxhimin e parave të jashtme, pas Zvicrës vijnë Hongkongu dhe Singapori. Por sasia që “kalon nëpër duart” e bankierëve të këtyre dy shteteve nuk është as gjysma e asaj që administrohet nga kolegët e tyre zviceranë. Zvicra ka 253 banka, dy bankat më të mëdha janë Credit Suisse dhe UBS. Ky vend alpin ka 24 banka kantonale, 62 banka regjionale, 7 banka private, Reifeisen dhe shumë institute financiare në vend dhe jashtë vendit drejtojnë 3100 filiale.

Shteti zviceran garanton sistemin banker

Pothuajse të gjitha bankat zvicerane ofrojnë garancion të plotë shtetëror. Vetëm Banka Kantonale e Bernës dhe Waadtländer nuk posedojnë garancion shtetëror. Kurse Banka Kantonale e Gjenevës posedon një garancion të kufizuar. Garancioni shtetëror është një veçanti e bankave kantonale të Zvicrës. Në rast të një falimentimi të një banke kantonale zvicerane, kantoni do të marrë përsipër dhe do të mbulojë tërë kapitalin e një klienti të bankës falimentuese. Sistemi bankar zviceran përbëhet nga Banka Nacionale, Bankat Shtetërore Kantonale, Bankat e Mëdha, Hipotekat regjionale si dhe Bankat private. Ato janë punëdhënëse të rëndësishme në dhe jashtë vendit. Cyrihu, Gjeneva, Baseli dhe Lugano njihen si qendra të rëndësishme botërore financuese të një tregu me kapital dhe asete investuese. Arsyet për këtë janë kushtet e mira legjislative të biznesit në Zvicër. Po ashtu edhe sekreti bankar dhe tatimi i ulët, por edhe neutraliteti i Zvicrës.

Bankat zvicerane i paguajnë shtetit tatim aq sa ka Kosova buxhet

Në vitin 2017, 229 nga totali i 253 bankave në Zvicër shënuan fitim. Ecuria e përgjithshme e biznesit në vitin 2017 arriti në 62.5 miliardë franga. Fitimet arritën në 10.3 miliardë franga. Në përgjithësi, fitimi vjetor total për të gjitha bankat u rrit me 1.9 miliardë franga (+ 24.0%) krahasuar me një vit më parë dhe tani është 9.8 miliardë franga. Bankat kanë paguar tatime që arrijnë 2.2 miliardë franga. 

Në fund të vitit 2017, bankat në Zvicër i administruan mjetet totale prej 7.291.8 miliardë franga, që është një rekord i ri i lartë që nga kriza financiare. Pjesa relative e aseteve të klientëve të huaj mbeti pothuajse e pandryshuar në 48.3 për qind. Zvicra vazhdon të jetë lider në tregun botëror në bankat private ndërkufitare: më shumë se një e katërta (pjesa e tregut 27.5%) e aseteve të botës nën menaxhimin ndërkufitar menaxhohet në Zvicër.

Pagat e bankierëve mbysin ëndrrën për drejtësi 

Rreth asaj se kush sa fiton në Zvicër është vështirë të nxirret një statistikë, sepse në Zvicër ekziston thënia: Për para nuk flasim. Një bankier fiton mesatarisht 10 mijë franga pagë mujore. Shefi i UBS-it fiton 2 milionë franga në muaj dhe mesatarisht 300 herë më shumë se një mësuese e arsimit fillor.

Me 100 mijë punëtorë, bankat janë punëdhënësit më të rëndësishëm të Zvicrës. Krahas dy bankave të mëdha UBS dhe Credit Suisse, që punësojnë më shumë se një të tretën e punëtorëve, janë edhe bankat kantonale me 17 mijë të punësuar në mesin e punëdhënësve të mëdhënj në grupin e bankave të Zvicrës. Bankat e huaja dhe banka Reiffeisen me 15% përkatësisht 9% luajnë po ashtu një rol të rëndësishëm si punëdhënës. Sistemi bankar i Zvicrës përbën mbi 10 qind të të ardhurave bruto të vendit.

Fillet e bankave dhe sekretit bankar të Zvicrës 

Wegelin & Co. ishte banka më e vjetër ekzistuese e Zvicrës deri në shpërbërjen e saj në vitin 2012. Kompania me qendër në St. Gallen ishte themeluar në vitin 1741. Ajo kishte rreth 700 punonjës në vitin 2011 dhe menaxhonte mbi 24 miliardë pasuri të zviceranëve. Teksti i parë i shkruar mbi fshehtësinë e bankave daton ne vitin 1713 nga bankierët e Gjenevës. Deri në vitin 1934 fshehtësia e bankave mbulohej me direktiva të ndryshme në kodin civil zviceran dhe atë të punës. 

Ligji Federal mbi bankat u miratua në vitin 1934, ku shkruhej se shkelja e sekretit bankar konsiderohej krim. Për shkak të presionit të madh ndërkombëtar, sidomos atij amerikan dhe gjerman, sekreti bankar zviceran nuk ekziston më jashtë vendit. Megjithatë në Zvicër sekreti bankar vazhdon të zbatohet. Zyrat e taksave nuk marrin asnjë informacion këtu, edhe nëse hapin procedura penale për evazion fiskal.

