Krimet me bazë urrejtjen kanë shënuar rritje në SHBA

Numri i krimeve me bazë urrejtjen në Shtetet e Bashkuara u rrit vitin e kaluar në nivelin më të lartë në më shumë se një dekadë. Njoftimi u bë nga ana e Byrosë Federale të Hetimeve (FBI).

Në shënjestër kanë qenë njerëzit me ngjyrë dhe ata me prejardhje aziatike, thuhet në njoftim, transmeton Reuters.

Të dhënat e vitit 2020, të paraqitura në FBI bazohet nga informacionet e më shumë se 15,000 agjencive të zbatimit të ligjit në të gjithë vendin.

Sipas këtyre të dhënave 7,759 krime me bazë urrejtjen u kryen në vitin 2020, një rritje prej 6% krahasuar me vitin 2019 dhe shifra më e lartë që nga viti 2008.

Të dhënat e FBI -së treguan se numri i veprave penale që shënjestronin njerëzit me ngjyrë u rrit në 2,755 nga 1,930 dhe incidentet kundër aziatikëve u rritën në 274 nga 158.

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka paralajmëruar se grupet supremaciste të bardha përfaqësojnë një kërcënim në rritje të sigurisë pas sulmit vdekjeprurës të 6 janarit 2021 në Kongresin e SHBA-së.

Turma të njerëzve hynë brenda Kongresit derisa ligjvënësit po certifikonin fitoren e Joe Biden si president i SHBA-së.

Në maj, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Merrick Garland, shpalli masa të reja për të ndihmuar policinë të gjurmojë dhe hetojë krimet e urrejtjes dhe bëri thirrje që departamenti të përshpejtojë rishikimin e krimet e mundshme të urrejtjes.

Presidenti amerikan, Joe Biden, në qershor ka shpallur një plan për financimin më të lartë të policisë, si përpjekje për ta luftuar rritjen e numrit të vrasjeve. Ai tha se zyrtarët në zonat e krimit mund të punësojnë më shumë personel të zbatimit të ligjit.

Në muajin prill, presidenti Biden kishte shpallur masa të reja për të trajtuar dhunën me armë në SHBA, të cilën e përshkroi si “krizë të shëndetit publik”.

“Dhuna me armë në këtë vend është një epidemi dhe është një turp ndërkombëtar”, pati thënë Biden.