Procesi gjyqësor në Suedi kthen vëmendjen te opozita iraniane

Organizata Popullore e Muxhahedinëve të Iranit (MEK) është një lëvizje opozitare iraniane në mërgim.

Kjo organizatë luftoi kundër Shahut që nga vitet 1960 dhe dikur ishte aleate me Ayatollah Ruhollah Khomeinin para se të fillonin kundërshtim e regjimit të tij islamik.

Më vonë, luftëtarët e kësaj organizate u shpallën si tradhtarë pasi luftuan së bashku me trupat irakiane në pjesën e fundit të luftës tetëvjeçare Iran-Irak. Lufta filloi pasi ish-udhëheqësi i Irakut, Saddam Hussein, pushtoi Iranin më 1980, një vit pas revolucionit islamik.

Më 10 gusht, një ish-prokuror iranian i dyshuar për përfshirje në ekzekutimin e mijëra disidentëve politikë më 1988, doli para një gjykate në Suedi, raporton AFP.

Ky po vlerësohet si një proces historik gjyqësor që mbase do të nxisë tensione me Republikën Islamike.

Hamid Nouri, 60 vjeç, u paraqit në Gjykatën e Rrethit të Stokholmit nën akuzat për “vrasjen e një numri shumë të madh të të burgosurve” në Iran më 1988. Në atë vit rreth 5,000 të burgosur politikë u ekzekutuan me urdhër të qeverisë. Vrasjet kishin në shënjestër anëtarët e Organizatës Popullore të Muxhahedinëve të Iranit (MEK).

Kjo është hera e parë që po zhvillohet një proces gjyqësor për atë rast.

Nouri “mohon akuzat për përfshirje në ekzekutimet e supozuara të vitit 1988”, sipas avokatit të tij, Thomas Soderqvist.

Derisa po zhvillohej procesi gjyqësor, jashtë ndërtesës, dhjetëra njerëz demonstruan kundër udhëheqjes iraniane.

Sipas transmetuesit publik suedez SVT ai u arrestua në nëntor të vitit 2019.

Kush është Organizata e Popullit të Muxhahedinëve të Iranit?

Muxhahedinët, të njohur si MEK në gjuhën farsi, u formuan më 1965 për të luftuar regjimin mbretëror të Shah Mohammad Reza Pahlavi. Shumica e themeluesve të grupit vdiqën më vonë në burg.

Pas revolucionit të vitit 1979 në Iran, ky grup synon përmbysjen e regjimit.

Pjesëtarët e këtij grupi thonë se i përkasin një “islami sekular dhe demokratik”. Ata kanë prirje marksiste.

Grupi është shpallur i paligjshëm në Iran më 1981. Në këtë vit, autoritetet e akuzuan atë për një sulm me bombë që vrau 74 njerëz, përfshirë, Ayatollah Mohammad Beheshti, atëbotë, numri dy i regjimit.

Grupi u akuzua gjithashtu se qëndronte pas një sulmi me bombë në qershor të vitit 1981 kundër udhëheqësit suprem të ardhshëm, Ali Khamenei, i cili mbeti i paralizuar në dorën e djathtë.

Ikja në mërgim

Mijëra anëtarë muxhahedinë u vranë gjatë goditjes nga ana e regjimit islamik. Ata që mbijetuan, u dëbuan nga Irani.

Udhëheqësi i tyre, Massoud Rajavi, krijoi Këshillin Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) në Francë.

Këshilli konsiderohet të jetë krahu politik i MEK dhe është një nga disa grupet opozitare iraniane.

Pas një përmirësimi të raporteve mes Parisin dhe Teheranit më 1986, ai u dëbua nga Franca.

Muxhahedinët pastaj u vendosën në Irak, në kulmin e luftës me Iranin, duke luftuar përkrah forcave të Saddam Husseinit.

Që nga viti 1989, ky grup opozitar iranian udhëhiqet nga gruaja e Rajavit, Maryam, të cilës iu dha statusi i refugjates në Francë.

Në vitin 2003, ajo dhe rreth 160 pjesëtarë të tjerë u arrestuan si pjesë e një goditjeje ndaj muxhahedinëve. Mirëpo, pas dy javësh protesta nga mbështetësit e saj, ajo u lirua.

Për, Massoud Rajavin, nuk është dëgjuar më që nga pushtimi i Irakut nga SHBA-ja më 2003.

Baza në Irak

Luftëtarët muxhahedinë janë fajësuar për dhjetëra vrasje dhe kanë marrë përgjegjësinë për disa operacione në Iran, përfshirë atë kundër instalimeve të naftës më 1993.

Pas rrëzimit të regjimit të Sadam Husseinit më 2003, forcat amerikane i çarmatosën muxhahedinët dhe i lejuan të rigrupohen në kampin e refugjatëve Ashraf në veri të Bagdadit, i cili u bë baza më e madhe e tyre në mërgim.

Në vitin 2013, me kërkesë të SHBA-së dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara, vende të tjera – veçanërisht Shqipëria – u pajtuan të marrin anëtarë të këtij grupi.

Ashraf 3 është kampi në Shqipëri ku afro tre mijë pjesëtarë të kësaj organizate jetojnë dhe punojnë.

Heqja nga lista e terroristëve

Bashkimi Evropian e kishte shpallur këtë organizatë si terroriste më 2002, mirëpo në vitin 2009 e hoqi nga lista e organizatave terroriste.

Njëjtë vepruan edhe Shtetet e Bashkuara më 2012. Në listën amerikane të organizatave terroriste datonte që nga viti 1997.

Në vitin 2014, Franca i dha fund një hetimi të gjerë gjyqësor dhjetëvjeçar mbi aktivitetet e dyshuara terroriste.

Ish-anëtarët e grupit e kanë akuzuar organizatën se është shndërruar në një kult në mërgim, por ajo ka mohuar fuqishëm akuzat, duke thënë se këto janë gënjeshtra të përhapura nga shteti iranian./REL