Bllokuan Rinasin, Braçe sulmon kontrollorët: Llasticat pengmarrëse, a u besohet jeta këtyre?

Zv/ kryeministri Erion Braçe i cilëson pengmarrës kontrollorët në Rinas që kanë bllokuar punën pasi u futën në grevë për shkak të uljes së pagave prej vitit të kaluar si pasojë e uljes së fluksit të fluturimeve nga pandemia.  “Llasticat pengmarrese te Rinasit!  I besohet me ketyre njerezve? A i besohet me siguria kombetare ketyre njerezve? A i besohet me siguria e jetes se gjithkujt ketyre njerezve?” shkruan Braçe.

Por çfarë po ndodh në Rinas?

Aeroporti i vetëm në Shqipëri prej mëngjesit të sotëm është në kaos total, pasi nuk mund të realizohet asnjë fluturim, si në hyrje dhe dalje, përpos atyre që kalojnë në hapësirën ajrore të vendit tonë. Shkak është bërë greva e kontrollorëve që akuzojnë se u është ulur paga për shkak të pandemisë prej vitit të kaluar.

Përmes Sindikatës, avokatit, por edhe vetë drejtpërdrejt ata deklarojnë se nuk do të tërhiqen deri në momentin që do të shfuqizohet vendimi që u uli pagat. Kryeministri Edi Rama akuzoi opozitën dhe Ilir Metën se qëndron pas bllokimit të Rinasit, ndërsa kontrollorëve u vendosi ultimatum që të rikthehen në punë deri nesër, në të kundërt do të largohen.

Ministrja Balluku e cilësoi veprimin e kontrollorëve grusht shteti dhe pengmarrje me prapavijë politikë, ndërsa pasditen e sotme dërgoi në Rinas ushtrinë dhe policinë për të marrë në dorë kullën e kontrollit me argumentin se është objekt me rëndësi të veçantë.