Keystone

Njerëzit më të pasur të botës jetojnë në Zvicër

Sipas një raporti të “World Wealth Report” që përcjell “Credit Suisse”, pasuria mesatare e një të rrituri zviceran llogaritet 577.707 franga. Më këto shifra zviceranët janë bindshëm të parët duke lënë pas australianët dhe amerikanët që posedojnë jo më shumë se 411 mijë dollarë. Mbi 60% e të rriturve zviceranë kanë pasuri me vlerë më shumë se 100,000 dollarë. Në terma të individëve të pasur, 11% e banorëve zviceranë janë milionerë, 2.650 kualifikohen si persona me vlerë të lartë neto (mbi 50 milionë dollarë) dhe 980 kanë një vlerë neto më të madhe se 100 milionë dollarë. Në Zvicër, sot ka 725.000 njerëz me pasuri prej një milion e më shumë. 

 

 

Burimi: https://www.albinfo.ch

Kush është Arbër Bullkaj, shqiptari i parë që tenton të hyjë në parlamentin zviceran

në kategorine Diaspora

E Mërkurë, 2 Janar 2019 – 17:00
albinfo.ch

Arbër Bullakaj

Arbër Bullakaj ka jetuar deri në moshën 8 vjeçare në vendlindjen e tij në Suharekë. Dy ditë pasi Arbri i kishte mbushur 8 vjet, së bashku me nënën, dy vëllezërit dhe motrën e tij kishin marrë rrugën e migrimit drejt Zvicrës. Në St.Gallen iu bashkuan babait të tij i cili punonte në Zvicër që nga vitet e 80-ta, shkruan Gazeta Jeta në Kosovë, përcjell Albibfo.ch.

Në vitin 1994, në Kosovë ende nuk kishte filluar lufta por Arbri tregon se familja e tij e dinin që nuk kishin zgjidhje tjetër pos migrimit pasi në Kosovë kishte filluar të vinte era luftë.

“Ne e dinim se në Kosovë do të fillonte lufta por nuk e dinim kohën e saktë, në atë kohë patën filluar edhe demonstratat, pra i kam përjetuar edhe demonstratat e para, e kam pa se çka do të thotë me jetu nën represion ushtarak dhe politik”, ka rrëfyer Bullakaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Natyra, ngrohtësia e familjes, shoqëria, janë imazhet e bukura që ai kujton nga fëmijëria e shkurtër që ka kaluar në qytetin e Suharekës.

“Unë e kam përjetuar jetën qysh është me u rritë në Kosovë, e kam parë se si është me u rritë afër natyrës, ka qenë një anë shumë pozitive, domethënë me pas një hapësirë, me pas një jetë bashkë me familjen”, ka thënë Bullakaj.

Ndërsa ana tjetër e medaljes, e cila ka lënë gjurmë në personalitetin e Arbër Bullakajt dhe ka qenë një ndër faktorët kryesor që ai sot është aktiv në politikën e Zvicrës, është liria e munguar në Kosovë.

“Mirëpo e kam parë edhe anën e keqe, në atë kohë kur nuk ishim të lirë, në atë kohë kur Kosova ishte nën ndikimin e Serbisë e kam parë se çka do të thotë mos me i pas disa të drejta demokratike. Edhe kjo normalisht që ka ndikuar shumë edhe në personalitetin tim edhe besoj se është njëra prej pikave më të rëndësishme pse unë sot merrem me politikë në Zvicër”, ka treguar Bullakaj.

“Si ka me qenë në Zvicër, a do të më pëlqej mua, a do të gjej shokë siç i kam lënë në vendlindje, a do ta mësoj gjuhën”, kanë qenë pyetjet që ai ka bluar në mendje si një nxënës i klasës së dytë, kur kishte marrë rrugën për në Zvicër.

Por të gjitha këto pyetje që Arbri ia kishte shtruar vetes kanë marrë përgjigje posa ai kishte arritur në St.Gallen. St.Gallen ishte shndërruar në strehë për shumë familje shqiptare që kishin ikur nga Kosova.

Edhe pse Arbri nuk dinte asnjë fjalë të gjuhës gjermane, sa për fillim ai e kishte mundësinë të fliste shqip me fëmijët e tjerë shqiptarë që ndanin të njëjtën histori e dhimbje me të.

“Kur erdha, ishte një vend ku kishte shumë shqiptarë, në fakt kjo ma lehtësoi pak sepse në fillim mund të kuptoheshim edhe në gjuhën shqipe me disa persona, se atëherë kishte shumë emigrantë shqiptarë ne nuk ishim të vetmit por kishte edhe shumë familje të tjera që kishin migruar nga Kosova”, është shprehur Bullakaj.

Pas 8 muajve që kishte ndjekur kurse të gjuhës dhe kishte qenë pjesë e një klase integruese, Arbri kishte filluar të ndiqte mësimin në një klasë së bashku me nxënësit zviceranë.

Partner i kompanive me 100 mijë punëtorë

Arbër Bullakaj kishte filluar praktikën si kontabilist në një kompani në Zvicër, në të cilën pas tri viteve kishte arritur të bëhej shef i financave. Pas disa viteve si i punësuar në kompani të tjera, Bullakaj ka vendosur ta hapë kompaninë e tij, “A&O Consulting”, që merret me implementimin e njërit prej programeve më të mëdha në botë për kontabilitet, SAP.

Po bëhen 8 vite që kur Bullakaj udhëheqë një kompani në Zvicër që numëron deri në 10 punëtorë.

