Njerëz që bërtisnin, dikush u hodh nga ballkoni – shpërthim i fuqishëm në një ndërtesë banimi në Gothenburg të Suedisë, mbi 20 të lënduar

Një shpërthim i fortë tronditi Gothenburgun, Suedi, herët në mëngjes.

Sipas mediave suedeze, shpërthimi ndodhi në një ndërtesë në qendër të qytetit dhe mbi 20 persona u transportuan në spital, përcjell Telegrafi.

Në vendngjarje ndodhen mbi 40 kamionë zjarrfikës dhe shkaku i shpërthimit nuk dihet ende.

Ndërkohë është bërë e ditur se një zjarr i madh shpërtheu në ndërtesë pas shpërthimit.

Tre gra të moshuara u plagosën rëndë.

“Ne transportuam 20 deri në 25 persona në spital, disa u plagosën rëndë, disa lehtë. Tre gra të moshës 60-80 vjeç u plagosën rëndë”, citohet të ketë thënë spitali lokal.

Policia suedeze njoftoi në faqen e saj në internet se po punon për evakuimin e njerëzve që jetojnë në zonë.