Çadikovski për MIA-n: Gazetari ka të drejtë të vlerësojë vetë nëse raporton nga një ngjarje ku protokollet nuk respektohen

Shkup, 26 qershor 2020 (MEDIAL) – Gazetari ka të drejtë të vlerësojë vetë në raste nëse duhet të raportojë nga një ngjarje për të cilën ai konsideron se është me rrezik të lartë,respektivisht nëse partia me vetëdije ose pa vetëdije vë në rrezik shëndetin e gazetarit. Kjo nuk është çështje bojkoti, kjo konsiston atë  nëse një parti politike nënvlerëson inteligjencën tuaj gazetareske.

Këtë rekomandoi në një intervistë për MEDIAL-n Kryetari  i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Mladen Çadikovski, i cili theksoi se që në fillim të fushatës është e qartë se protokollet do të respektohen në mënyrë selektive dhe se në tubimet e partive nuk mund të shmangen kontaktet më serioze fizike.

Ai u bëri thirrje gazetarëve në raste të tilla të raportojnë si në rastet e raportimit nga vatrat e luftës, në mënyrë objektive, pa pasion dhe ajo që është më e rëndësishmja, të mbrojnë së pari shëndetin dhe jetën e tyre. Sigurisht, ngjarjet duhet të raportohen dhe në aspekt të tubimeve të organizuara, do të vlerësohet nëse, sa dhe cila parti nuk i respekton masat.

Ai shtoi se në raste të tilla ekstreme, ku nuk do të kishte respektim të masave, në fakt ky do të ishte lajmi kryesor i ngjarjes dhe jo sa kilometra premtime false do të jepte një parti.

Vijon intervista e plotë me Mlladen Çadikovski:

Partitë nuk devijojnë nga aktivitetet në terren, megjithëse ne jemi në një epidemi. Të gjithë pjesëmarrësit e zgjedhjeve premtojnë se gjatë fushatës – do të respektojnë protokollet, numër të kufizuar mbështetësish në mjedise të hapur dhe të mbyllur, mbajtjen e maskave, ruajtjen e distancës… Fushata sapo ka filluar dhe nëse ajo nuk respektohet, cili do të ishte mesazhi juaj  si SHGM për punonjësit e mediave dhe për partitë politike?

Tashmë është e qartë se protokollet do të respektohen në mënyrë selektive dhe se në tubimet partiake nuk mund të shmangen kontaktet më serioze fizike. Prandaj, ajo që u bëjmë thirrje gazetarëve në raste të tilla është se duhet të raportojnë si në rastet e raportimit nga vatrat e luftës, në mënyrë objektive, pa pasion dhe ajo që është më e rëndësishmja, të mbrojnë së pari shëndetin dhe jetën e tyre. Sigurisht, ngjarjet duhet të raportohen dhe në aspekt të tubimeve të organizuara, do të vlerësohet nëse, sa dhe cila parti nuk i respekton masat.

Për politikanët tashmë edhe publikisht kërkuam, i kërkojmë të gjithë pjesëmarrësve në procesin zgjedhor, të cilët do të organizojnë konferenca për shtyp,deklarata për mediat dhe manifestime të tjera që të informojnë gazetarët, që të respektojnë protokollet shëndetësore në kryerjen e këtyre aktiviteteve. Kjo nënkupton që organizatori do të duhet të organizojë eventet për gazetarët, veçanërisht në në ambiente të hapura, nëse kushtet e motit e lejojnë këtë, ose të sigurojë një dhomë në të cilën do të garantohet distanca e dukur midis të gjithë pjesëmarrësve.

Në të njëjtën kohë, për të mbrojtur gjithashtu gazetarët dhe punonjësit e mediave, organizatorët e këtyre ngjarjeve duhet të sigurojnë pajisje mbrojtëse (maska, doreza dhe dezinfektues) për të gjithë të pranishmit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kushtet kur kriza shëndetësore e shkaktuar nga KOVID-19 në vendin tonë është përkeqësuar dhe në javët e fundit ka një numër në rritje të qytetarëve të infektuar dhe numrit të pacientëve që kanë humbur betejën me këtë sëmundje.

Gazetarët, kameramanët, fotoreporterët janë në ballë të luftës kundër Kovid-19, rreziku për ta nuk është zvogëluar, ata janë në terren, si do të veprohet nëse tani në kushte të kombinuara të koronës dhe fushatës zgjedhore, në disa nga aktivitetet partiake mblidhen 100 dhe më shumë njerëz … si të reagojnë punonjësit e mediave?

Gazetari ka të drejtën që të vlerësojë vetë nëse do të duhet q të raportojë ose jo nga një ngjarje për të cilën ai konsideron se është me rrezik të lartë, respektivisht  nëse partia  me vetëdije ose pa vetëdije vë në rrezik shëndetin e gazetarit. Kjo nuk është çështje bojkoti, kjo konsiston atë  nëse një parti politike nënvlerëson inteligjencën tuaj gazetareske. Tubimet nuk janë protesta apo mitingje të një natyre të tillë që e provokojnë seriozisht nervin gazetaresk. Prandaj, nëse ka një devijim serioz nga masat, përkujtojmë se gazetari ka të drejtë të vendosë se çfarë trajtimi do t’i japë asaj ngjarje, natyrisht, duke ndjekur Kodin e Etikës. Në raste të tilla ekstreme, për mua, ky do të ishte lajmi kryesor i ngjarjes dhe jo se sa kilometra premtime false do të jepte një parti.