“Aty e fillova dhe qe 8 vite jam konsultues i kompanive të mëdha, bankave të mëdha ose të disa kompanive me 3 ose 4 mijë punëtorë deri në 100 mijë punëtorë”, ka thënë shqiptaro – zvicerani Bullakaj për Gazetën JnK, përcjell Albinfo.ch. 

Kosova përsëri është kthyer në radarin e Bullakajt, pasi ai ka vendosur para 3 viteve për të hapur edhe një zyrë në Kosovë, ku janë të punësuar 30 persona.

“Mirëpo nuk e lash me aq, jam duke u marrë edhe me informatikën, jam partner i një kompanie për IT Consulting, e aty kemi edhe një zyre në Kosovë”, ka shpjeguar ai.

Burimi: https://www.albinfo.ch

Fëmija i parë në Zvicër është shqiptar

në kategorine Diaspora

Babai i foshnjës është Ejup Limani (37-vjeçar), i cili punon si piktor

E Mërkurë, 2 Janar 2019 – 12:19
albinfo.ch

Keystone

Kishin kaluar vetëm tre minuta nga Viti i Ri, kur ka lindur fëmija i parë në Kantonin e Gjenevës, që deri më tani raportohet se është i pari që ka lindur në Zvicër.

Fëmija i parë është shqiptar, derisa deri më tani nuk ka emër. Prindërit mund të vendosin deri më 4 janar për emrin e tij, shkruan “20Min”.

Babai i foshnjës është Ejup Limani (37-vjeçar), i cili punon si piktor, përcjell albinfo.ch.

Fëmija ishte dashur të lindte më 25 dhjetor. “Falë pushimeve kishim më shumë kohë për të rëndë dakord për një emër”. Por, ai ka një emër të preferuar. “Më pëlqen Aulon, por gruaja ime ende nuk është e sigurt”, thotë Ejupi, përcjell tutje albinfo.ch.

Si për koincidencë, ky raportohet se është fëmija i parë i lindur në Zvicër. Dario lindi më 00:30 në Luzern.

Në kantonin e Bernës, Elea Siegenthaler lindi 51 minuta pas mesnatës. Prindërit e Eleas janë nga Ochlenberg. Vajza është e gjatë 52 centimetra dhe peshon 3260 gramë në lindje.

Në Zvicrën Qendore, sipas Tagblatt, Bera, ishte vajza e parë e vitit të ri. Ajo lindi në 01:30. Të gjitha foshnjat e lindura për Vitin e Ri janë mirë, shkruan tutje albinfo.ch.

Artikulli 

Burimi: https://www.albinfo.ch

Tenton të hyjë me kallashnikov në diskotekë, ndalet nga shqiptarët

në kategorine Diaspora

E Mërkurë, 2 Janar 2019 – 9:30
albinfo.ch

Një person nga Vushtrria parandaloi një sulm në një diskotekë në Avalon të Francës.

Bëhet fjalë për Bujar Mulin, shqiptari i cili jeton në Zvicër, por punon në Francë.

Në një video të postuar nga vet ai në Facebook, shihet duke e ngrehur zvarrë të dyshuarin e armatosur derisa aty nuk vonon edhe policia e cila u paraqit në rast, njofton Klan Kosova.

I kontaktuar nga Klan Kosova, Bujari tregoi gjithë ngjarjen që ndodhi mbrëmë gjatë ndërrimit të motmoteve.

“Ka ardhur një person në diskotekën ku unë punoj me kolegët e mi. Personi fillimisht ishte brenda, pastaj ne e kemi nxjerrë jashtë. Ai ka shkuar pastaj rreth orës 04:30, erdhi me veturë nga e cila doli më pas me një kallashnikov. Në diskotekë kanë qenë rreth 200 njerëz. Unë me kolegët e mi kemi qenë brenda pastaj më thirrën dhe më treguan se dikush po tenton të hyjë brenda me kallash. Në atë moment ju kemi mbështetur Zotit dhe me kolegët të cilët po ashtu janë shqiptarë, kemi vendosur që të rrezikojmë jetën tonë për t’i mbrojtur klientët”, ka thënë Muli, përcjell albinfo.ch.

“Falë Zotit arrita ta kapë kundërshtarin dhe pastaj kemi vazhduar prapë duke menduar se është edhe një person tjetër. Ngjarja mund të kishte përfunduar me fatalitet sepse policia franceze menduar se unë jam personi që desha të bëj sulm dhe m’i drejtuan armët. Në atë moment kolegët e mi iu treguan se unë i kam mbrojtur klient. E kanë arrestuar personin i cili ishte francez”, tha Muli më pas.

“Personi në fjalë ka pasur plan që të hyjë duke mos ditur që po e shohim në kamera dhe kontrollojmë gjendjen. Ne e kemi obligim të kontrollojmë për armëmbajtje. Qëllimi i tij ishte që të hyjë së pari pa armë, të kalojë kontrollin për të dalë më pas për ta marrë armën dhe ta kryente sulmin. Falë Zotit arritëm ta ndalnim”, përfundoi Muli.

Burimi: https://www.albinfo.ch

Foshnja e parë në këtë qytet italian është shqiptar

në kategorine Diaspora

E Martë, 1 Janar 2019 – 22:59
albinfo.ch

Keystone

Foshnja e parë që ka lindur në Parma të Italisë është djalë dhe është nga një familje shqiptare.

Prindërit Mirela dhe Zamir Haxhiaj kanë vendosur që ta quajnë të voglin e tyre Noel, raportojnë mediat shqiptare.

