Bislimovski: Çmimi i energjisë ka gjasa të ulet në prill

Shkup, 30 nëntor – Ulje të çmimit të energjisë elektrike mund të pritet nga gjysma e dytë e prillit të vitit të ardhshëm, por kjo ulje është në raport me çmimet e sotme të rritura, e jo në raport me çmimet e vitit të kaluar, shprehet në bisedën me korrespondenten e MIA-s nga Athina, kryetari i Komisionit Rregullator të Energjetikës dhe Shërbime të Ujit (KRRE) Marko Bislimoski, i cili gjatë kryesimit të Bordit të 50-të të rregullatorëve të Bashkësisë Energjetike që u mbajt në Athinë, për herë të dytë është zgjedhur kryetar i Bordit.

Bislimoski shpreh kënaqësinë e tij që Komisioni Rregullator për Energjetikë për herë të dytë ka kryetar i cili do të kryesojë bordin e organeve rregullatore “që paraqet mirënjohje edhe për punën e institucionit tonë” dhe përkujton se vetëm pak ditë më parë KRRE-ja u bë vëzhgues në Agjencinë për Bashkëpunim të Rregullatorëve Energjetik të BE-së (ACER), që në fakt është trup i organeve rregullatore evropiane, të formuar nga Komisioni Evropian.

“Pra realisht jemi Komisioni Rregullativ i Energjisë i cili është krah për krah me të gjitha organet rregullatore të Bashkimit Evropian”, thekson Bislimoski dhe shton se në ACER nga rajoni të drejtën e vëzhgimit ka vetëm organi rregullativ malazez dhe prej para disa ditësh edhe Organi rregullativ maqedonas.

Në mbledhjen e sotme në Athinë, përveç zgjedhjes së kryesuesit të ri, në fokus ishte edhe kriza aktuale energjetike, gjë që do të jetë çështja kryesore për Bordin e ri të Rregullatorëve të Bashkësisë Energjetike.

“Në këtë takim jemi fokusuar më së shumti në krizën energjetike, e cila në masë të madhe është krizë çmimesh, e edhe në disa vende tashmë ka krizë në aspektin e sigurisë së furnizimit si me energji elektrike ashtu edhe me gaz natyror. Krahas përfaqësuesve të organeve rregullatore nga vendet e rajonit, në takim kemi edhe përfaqësues nga Komisioni Evropian, e gjithashtu edhe përfaqësues nga ACER nga rregullatorët e Bashkimit Evropian, të cilët tashmë ndajnë përvojat dhe rekomandimet e tyre që janë dhënë për të gjitha vendet anëtare. Ajo që më gëzon veçanërisht është se këto rekomandime, në pjesën më të madhe, tashmë janë implementuar në vendin tonë, por edhe në vende të tjera, si p.sh. ulja e TVSH-së, ndihma për kategoritë e rrezikuara të konsumatorëve dhe ngjashëm”, sqaron kryetari i KRRE-së.

Duke marrë parasysh se në takimin përveç vendeve të Bashkësisë rajonale Energjetike , marrin pjesë edhe përfaqësues të KE-së, në bisedën me MIA-n, Bislimoski shpalos skenarët për përfundimin e krizës energjetike.

“Miqtë tanë nga Komisioni Evropian thanë se në Evropë nuk thuhet më se sa do të zgjasë kriza energjetike, sepse çfarëdo që ata thoshin në të kaluarën është huqur si datë. Ekziston mendimi se ulja e çmimeve mund të pritet nga gjysma e dytë e muajit prill e tutje. Por, kjo ulje, ta dimë të gjithë, do të thotë ulje në raport me çmimet e tanishme, në raport me shtrenjtimin drastik, sqaron kryetari i Komisionit Rregullator të Energjetikës.

Ai thekson se krahasuar me vitin e kaluar, kjo do të thotë se çmimet janë të paktën dy herë më të larta krahasuar me pjesën e parë të vitit.

“Kjo ulje është, të mos jetë 220-230 euro, por të bjerë në 110-120 euro. Bëhet fjalë për ulje të tillë, por ato 110-120 euro për megavat orë, që ne i quajmë ulje, në fakt është rritje krahasuar me vitin e kaluar për më shumë se dy herë, fatkeqësisht. Por besoj se tani do të dëgjojmë përvojat e vendeve tjera, e në disa prej tyre, sigurisht do të përfshihen edhe qeveritë me qëllim që të stabilizojnë për aq sa mundet gjendjen në sektorin energjetik”, theksoi Bislimoski.

Ai shtoi se pas përfundimit të takimit në Athinë, si Bord i organeve rregullatore do të dalin me konkluzione të përbashkëta, “të cilat do të bazohen kryesisht në solidaritetin dhe mbështetjen e ndërsjellë”, por gjithashtu se mund të ketë një kërkesë për të përfshirë edhe qeveritë “në mënyrë që të ndihmojnë ndikimin në këtë krizën energjetike”.

“Nuk mund të jemi të izoluar, le të themi se nuk do të kemi kurrfarë ndryshimesh kur shpenzimet janë rritur në mënyrë dramatike, por do të kërkojmë nga të gjithë faktorët e sektorit energjetik që të solidarizohen dhe të përfshihen qeveritë në vendet anëtare të Bashkësisë Energjetike në mënyrë që të ulet kjo krizë energjetike”, shton Bislimoski për MIA-n.

Duke analizuar situatën në rajon, ai shprehet se situata është veçanërisht e keqe në vendet importuese të energjisë elektrike dhe gazit natyror, e këto janë Maqedonia e Veriut, Moldavia, Kosova deri diku dhe Mali i Zi meqë çmimet janë rritur në mënyrë drastike.

Nga ana tjetër, shprehet se në Bosnje dhe Hercegovinë situata është më e relaksuar, sepse janë eksportues, veçanërisht të energjisë elektrike, derisa në Ukrainë, si edhe më parë situata është ende pak e paqëndrueshme, meqë, siç thotë ai, kanë probleme me prodhimin vendor të thëngjillit.

Për Serbinë, komenton se situata është neutrale, sepse në pjesën më të madhe ata i sigurojnë nevojat e tyre për energji elektrike nga prodhimi i tyre, por zakonisht në dimër importojnë, kështu që, siç thekson ai, do të shohim se si do të zhvillohet situata edhe në Serbi.

Në dhjetor të vitit 2019, Kryetari i Komisionit Rregullator të Energjetikës (KRRE) në mbledhjen e atëhershme të rregullt u zgjodh unanimisht kryetar i Bordit të Rregullatorëve të Bashkësisë Energjetike, ndërsa sot mori mandat të ri, dyvjeçar.

Pjesë e Bashkësisë Energjetike përveç Maqedonisë së Veriut janë edhe Serbia, Kosova, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Moldavia, Gjeorgjia, Ukraina dhe Shqipëria.