OBSH: Tashmë Delta është varianti dominues në mbarë globin

Varianti delta i coronavirusit ia ka kaluar të gjitha varianteve të tjera të COVID-it, tha të martën Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Më pak se 1% ka mbetur aktualisht në qarkullim nga variantet alfa, beta dhe gama. Është vërtet delta që dominon në të gjithë botën”, tha Maria Van Kerkhove, drejtuese teknike për COVID-19ën në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Sipas Van Kerkhove, varianti delta është aq i transmetueshëm sa që ka zëvendësuar variantet e tjera që qarkullojnë në të gjithë botën.

Qindra njerëz demonstruan të martën në qytetin e dytë më të madh të Australisë kundër kufizimeve të coronavirusit që qeveria vendosi për industrinë e ndërtimit.

Zyrtarët njoftuan se kantieret e ndërtimit në Melburn do të mbyllen për dy javë mes shqetësimeve se lëvizja e punëtorëve po kontribuonte në përhapjen e COVID-19.

Punëtorët e ndërtimit gjithashtu tani kërkohet të kenë marrë të paktën një dozë të vaksinës së coronavirusit para se të lejohen të kthehen në punë.

Shteti Victoria, ku ndodhet Melburni, raportoi 603 raste të reja të martën, niveli më i lartë deri më tani i infektimeve ditore gjatë këtij viti.

Në Zelandën e Re, kryeministrja Jacinda Ardern njoftoi të martën se gjobat për prishjen e protokolleve të coronavirusit do të rriten duke filluar në nëntor.

Ndryshimet do të rrisin gjobën për dikë që qëllimisht nuk respekton rregullat për COVID-19ën, nga rreth 2,800 dollarë në 8,400 dollarë. Ata që shkelin kufizimet gjithashtu mund të përballen me deri në gjashtë muaj burg.

Bizneset që shkelin kufizimet e coronavirusit mund të përballen me gjoba deri në 10,500 dollarë.

“Suksesi ynë është bazuar vërtet në faktin se njerëzit në përgjithësi kanë zbatuar rregullat”, tha zonja Ardern në një konferencë shtypi. “Sidoqoftë, ka patur tek-tuk ndonjë person që ka thyer rregullat dhe i ka vënë të tjerët në rrezik”.

Ndërkohë, Guvernatori Jay Inslee, i shtetit perëndimor të Uashingtonit, i kërkoi qeverisë federale ndihmë që të përballohet ngarkesa e spitaleve, pasi varianti delta ka shkaktuar një numër të madh infektimesh.