Noeli është në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka lindur në orën 02:07 minuta të datës 1 Janar dhe peshon 3.550 gramë, përcjell albinfo.ch.

Mediat lokale bëjnë të ditur se pesë foshnjat e para të lindura në 2019 në këtë maternitet janë djem.

Burimi: https://www.albinfo.ch

Pas 15 viteve kosovari përballet me skulpturën e tij si refugjat

në kategorine Diaspora

E Martë, 1 Janar 2019 – 12:40
albinfo.ch

Iu deshën më shumë se 3 mijë kilometra që të udhëtojë për në Suedi, për të vizituar një vend të veçantë për të.

Gjithë këto kilometra, për Gëzim Dervishin nuk ishin asgjë pasiqë përfundimisht pas 15 vjetësh, ai ka arritur të vizitojë përsëri vendin ku pas luftës në Kosovë, ishte shpërngulur si refugjat në qytetin Vasteras, njofton Klan Kosova, përcjell albinfo.ch

Gjashtë vjet më parë, Gëzimi i cili është nga një fshat i komunës së Drenasit, u bë figurë e një skulpture e cila paraqet përjetimet e një fëmije gjatë luftës.

”Mendova që isha në ëndërr!”, thotë ai.

”Nuk e besoja dot që gjendesha para një skulpture, figurë e imja që deri dje ka qenë e pamundur ta vizitoja për shkak të mungesës së vizës”, shprehet Dervishi për klankosova.tv.

Statuja e Gëzim Dervishit ishte ngritur nga një skulptor suedez gjatë kohës kur për shkak të torturës nga forcat serbe në Kosovë, ai si fëmijë ishte vendosur në qytetin e Vasterasit bashkë me familjen e tij.

Pas 15 vitesh, kosovari qëndroi përballë vetes së tij, por kësaj here si një i rritur ndonëse para tij qëndronte skulptura me fytyrën e tij të  pikëlluar me dy duart në faqe.

”Pas 15 vjetësh arrita prapë ta vizitojë shtetin e Suedisë. Po e vizitoja statujën time e këtë e mundësuan ndihma e bashkatëdhetarëve”.

Historia me kosovarin nga Drenica, Gëzim Dervishin,  kishte nisur në vitin 2002 kur regjisori suedez, Knutte Wester ishte zhvendosur me studion e tij nga veriu i Suedisë në një nga kampet e refugjateve në pjesën qendrore të Suedisë.

Asokohe, Gëzim Dervishi tetëvjeçar e vizitonte çdo ditë studion e artistit suedez, derisa përjetimet e tij gjatë luftës në Kosovë ishin filmuar nga regjisori suedez, Knutte Wester.

Dokumentari i realizuar për Gëzimin, ”Gëzim Remind”, është dokumentar i suksesshëm dhe ka marrë shpërblime në disa festivale të filmit në Suedi.

Ai deklaroi për klankosova.tv se kishte kohë të gjatë që kishte ëndërruar këtë moment kur do ta vizitonte qytetin suedez përsëri ndërsa tregon edhe për momentet kur e pa përsëri statujën e tij, përcjell albinfo.ch

”Ishin ndjenja të përziera!”.

”Kujtoja ditët e fundit të qëndrimit në Suedi dhe mospranimi i dokumentacionit për të qëndruar në Suedi poashtu”.

 

Burimi: https://www.albinfo.ch

Ku do ta kalojnë personazhet publike Vitin e Ri?

në kategorine Diaspora

albinfo.ch ka marrë prononcimet e disa personazheve nga estrada e sporti, të cilët jetojnë në diasporë. Ata janë pyetur rreth asaj se ku do ta presin natën e Vitit të Ri dhe cilat janë planet e tyre për vitin 2019

 

E Hënë, 31 Dhjetor 2018 – 11:00
  albinfo.ch ka marrë prononcimet e disa personazheve nga estrada e sporti, të cilët jetojnë në diasporë. Ata janë pyetur rreth asaj se ku do ta presin natën e Vitit të Ri dhe cilat janë planet e tyre për vitin 2019  

(KEYSTONE/Urs Flueeler)

Edhe pak orë na ndajnë nga nata më e gjatë e vitit, nga ndërrimi i motmoteve. Nata e Vitit të Ri na kujton të gjitha momentet më të mira dhe më të trishta të vitit që po e lëm pas. Gjatë 2018-ës kanë ndodhur ngjarje nga më të ndryshmet në jetën e gjithsecilit prej nesh. Kemi përjetuar emocione të forta, gëzime, sfida, trishtime, momente suksesesh, në punë dhe familje. Me shpresën se viti 2019 do të jetë edhe më i suksesshëm dhe me gëzime në familjet tona, albinfo.ch ka marrë prononcime nga disa personazhe të njohura publike të cilët jetojnë në diasporë. Me ta biseduam rreth asaj se ku do ta presin natën e Vitit të Ri dhe cilat janë planet e tyre për vitin 2019, shkruan albinfo.ch.

 

Nora Muja, modele: Vitin e ri, me familje

Bukuroshja Nora Muja është ndër ato imazhe që ke dëshirë t`i shohësh. Edhe ky vit në ikje ishte i suksesshëm për të. “2018 ishte një vit i mirë. Do e mbaj në mend për eventin e “Top Model of the World” në shtetet arabe. Gjithashtu isha pjesë e jurisë së “Miss Globe”. Ish missi tregon se vitin e ri 2019 do ta festojë në Gjermani, në shtëpi me familjen. “Do të dal edhe me shoqërinë në ndonjë organizim spontan”, thotë Nora, duke shtuar se në vitin 2019 pritet të jetë edhe më e angazhuar dhe gjithashtu t’i përkushtohet fakultetit. “Kam edhe disa oferta në Gjermani që mendoj t’i realizoj. Gjithsesi, kam edhe plane tjera, që do t`i zbulojë koha”.

