Talibanët po pengojnë evakuimin

Qeveritë e huaja po vazhdojnë evakuimin nga Afganistani të qytetarëve të tyre dhe afganëve që punuan me ta, por ka shqetësime në rritje se talibanët po bllokojnë rrugët për në aeroportin e Kabulit.

Ato gjithashtu janë të shqetësuara se shënimi i ditës së pavarësisë së Afganistanit do të nxisë më shumë dhunë.

Mijëra njerëz janë përpjekur të largohen nga Afganistani që kur militantët islamikë të linjës së ashpër e morën kontrollin e kryeqytetit Kabul më 15 gusht, duke bërë që të bie Qeveria e mbështetur nga Perëndimi.

Udhëheqësit talibanë kanë thënë se duan paqe dhe një qeveri gjithëpërfshirëse ndërsa kanë premtuar se nuk do të hakmerren ndaj kundërshtarëve.

Megjithatë raportohet se talibanët vendosën pika kontrolli rreth aeroportit të Kabulit më 19 gusht, duke penguar hyrjen në aeroport të afganëve që kishin autorizim të vlefshëm për të udhëtuar.

Gjatë ditëve të fundit, gjithsej 12 persona janë vrarë brenda dhe përreth aeroportit, thanë talibanët dhe zyrtarët e NATO -s.

Zyrtarë të lartë amerikanë kanë akuzuar talibanët se nuk po mbajnë premtimet e bëra ndaj qeverisë amerikane.

Zëvendëssekretarja e Shtetit, Wendy Sherman, tha se Uashingtoni pret që talibanët të “lejojnë në mënyrë të sigurtë largimin e të gjithë qytetarëve amerikanë, shtetasve të vendeve të treta dhe afganëve”.

“Ne kemi parë raporte se talibanët, në kundërshtim me deklaratat e tyre publike dhe angazhimet e tyre ndaj qeverisë sonë, po bllokojnë afganët që duan të largohen nga vendi për të arritur në aeroport”, u tha Sherman gazetarëve.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha të mërkurën se në aeroport janë rreth 4.500 personel ushtarak amerikan dhe se nuk ka pasur “ndërveprime armiqësore me talibanët”.

“SHBA-ja nuk ka kapacitete aktualisht që të shkojë dhe të marrë numër të madh të amerikanëve jasht aeroportit të Kabulit”, tha Austin, duke shtuar se çështja më madhore tash për tash është dërgimi i njerëzve deri në aeroport.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha për ABC News më 18 gusht se militantët po bashkëpunojnë për të ndihmuar evakuimin e qytetarëve amerikanë dhe ata të vendeve aleate megjithatë, sipas tij, vështirësitë ekzistojnë në evakuimin e qytetarëve afganë që kanë bashkëpunuar me misionin ndërkombëtar.

Presidenti amerikan tha se në rast se do të jetë e nevojshme për evakuimin e qytetarëve amerikanë, forcat e SHBA-së mund të qëndrojnë në Kabul përtej afatit të 31 gushtit.

Zyrtarët amerikanë më 18 gusht thanë se kanë evakuuar 4,480 njerëz që kur morën kontrollin e aeroportit gjatë fundjavës, përfshirë 2.000 njerëz në 24 orët e mëparshme. Zyrtarët kanë thënë se shpresojnë të jenë në gjendje të evakuojnë deri në 9.000 njerëz në ditë.

Administrata Federale e Aviacionit Amerikan (FAA) ka njoftuar se linjat ajrore të brendshme amerikane dhe pilotët civilë do të lejohen të fluturojnë në Kabul për operacione evakuimi ose ndihme.

Por, këto fluturime duhet të marrin lejen nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes.

Vendet tjera, përfshirë ato evropiane po evakuojnë njerëzit në koordinim me Shtetet e Bashkuara. Rreth 5,000 diplomatë, stafi i sigurisë, punëtorë afganë janë evakuuar në 24 orët e fundit, tha një zyrtar perëndimor për Reuters më 18 gusht.

I pyetur nga ABC News nëse do të pranonte ndonjë gabim të bërë në evakuimin nga Afganistani, Biden u përgjigj: “Jo”.

Kaosin e krijuar ai e quajti të pashmangshëm që nga momenti kur Shtetet e Bashkuara vendosën të largoheshin nga Afganistani pas dy dekadash lufte.

Presidenti gjithashtu mbrojti vendimin e tij për tërheqjen e forcave amerikane, duke fajësuar qeverinë dhe ushtrinë afgane për mos mbrojtjen e qyteteve dhe kryeqytetit.

Afganistani më 19 gusht shënon festën e pavarësisë dhe fundin e kontrollit britanik më 1919. Në qytetin Xhalalabad pati incidente pasi disa protestues u përpoqën të ulnin flamurin e grupit militant taliban dhe ta zëvendësonin atë me flamurin trengjyrësh kombëtar afgan.

Raportohet se të paktën një person u vra gjatë protestave.

Ekzistojnë shqetësime se tubimet për shënimin e kësaj feste mund të shfrytëzohen edhe si protesta kundër talibanëve, gjë që mund të nxisë përshkallëzimin e dhunës.