Bilall Kasami paralajmëroi zgjedhje të reja të mundshme për Këshillin e Komunës së Tetovës

Tetovë, 28 prill– Kryetari i Tetovës Bilall Kasami sot theksoi se janë të mundshme zgjedhje të jashtëzakonshme për Këshillin e Komunës së Tetovës pasi dje në mbledhje të djeshme nuk kaloi llogaria përfundimtare për vitin 2021.

Dje mbledhja nuk filloi pasi nuk kishte shumicë prej 16 këshilltarëve për marrjen e vendimeve.

“Si rezultat i sjelljes së disa këshilltarëve, sipas ligjit, nuk është miratuar llogaria përfundimtare, që është një nga kushtet që të shkohet në zgjedhje të reja, për këshillin e komunës së Tetovës. Kërkohej në mbledhje të këshillit llogaria përfundimtare e Komunës së Tetovës të kthehet që të kompletohet, që nuk ka bazë, ajo është llogaria përfundimtare sipas ligjit dhe procedurave të cilat janë krijuar nga Ministria e Financave. Kur bëhet politikë prej gjithçkaje dhe vijmë në situata të këtilla”, theksoi Kasami.

Ai tha se sot i kanë informuar ministritë adekuate.

“Ministria në afat prej një jave duhet ta informojë Qeverinë, Qeveria në afat prej një muaji, të marrë vendim për shpërbërjen e Këshillit”, deklaroi Kasami, nga qendra e zjarrfikësve ku iu ndau vendime për paga më të larta zjarrfikësve.

Në pyetjen e gazetarëve se a është e mundur që të shmanget kjo situatë, Kasami tha se nuk është jurist dhe se kjo është jashtë përgjegjësive të tij.

“Nuk jam kompetent të komentoj, ligji është i qartë. Nëse nuk miratohet llogaria përfundimtare janë përmbushur kushtet që Këshilli të shkojë në rizgjedhje por për këtë vendim dhe koment japin institucionet e tjera. Sipas fuqisë së ligjit duhet të shpërbëhet Këshilli”, tha Kasami.

Hamdi Sulejmani një nga këshilltarët e “Më mirë për Tetovën” të cilët dje votuan në kundërshtim me shumicën, deklaroi se për situatën ka kontribuuar kryetari i Lëvizjes Besa.

“Ai e dëshiron këtë. Njerëzit e tij nuk e votuan buxhetin dhe llogarinë përfundimtare ndërsa kjo bukur shihet nga videot e xhiruara nga mbledhja e nëntë e Këshillit. Sipas gjitha gjasave dëshiron të largojë disa nga ata që i pengojnë, siç i pengojmë edhe ne nga opozita, por mendojmë se me këtë do të humbë shumë”, tha Hamdi Sulejmani nga Lëvizja “Më mirë për Tetovën”.

Në shumicë, deri më tani përveç Lëvizjes Besa, VMRO-DPMNE-së, Aleancës për Shqiptarët ishin edhe dy këshilltarët nga “Më mirë për Tetovën”. /Zhurnal.mk