Florian Marku

Florian Marku, boksier, njeriu i triumfeve

Florian Marku është njeriu i triumfeve, boksieri që na bëri krenarë gjatë këtij viti. 2018-shi ka qenë i shkëlqyer për të. “Në vitin 2018 kam pasur vetëm fitore, katër fitore në MMA dhe kjo më ka bërë të lumtur”, thotë Marku. AI ka dalë katër herë kampion bote ne kick box. Marku shprehet për suksesin e tij më të madh: “Suksesi më i madh ka qenë kur kam fituar kundër grekut Bitakos në ndeshjen e mbajtur në Athinë e ku ishin të pranishëm tetë mijë vetë”. Florian Marku tregon se vitin e ri do ta kalojë në Londër, ku edhe po zhvillon përgatitjet për ndeshjen e radhës në boksin profesionist.

Sony T

Sony T”, reper: Për Vit të Ri do të jem në Tetovë

Reperi “Soni T” numëron disa këngë të tij, të cilat kanë ngjallur edhe shumë diskutime. Ai, zakonisht u këndon shqiptarëve të Maqedonisë, prej nga edhe vjen. Sony, jeton në Zvicër, por tregon se është shumë i lidhur me vendin e origjinës. “Unë e dua shumë vendlindjen time dhe sa herë që gjej pak kohë të lirë, menjëherë kthehem në Tetovë, atje ku më pushon zemra”, thotë reperi. Sony, tregon se këtë vit do ta mbajë mend për zhvillimet në jetën private. “Këtë vit do ta mbaj në mend për fejesën. Jam shumë i lumtur në krah të njeriut të zemrës”. Reperi sapo ka lansuar edhe projektin me titull “Shqiptar Maqedonie”. Thotë se për vit të ri do të jetë pranë personave më të dashur në Tetovë.

Berat Haskaj

Berat Haskaj, valltar: 2018-a ishte një vit i suksesshëm

Berat Haskaj është bërë shumë i njohur si valltar, madje nuk ka vetëm famë lokale. Jeton në Zvicër, ku edhe numëron me dhjetëra suksese. Valltari tregon se këtë vit ka qenë pjesëmarrës në shumë festivale. “Po, këtë vit kam qenë në shumë festivale në Evropë, festivale me karakter garues, por edhe në shumë evente në Zvicër, andaj e konsideroj vit të suksesshëm. Kemi qenë prezent edhe në klipet e këngëtarëve bashkë me grupin “Future Steps”, thotë valltari profesionist, i cili vitin e ri do ta kalojë në gjirin familjar.

Elsa Fazlija

Elsa Fazlija: Vitin e Ri, me familje, në Zvicër

Elsa Fazlija është emër i njohur, ndër ato këngëtare që kanë bërë emër vetëm falë talentit dhe cilësive të mira në muzikë. Ka një listë këngësh të bukura, të punuara me shumë dashuri. Është identifikuar si këngëtare serioze, por njëkohësisht moderne, që ecën me hapin e kohës. Elsa gjatë vitit 2018 ka prezantuar këngë të bukura, e ndërkohë po e synon edhe tregun ndërkombëtar. Shumë shpejt ajo dp të lansojë një projekt në gjuhën angleze. Këngëtarja së fundi solli edhe një bashkëpunim me Matt Houston, këngën me titull “Dis moi mi amor”. “Kjo këngë u pëlqye mjaft dhe mua më prezantoi ndryshe. Edhe më tutje do të vijoj me këtë ritëm, e së shpejti do ta sjell një këngë në gjuhën angleze”. Elsa, tregon se ku do të jetë për vit të ri. “Për festën e vitit të ri do të jem në Zvicër me familjen. Shfrytëzoj rastin t’u uroj të gjithë shqiptarëve kudo në botë festat e fundvitit”, thotë këngëtarja.

 

 

Burimi: https://www.albinfo.ch

Përvoja globale e një eksperti shqiptar të tregjeve

në kategorine Diaspora

Kristian Kabashi është shqiptari i parë në Zvicër që është zgjedhur në mesin e “Leading marketers” në librin “Jahrbuch des Marketing” që del çdo vit dhe është në treg prej më shumë se 30 vitesh

E Diel, 30 Dhjetor 2018 – 16:30
albinfo.ch

Kristian Kabashi

I lindur dhe i shkolluar në Gjermani, pastaj i shpërngulur në Zvicër. Pasi ka bërë hapin e tij të madh të karrierës në Amerikë, Kristian Kabashi, ekspert për hulumtimin e tregjeve, është kthyer sërish në Zvicër. Ai është shqiptari i parë në këtë vend që është zgjedhur në mesin e “Leading marketers” në librin “Jahrbuch des Marketing” që del çdo vit dhe është në treg prej më shumë se 30 vitesh.

“Është një udhëtim i gjatë që e kam kaluar gjatë rreth 11 viteve të fundit dhe ky udhëtim në fund më ka sjellë në Cyrih, në Zvicër. Përgjatë këtyre viteve kam  jetuar dhe punuar më shumë se një vit në Tiranë. Atje kam mësuar ta flas mirë shqipen, kështu që tash i zotëroj madje të dy dialektet, të Kosovës dhe atë të Shqipërisë”, evokon Kristiani rrugën e tij të deritashme jetësore, në bisedë për albinfo.ch.