Disa ditë më parë, ju promovuat Manualin për Raportim Etik nga zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, i cili i rikujton mediat se ato duhet të balancojnë fushatën e të gjitha partive politike në mënyrë të balancuar dhe korrekte, duke ndihmuar kështu  qytetarët se si të votojnë. A mund ta shpjegoni manualin më në detaje?

Ideja e manualit është të rikujtojë gazetarët dhe punonjësit e mediave se cilat janë rregullat etike për raportimin profesional të veprimtarive zgjedhore si parakusht për një audiencë të informuar mirë që para votimit duhet të ketë informacion të besueshëm në lidhje me ofertën nga pjesëmarrësit në garën zgjedhore. Nga ana tjetër, manuali përfshin aspektet juridike, kombëtare dhe ndërkombëtare, të lirisë së shprehjes në kontekstin e zgjedhjeve që janë të rëndësishme për t’u njohur, veçanërisht duke pasur parasysh që mosrespektimi i tyre parashikon dënime serioze për mediat.Veçanërisht një pjesë e rëndësishme do të thosha janë rekomandimet për ndryshimet në Ligjin Zgjedhor, të cilat në të vërtetë, nga SHGM-ja janë dorëzuar në vitin 2019 në Ministrinë e Drejtësisë, përpara se të miratohen ndryshimet në ligj dhe ato kanë për qëllim realizimin e fushatës zgjedhore në media. Kjo është një pjesë problematike e ligjit që mund të ndikojë në punën editoriale në media dhe për këtë arsye disa ditë më parë kishte ndërhyrje në këtë pjesë të ligjit me një dekret të veçantë nga Qeveria që u miratua tekstualisht në ditën e fillimit të fushatës. Kjo i vë në rrezik mediat të ndëshkohen për faktin se jo të gjithë do të kenë mundësinë dhe kohën të mësojnë për detyrimet e reja që dalin nga ky dekret.

Çfarë lloj fushate prisni, mendoni se kriza e koronës i ka ndërgjegjësuar politikanët apo?

Kriza e koronës ka treguar vetëm një gjë, që përparësitë në politikën maqedonase duhet të ridrejtohen dhe shumë më tepër duhet të investohet në kujdesin shëndetësor. Ne nuk duhet të jemi në pasiguri në asnjë moment, se në cilën pikë sistemi shëndetësor do të jetë në kolaps dhe si do të ndikojë ai te qytetarët. Kjo është arsyeja pse e gjithë frika nga kriza e koronës në vendin tonë qëndron  në numrin e personave të shtruar në spital – nëse tejkalohen kapacitetet e sistemit të kujdesit shëndetësor, jemi në një situatë të vështirë, ku karantinat janë bërë pjesë e përditshmërisë. Ne do të ndjekim fushatën, por thjesht dyshoj se kriza e koronës do të ndryshojë politikanët përgjithësisht për mirë. Për këtë duhet evolucion, jo një epidemi.

Së bashku me Këshillin për Etikën e Mediave në Maqedoni (SHEMM) dhe  Sindikatën e Pavarur të  Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë (SPGPM) i parashtruat pyetje politikanëve se çfarë është gazetaria për ta dhe i paralajmëruat për nëntë pyetje, një në nëntë ditët e ardhshme.  A mundet sqarim mbi këtë iniciativë?

Së bashku me organizatat tona partnere këto ditë ne po organizojmë një fushatë të vogël ku përmes një duzine pyetjesh drejtuar partive politike që janë pjesë e garës zgjedhore ne duam të shohim se çfarë mendojnë dhe çfarë premtojnë për çështje që janë të rëndësishme për gazetarët dhe mediat. Ne do të publikojmë një pyetje çdo ditë dhe temat lidhen me atë se çfarë do të bëjë qeveria e re që të krijojë një mjedis pune më të sigurt për gazetarët, a do të zgjidhet shkelja e ligjit për dhunën dhe kërcënimet ndaj gazetarëve, si mund të kontribuohet për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve për gazetarët , cilat janë garancitë për sigurimin e pavarësisë së RTM-së dhe rregullatorit dhe të tjera.

Reformat në media, si zakonisht, kanë mbetur jashtë programeve të ofruara për këto zgjedhje nga partitë, kështu që duke u motivuara nga kjo, ne dëshirojmë të dëgjojmë se çfarë do të thonë ata për problemet që kanë qenë prezente në këtë sektor për një kohë të gjatë dhe nëse do të ofrojnë një zgjidhje të dobishme, e cila nëse nuk realizohet do t’i rikujtohet se nuk e kanë realizuar.

Ana Cvetkovska