Tërheqja nga Afganistani në një fazë të rrezikshme, thotë Pentagoni

Qeveria amerikane beson se në Afganistan kanë mbetur vetëm një numër i ulët i amerikanëve që dëshirojnë të largohen. Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se zyrtarët amerikanë janë ende duke punuar për të përcaktuar numrin e saktë.

Ajo shtoi se autoritetet ende po thërrasin dhe po u dërgojnë mesazhe qytetarëve amerikanë në Afganistan për të marrë konfirmimin nëse ata dëshirojnë të largohen. Më herët, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, tha se “afërsisht” 300 qytetarë amerikanë po presin që të largohen nga Afganistani.

Sekretarja Psaki shtoi se disa nga amerikanët që janë në Afganistan janë shtetas të dyfishtë amerikano-afganë prandaj ende nuk kanë vendosur nëse duan të largohen.

Rreth 6,000 amerikanë janë evakuuar nga Afganistani që nga 14 gushti.

Ndërsa, mbi 120,000 njerëz deri tani janë evakuuar nga forcat e koalicionit që kur talibanët morën kontrollin e Kabulit më 15 gusht.

Më parë zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby paralajmëroi se forcat amerikane janë në një fazë “të rrezikshme” të tërheqjes së tyre. Afati përfundimtar është nesër (31 gusht). Kirby shtoi se SHBA-ja beson se ende e ka aftësinë për të mbrojtur personelin amerikan dhe aleatët në aeroportin e Kabulit.

Disa raketa u hodhën drejt aeroportit të Kabulit mëngjesin e së hënës.

Një zyrtar amerikan i tha agjencisë së lajmeve Reuters se pesë raketa u lëshuan në aeroport, porse u penguan nga sistemi i mbrojtjes raketore.

Grupi militant Shteti Islamik tha se merr përgjegjësinë për hedhjen e gjashtë raketave.

Nuk është e qartë nëse të gjitha raketat u shkatërruan, pasi banorët lokalë raportuan për rënien e disa copave në rrugë.

Të dielën, ushtria amerikane tha se një sulm i saj me dron mbi një automjet në Kabul ka parandaluar një sulm të grupit militant Shteti Islamik Khorasan, që kishte në shënjestër njerëzit e tubuar në aeroportin e kryeqytetit.

Sulmi me dron u krye dy ditë pasi një sulm vetëvrasës i Shtetit Islamik Khorasan jashtë aeroportit të Kabulit la të vrarë rreth 170 afganë dhe 13 trupa amerikane.

Pentagoni tha më pas se ushtria amerikane ka kryer një sulm hakmarrës me dron në provincën lindore të Afganistanit Nangarhar, duke vrarë dy anëtarë të grupit Shteti Islamik Khorasan.

Shumica e mijëra anëtarëve të këtij grupi besohet se fshihen në këtë provincë, që ndodhet në lindje të Kabulit.

Në bazë të një marrëveshjeje mes talibanëve dhe Shteteve të Bashkuara të arritur në fillim të vitit 2020, për tërheqjen e forcave të huaja nga Afganistani, pas 20 vjetësh të operacioneve atje, talibanët ishin zotuar se nuk do të lejojnë që territori afgan të përdoret nga grupet terroriste.