“Vitet e fundit në Nju Jork ishin të karakterizuara nga puna intensive. Nju Jorku për mua është dhe mbetet qyteti më interesant i botës, por familja ime jeton në Zvicër. Pak kohë më parë edhe prindërit e mi u shpërngulën nga Gjermania në Zvicër, për të jetuar në afërsi me fëmijët”. Kështu e shpjegon ai vendimin për t`u kthyer në Evropë gjegjësisht në Zvicër.

Ndërsa për përvojat nga vendet ku ka jetuar dhe punuar ai thotë se “ndoshta kohën më të bukur e kam kaluar në Tiranë. Atje për herë të parë kam mësuar me të vërtetë se çfarë do të thotë të kesh një rreth miqësor dhe që në mbrëmje të takosh njerëz interesantë. Këto miqësi vazhdojnë të ekzistojnë”.

Zvicra, problemet me mbiemrin shqiptar dhe me gjermanishten letrare

Por cila është “pjesa gjermane” dhe cila ajo zvicerane te Kristiani? “Jam rritur në Gjermani, ku kam kaluar fëmijërinë dhe kam mbaruar shkollën dhe studimet. Për mua nuk ka qenë kurrë problem që të prezantohem si shqiptar, për ndryshim nga ajo se si e shoh që është në Zvicër. Por më duhet të pranoj se kultura gjermane është bërë një pjesë e konsiderueshme e kulturës time. Në Zvicër kam jetuar edhe më parë, para disa viteve. Ende e kujtoj se si pothuaj isha armiqësuar për gjermanishten time letrare dhe për mbiemrin shqiptar. Kjo kohë, kryesisht i takon të kaluarës dhe unë ndjehem vërtet mirë në Zvicër”. Ai thotë të ketë marrë më të mirat nga vendet ku ka jetuar. Dhe ato, sipas duken kështu: “Nga Gjermania kam marrë dashurinë për detajet, nga Shqipëria kam mësuar se çfarë do të thotë miqësia, profesionalizmin dhe zellin e kam mësuar në Nju Jork ndërsa fokusimin dhe caktimin e prioriteteve, në Zvicër”.

Kabashi punon si pjesë e stafit menaxhues të institutit “LINK”, gjegjësisht në “Link.one”. “Ajo është vetëm një njësi e institutiit me renome LINK. LINK është prej më shumë se 3 dekadash instituti lider zviceran në sferën e hulumtimit të tregjeve”, sqaron Kristiani. “Para afër një viti mu ofrua mundësia që të bëhem pjesë e stafit menaxhues dhe ta zgjeroj fushën digjitale si dhe ta ngre atë më tutje, në New Business. Me këtë rast pata mundësi të shfrytëzoj përvojën time të viteve të fundit, për të transformuar njërën nga fushat më interesante e cila bën bashkë ekonominë dhe hulumtimin / hulumtimi i tregut. Ne, tashmë prej një viti, me ndihmën e bashkëpunëtorëve tanë, jemi duke punuar për të përmbushur këtë detyrë”.

Përvojat nga “qyteti që nuk fle”

Të gjithë ata që kanë jetuar në SHBA flasin me admirim për Amerikën, veçanërisht për Nju Jorkun. Kështu edhe Kristiani. “Amerikën dhe para së gjithash Nju Jorkun, e njoh që nga mosha e fëmijërisë pasi që një pjesë e madhe e familjes time të gjerë jetonin në SHBA. Atje secili banor është, ose thënë më mirë, ishte, amerikan”. Sa i përket Nju Jorkut, thotë Kabashi, “ai është vërtet një qytet `që nuk fle` kurrë por edhe orët e punës e pasqyrojnë këtë fakt. Megjithatë, edhe vetë puna e shumtë, marrë në thelb, ishte një pjesë e bukur e jetës atje. Para pothuaj 4 vitesh unë kisha në Nju Jork postin e “Head of Operations” për agjencinë B2B e marketingut gyro, e cila 6 viteve të fundit është zgjedhur si agjencia B2B më e mirë në botë. Detyra ime ishte t`i definoja proceset dhe, sipas rastit, t`i përmirësoja ato. Fokusi im ishte gjithë kohën në fushën digjitale dhe unë isha përgjegjës për zyrat tona në Amerikën Veriore. “Gyro” ka në gjithë botën 14 zyra. Pas afër dy vitesh, gyro u ble nga rrjeti lider botëror i agjenturave, “DentsuAegis”. “Dentsu” ka selinë në Tokio dhe punëson mbi 44.000 veta në gjithë botën. Posti im i ri në kuadër të kompanisë tashti ishte “Head of Operations and innovation” dhe unë isha përgjegjës për integrimin global të gyro brendapërbrenda rrjetit të “DentsuAegis”.

