Bulliqi flet për incidentin, ja si ndodhi përplasja me qytetarin në Podujevë

Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka folur për incidentin me një qytetar para rreth katër muajve në Podujevë.

Bulliqi ka kërkuar falje publike për atë që kishte ndodhur dhe ka mohuar se e ka sulmuar qytetarin në fjalë, duke thënë se ishte vetëm një përplasje verbale.

“Aty për aty ka ndodhur një keqkuptim, nuk ka pasë as grushtim as nuk ka pasë ndonjë shtyrje përveç një momenti kur është kërku me u kriju distanca, nuk ka pasë asnjë kontakt. Më vjen keq që ka ndodhë diçka e tillë, ka pasë një duel verbal që nuk është dashur me ndodhë”, ka thënë Bulliqi.

Tutje ai tha se ajo që shihet në pamjet e publikuara nuk është e gjitha cfarë kishte ndodhur atje, pasi sipas tij situata ishte ndryshe

“Situata është më gjerësisht se që shihet në inçizim, mediat e kanë pre, por nuk ka pasë ndonjë qëllim për të krijuar ndonjë incident, gjanat ndodhin, më vjen keq që ka ndodhë”, tha ai.

Media kishte publikuar pamjet ekskluzive në të cilat shihet Shpejtim Bulliqi teksa e godet në fytyrë qytetarin, i cili është njëkohësisht edhe punonjës i Komunës.

Qytetari kishte deklaruar se ka pasur edhe njolla gjaku në fytyrë, për të cilat mjeku ka konstatuar se janë lëndime sipërfaqësore.