Bytyqi: Me harmonizimin e legjislacionit avancojmë të drejtat konsumatore të qytetarëve

Shkup, 1 mars – Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, sot në Bruksel ka marrë pjesë në takimin bilateral nga Klasteri 2, “Tregu i brendshëm”, më konkretisht në takimin për Kapitullin 28 “Mbrojtja e Konsumatorëve dhe Shëndeti Publik”.
Para përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Bytyqi theksoi se kujdesi shëndetësor dhe mbrojtja e konsumatorëve përfaqësojnë një fushë shumështresore me rëndësi të madhe për jetën e përditshme të qytetarëve dhe se tregu botëror do të ishte jofunksional nëse konsumatorët nuk mbrohen në mënyrë adekuate nga institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Kur jam para kompjuterit ose kur marr telefonin për të porositur diçka nga dyqanet onljan, mbaj gjithmonë parasysh se ekzistojnë organe rregullatore për të gjithë shitësit e regjistruar onlajn dhe se të drejtat e mia të konsumatorit janë, dhe do të mbrohen nëse ndodh ndonjë problem apo mashtrim gjatë porosisë sime”, theksoi Bytyqi.
Zëvendëskryeministri tregoi se i gjithë legjislacioni vendas do të harmonizohet me ligjet e BE-së në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve, me theks të veçantë në rritjen e kapaciteteve të strukturave operative që menaxhojnë dhe kryejnë inspektime.
“Ne do të investojmë shumë më tepër përpjekje në kontrollin e detajuar të duhanit, do të zbatojmë në mënyrë efektive të gjitha ligjet përkatëse të BE-së dhe në fund do të miratojmë dhe ratifikojmë protokollin për eliminimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit. Do të ofrojmë mbështetje të mjaftueshme financiare për institucionet shëndetësore që punojnë në njohuri të specializuara për zbulimin e hershëm të kancerit dhe sëmundjeve të rralla, bazuar në të dhënat nga regjistrat”, tha Bytyqi.
Bytyqi në fjalimin e tij e theksoi përkushtimin e shtetit për miratimin e Ligjit të ri për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe se paralelisht do të punohet për tejkalimin e problemeve që lidhen me sigurinë duke përcaktuar një procedurë të qartë për ankesat e konsumatorëve, për organin që do vendosin dhe metodologjinë e kompensimit për çdo shkelje të ligjit nga shitësit.
Grupi punues për këtë kapitull udhëhiqet nga kryenegociatori me Bashkimin Evropian, Bojan Mariçiq, dhe përbëhet nga përfaqësues të Sekretariatit për Çështje Evropiane, Ministrisë së Financave, Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Komisionit për letra me vlerë, Regjistri Qendror, Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve, Drejtoria e Inteligjencës Financiare, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia Financiare dhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
Krahas koordinimit të Sekretariatit për Çështje Evropiane si institucion i caktuar për koordinim në nivel kombëtar, Kabineti i Zëvendëskryeministrit Bytyqi është emëruar si koordinator i të gjithë Klasterit 2.
Të premten, siç paralajmërojnë nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit Bytyqi, do të mbahet takimi bilateral për Kapitullin 2 “Liria e Lëvizjes së Punëtorëve”.