“4 vite Nju Jork janë sikur 15 vite Evropë”

Unë mund të them abosutisht se ajo që kam mësuar atje gjatë këtyre viteve intensive, do të më ndihmojë për pjesën e mbetur të jetës, dhe jo vetëm në punë por edhe nga ana personale”, përfundon bashkëbiseduesi ynë rrëfimin për periudhën amerikane të karrierës së tij. Por ajo që e bëri të braktiste Amerikën duket të ketë qenë largësia nga familja. “4 vite Nju Jork janë sikur 15 vite Evropë. Sado bukur të kesh kaluar në Nju Jork, do ta paguash çmimin. Koha atje shpesh ikën fluturimthi, tërë kohën je duke bërë diçka, kurrë nuk ke qetësi të vërtetë. Ishte koha që të kthehesha sërish në jetë dhe të isha me familjen time. Zvicra është dhe mbetet për mua në radhë të parë vendi i vetëm ku mund të jetosh me të vërtetë me një cilësi të lartë jetese, me mundësi gjithnjë më të mëdha për t`u zhvilluar. Kjo nuk do të thotë se unë do të jetoj përgjithmonë në Zvicër, por gjatë viteve të ardhshme, me siguri. Veç kësaj, posti i ri këtu ishte thjesht tepër joshës për ta refuzuar. Siç e thashë, jeta në Zvicër është me të vërtetë jetë. Duke filluar nga trenat që nuk vonohen pothuajse kurrë, pastaj cilësia e ushqimit, mundësia që brenda më pak se dy orëve të udhëtosh në çdo vend në Evropë dhe që të kesh para derës natyrën ndër më të bukurat. Sigurisht që ka edhe shembuj negativë, para së gjithash sa i përket gjendjes së njerëzve me prejardhje të huaj. Por kur e mendoj si ka qenë dhjetë vite më parë, unë nuk e shikoj më këtë aspak si tragjike”.

Autor i një brendi, shou televiziv, magazina online…

Kristian Kabashi është tashmë autor i një brendi. “The Blank Collar” është një teori të cilën unë e kam zhvilluar para më pak se dy vitesh. Ajo në thelb është zhvillim i mëtejmë i “Blue Collar”, që përmes “White Collar” çon në “Blank Collar”. Për mua  “Blank Collar” është punëtori i së ardhmes ose thënë më mirë, i një të ardhme shumë të afërt. “Blank Collar” është  punëtori që është krijuar nga transformimi digjital dhe në mesin e të tillëve e konsideroj edhe veten.

Ne të gjithë e dimë nga prindërit tanë. Ata kanë punuar deri nga 20-30 vjet në të njejtin vend pune dhe kanë bërë punën e njëjtë. Po kjo deri para 10 viteve vlente edhe për punëtorët “White Collar”. Në vitet që vijnë, do të vdesin profesionet që nuk janë fleksibël. Kush nuk mëson në vazhdimësi, do të nxirret nga procesi. “The Blank Collar” është më shumë se teori. Ajo është po ashtu edhe një filozofi e cila tregon se si puna dhe jeta private shkrihen mes vete.

Pasi që për këtë u kam folur edhe të tjerëve dhe pasi kam shkruar disa artikuj rreth kësaj, nga kjo u krijua një si të thuash lëvizje imja. Pas interesit të rritur rreth “The Blank Collar” unë fillova ta krijoja një brend nga kjo, të cilit i takon edhe një shou televiziv, një magazinë online dhe takimet mujore me pjesëmarrës nga më të ndryshmit. Emisioni emetohet online dhe mund të shikohet edhe në televizionin zviceran. Mund të shihen edhe video rreth kësaj në youtube ose edhe në magazinën online www.theblankcollar.com, ku publikohen edhe artikuj të ndryshëm për çdo javë. Gjermania, SHBA, Zvicra dhe Shqipëria. Të gjitha këto shtete kanë shënuar karrierën e deritashme të tij. Po Kosova a bën pjesë në orbitën e Kristianit? “Unë vetë jam i lindur dhe jam rritur në afërsi të Dyseldorfit, në Gjermani. Prindërit e mi vijnë nga Jahoci (Gjakovë, babai) dhe nga Potërçi (Pejë, nëna). Deri sa kam mbushur 16 vjet unë s`kam pasur të bëj pothuaj asgjë me Kosovën, pasi që familjarët e mi i kam vizituar çdo verë në Nju Jork. Por duke u rritur në moshë, gjithnjë më tepër më tërhiqte Kosova/Shqipëria. Për këtë arsye kam qëndruar një vit e gjysmë në Tiranë. Me Kosovën më lidh viteve të fundit familja por gjithnjë më tepër edhe biznesi. Kështu, mua më takon për shembull platforma tilllate.al e cila ka treguar sukses në Shqipëri dhe në Kosovë dhe të cilën unë me disa bashkëpunëtorë e udhëheq atje prej afër gjashtë vitesh. Aty bëjnë pjesë aplikacionet dhe një website. Synimi im është që në vitet e ardhshme të kem më shumë pika kontakti me Kosovën dhe me Shqipërinë kështu që mund ta paramendoj fare mirë që pas disa vitesh të jetoj atje.

“Kohën më të bukur e kam kaluar në Tiranë”

Është ndoshta interesante të thuhet se kohën më të bukur unë në fakt e kam kaluar në Tiranë. Atje për herë të parë kam mësuar me të vërtetë se çfarë do të thotë të kesh një rreth miqësor dhe që në mbrëmje të takosh njerëz interesantë. Këto miqësi vazhdojnë të ekzistojnë

“Mund ta imagjinoj jetën në Kosovë”

Me Kosovën më lidh viteve të fundit familja por gjithnjë më tepër edhe biznesi. Kështu, mua më takon për shembull platforma tilllate.al e cila ka treguar sukses në Shqipëri dhe në Kosovë dhe të cilën unë me disa bashkëpunëtorë e udhëheq atje prej afër gjashtë vitesh. Aty bëjnë pjesë aplikacionet dhe një website. Synimi im është që në vitet e ardhshme të kem më shumë pika kontakti me Kosovën dhe me Shqipërinë kështu që mund ta paramendoj fare mirë që pas disa vitesh të jetoj atje.

