Zëdhënësi i talebanëve: 31 gushti, vija e kuqe për largimin e trupave ndërkombëtare

Një zëdhënës i talebanëve tha se afati i 31 gushtit për tërheqjen e trupave ndërkombëtare nga Afganistani ishte një “vijë e kuqe” dhe sipas tij asnjë ditë më shumë nuk do të lejohet.

Ndërsa presidenti Joe Biden kishte premtuar tërheqjen e trupave deri në 31 gusht, ai ka thënë se personeli mund të ketë nevojë të qëndrojë për të vazhduar evakuimin e të gjithë amerikanëve nga Afganistani.

Por zëdhënësi i talebanëve Suhail Shaheen, gjatë një interviste për rrjetin televiziv britanik “Sky” tha se nëse kalohet përtej kësaj date kjo do të thotë se trupat ndërkombëtare po zgjerojnë pushtimin.

“Kjo është një vijë e kuqe. Presidenti Biden njoftoi këtë marrëveshje që deri më 31 gusht, ata do të tërhiqnin të gjitha forcat e tyre ushtarake. Pra, nëse zgjaten, kjo do të thotë se ata po zgjerojnë pushtimin. Unë mendoj se kjo do të krijojë mosbesim mes nesh. Nëse ata synojnë të vazhdojnë pushtimin, kështu që do të provokojë një reagim”, theksoi ai.

Shaheen gjithashtu mohoi se afganët po përpiqeshin të largoheshin nga vendi për shkak të frikës nga talebanët, duke thënë se ata që donin të largoheshin e bënin këtë për shkak të ekonomisë. Sipas tij kushdo që kishte thënë se ishte i frikësuar nga talebanët e ka ekzagjeruar, vetëm me qëllimin për të jetuar në vendet perëndimore.

“Ju siguroj, largimet nuk kanë të bëjnë me frikën e tyre. Ka të bëjë me dëshirën e tyre, kërkesën e tyre për t’u vendosur në vendet perëndimore. Dhe ky është një lloj migrimi ekonomik sepse Afganistani është një vend i varfër dhe 70 për qind e njerëzve në Afganistan po jetojnë nën kufirin e varfërisë. Kështu që të gjithë duan të vendosen në vendet perëndimore për të pasur një jetë të begatë”, tha zëdhënësi i talebanëve Suhail Shaheen.

Ai tha se kishte pak simpati për familjet e ushtarëve nga vendet e NATO-s që kishin humbur jetën gjatë 20 viteve në Afganistan, duke thënë se “ata (ushtarët e NATO-s) pushtuan vendin tonë”.

“Njerëzit tanë pësuan shumë gjakderdhje, shkatërrim, gjithçka. Por ne themi se e kaluara është e kaluar, për të qenë pjesë e historisë sonë. Tani ne duam të përqëndrohemi në të ardhmen”, deklaroi ai.

Që kur talebanët morën Kabulin, ka pasur skena të përditshme të afganëve të dëshpëruar që mblidhen përrreth aeroportit me shpresën se do të largohen nga vendi.

Disa viktima janë regjistruar si pasojë e shtypjes së njerëzve nga turmat, madje disa të tjerë janë përpjekur të kapen pas avionëve që kanë qenë në pistë duke u ngritur./woa