Biznesi amerikan, korrupsioni, klima politike e monopolet sjellin klimë të përkeqësuar të të bërit biznes

Indeksi i besimit të bizneseve amerikane që operojnë në Shqipëri ka shënuar uljen më të thellë të 8 viteve të fundit. Kreu i dhomës amerikane tha se korrupsioni, klima politike dhe monopolet kanë sjellë një klimë të përkeqësuar të të bërit biznes, ndërsa ambasadorja Yuri Kim, kërkoi zgjidhjen e menjëhershme të situatës.

Korrupsioni, klima politike, monopolet dhe tregtia e pandershme kanë ulur në pikiatë indeksin e besimit të bizneseve amerikane përgjatë vitit 2019, duke shënuar rënien më të thellë në 8 vitet e fundit.

Teksa prezantoi gjetjet e studimit të kryer nga dhoma amerikane e tregtisë, presidenti Enio Jaço, theksoi se rezultatet e dobëta, nuk përfshijnë efektet e krijuara prej pandemisë së koronavirusit.

“Probleme që kanë të bëjnë me procedura, me mënyrën e prokurimit të tenderave. Ne duhet ta trajtojmë të gjithë bashkë.”

Ambasadorja e SHBA Yuri Kim, pati një thirrje të drejtpërdrejtë për qeverinë, duke theksuar se shqiptarët kërkojnë zgjidhje për përmirësimin e situatës dhe jo fajtorët.

“Shqiptarët janë të lodhur nga politika. Duan zgjidhe, jo të vazhdohet me një lojë faji, duan që udhëheqësit të punojnë së bashku për të mirën e popullit. Duan të kenë shanse, mundësi dhe jo korrupsion, mundësi që t’ju japin një të ardhme më të mirë fëmijëve të tyre. Populli do rezultat, vizion dhe jo ofendime. Besoj që udhëheqësit shqiptarë janë të aftë në këtë sfidë. SHBA do jenë të gatshme t’ju mbështesin.”

Por për ministrin për sipërmarrjen Eduard Shalsi, treguesit negativ janë fryt i krizës së prodhuar nga opozita jashtëparlamentare.

“Kriza e sajuar politike, që detyroi opozitën të braktisë parlamentin dhe më pas të dezertojë zgjedhjet e qershorit, nuk ishte një zgjedhje e duhur.”

Ndërsa ish deputetja Jorida Tabaku, fajtor sheh qeverinë me politikat e saj të gabuara.

“Mua më pëlqen optimizmi i kahershëm i Shalsit që të gjithë e njohim, por rezultatet që u prezantuam nuk janë ato që të gjithë do të dëshironim.” 

Duket se këshilla e ambasadores nuk vlejti, teksa përfaqësuesit politik vijuan debatin, ndërsa presidenti i dhomës amerikane shtoi se klima e biznesit mund të përkeqësohet edhe më tej për shkak të pandemisë.