Burimi: https://www.albinfo.ch

Numri më i ri i albinfo.ch, në shenjë të “Vitit të shqiponjës”

në kategorine Diaspora

E Shtunë, 29 Dhjetor 2018 – 19:57
albinfo.ch

Ka dalë nga shtypi numri i gjashtë, i fundit për këtë vit, i revistës albinfo.ch. Duke qenë se mbërrin në duart e lexuesve në prag të ndërrimit të motmoteve, ky numër i kushtohet festës më popullore ndër shqiptarët dhe të tjerët, asaj të Vitit të Ri.

Siç ndodhë rëndom në numrat e fundvitit të revistave, një pjesë e mirë e tyre i kushtohet rikapitulimit të zhvillimeve që kanë karakterizuar vitin në ikje. Albinfo.ch në numrin e saj më të ri, retrospektivën në fjalë e bën duke iu referuar diasporës shqiptare dhe në veçanti asaj në Zvicër, ku dhe e ka domicilin. Dhe, kur jemi te shqiptarët e Zvicrës, “bërja e shqiponjës” nga yjet e futbollit: Xhaka e Shaqiri dhe shumëçka që derivoi nga kjo, ka qenë segmenti më dallues  për vitin 2018, jo vetëm sa i përket diasporës shqiptare. Për këtë arsye në ballinën e revistës është evndosur titulli “2018, Viti i Shqiponjës”.

Po ashtu, në fokus të shkrimeve të këtij numri janë vënë arritjet e pjesëtarëve të diasporës shqiptare të Zvicrës në harkun kohor prej një viti. Bëhet fjalë për arritje të politikanëve, artistëve e sportistëve me rrënjë shqiptare në skenën e politikës, sportit dhe shoqërisë zvicerane në përgjithësi.

Po ashtu në revistë prezantohen sportistë, modele, blogere, pjesëtarë të estradës shqiptare të Zvicrës etj., të cilët flasin për zhvillimet më të rëndësishme në karrierat e tyre gjatë vitit 2018.

Një numër si ky i revistës, i realizuar në vlugun e atmosferës parafestive, nuk ka si të mos “veshë” petkun festiv. Kjo shihet që në ballinë, ku prezantohen Heidi Lushtaku & Robin Krasniqi, çift i njohur për opinionin shqiptar e më gjerë. Sigurisht aty ku është Heidi Lushtaku është edhe glamuri, shkëlqimi dhe kjo shpërfaqet doemos në setin e ri të fotografive të çiftit, të cilat për herë të parë i publikon albinfo.ch.

Fryma festive e përshkon të gjithë numrin e revistës, e cila, si zakonisht, shpërndahet falas në të gjitha vendet e frekuentuara nga shqiptarët në Zvicër.

Burimi: https://www.albinfo.ch

Çifti kosovar vjen nga Zvicra dhe bën gjestin e rrallë në Shqipëri

në kategorine Diaspora

E Shtunë, 29 Dhjetor 2018 – 13:00
albinfo.ch

45 Pavarësisht të gjithave dramave që ka kaluar dhe kalon populli shqiptar, historia ka vërtetuar jo në pak raste se zemërgjerësia e shqiptarëve është e madhe.

Në puntatën e fundit të emisionin “Shqiptarët për shqiptarët”, titulli i këtij emisioni me mision humanitar është mishëruar më së miri nga veprimi i një shqiptari që jeton në Zvicër.

Betim Sulejmajni bashkë me gruan e tij shkuan në zyrën e noterizimit bashkë me Elvis Naçin për të dhuruar shtëpinë e tyre në Shqipëri për njerëzit në nevojë, shkruan gazetaexpress, përcjell albinfo.ch

Betimi me origjinë nga Gjilani i Kosovës, shprehet se historitë e publikuara në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” e ka frymëzuar që të ndërmarrë një veprim të tillë

Betimi: E kemi obligim me lumturu shqiptarët me aq sa mundemi. Kur gëzohen shqiptarët gëzohemi edhe ne.Kur ngrohet një familje në atë hyrje që po e dhurojmë, na ngrohet shpirti edhe ne.”

Bashkëshortja e Betimit: Nganjëherë kur lutem, them “O Zot na hiq ne që kemi shumë dhe jepu pak atyre që s’kanë hiç”, dhe ashtu mundohemi ta edukojmë edhe fëmijën tonë në atë mënyrë që të jemi të barabartë. Se dikush ma shumë, dikush hiç nuk bën…nuk e di unë për vete nuk ndihem rehat.”

Për vetë noterin ky akt dhurimi është ngjarje e jashtëzakonshme pasi nuk i ka rënë rasti që të kryejë procedura të tilla më parë.

Noteri, Saimir Shatku: Ju falënderoj juve në radhë të parë që keni ardhur këtu për të bërë një gjest kaq human, kaq njerëzor. Për hir të vërtetës rrallë vijnë njerëz për qëllime të tilla. Mesazhi që jepni është hyjnor, por edhe shpirtëror. U gjendeni pranë njerëzve në nevojë.

Burimi: https://www.albinfo.ch

Shko lartë