Biçikletat në shënjestër të hajnave

/

Për çdo ditë, jo vetëm në Shkup, por edhe më gjerë qytetarët të ndryshëm ankohen se biçikletat e tyre janë shënjestër e hajnave. Përvojat e tyre të hidhura qytetarët e vendit përpos që i denoncojnë te organet e rendit, ata i publikojnë edhe në rrjetet sociale. Kështu që në rrjetin social Facebook, ata e kanë hapur grupin privat “Biçikleta të vjedhura”, i cili vazhdimisht përditësohet me të dhënat dhe informacione të ndryshme.

Vërejtjet dhe ankesat më të mëdha të qytetarëve që janë pjesë e këtij grupi dërgohen në adresë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, sipas të cilëve këtë problem shumëvjeçar të qytetarëve fare nuk e përfill. Ka të tillë që tregojnë se në lagjet Karposh dhe Qendër në Shkup, iu kanë vjedhur pesë biçikleta, por fatkeqësisht asnjërën prej tyre nuk ka arritur ta gjej, aq më pak të zbuloj se kusht është vjedhësi. Zakonisht fotografitë e siguruara nga kamerat e shërbejnë vetëm për ilustrim dhe aspak për gjetje të autorëve. Përpos rasteve individuale në grupin “Biçikleta të vjedhura”, përshkruhen edhe ndodhi të vjedhjes së organizuar të biçikletave. Një rast i tillë sipas një banoreje të lagjes Karposht 2, ka ndodhur jo më larg se ditën e mërkurën. Biçikletën e saj, për dallim nga shumë tjera që vidhen nga individ, ajo thotë se e kanë vjedhur disa persona, me furgon të bardhë, të cilët këtë automjet e shfrytëzojnë për grumbullimin e më tepër biçikletave të vjedhura, mes tyre dhe të sajën.

Një prej shkaqeve se pse ky grup është formuar në Facebook, thuhet se është mos veprim i policisë, gjegjësisht jo interesi i tyre për t’i trajtuar ankesat e qytetarëve të rëndomtë, të cilët çdo ditë e më tepër biçikletën e shfrytëzojnë si mjet transporti për në punë dhe anasjelltas. Anëtar të ndryshëm të kësaj grupe, e cila numëron gati nëntë mijë anëtar, nga qytete të ndryshme të Maqedonisë së Veriut, thonë ndër arsyetimet më të shpeshta të policisë sepse nuk zbulohen këto raste është mungesa e nëpunësve policor. Duke shkëmbyer mendime se si qytetarët të mbrohen nga vjedhja e biçikletave, anëtarët e grupi “Biçikleta të vjedhura”, vlerësojnë se duhet të ndryshohet kultura e blerjes së biçikletave. Pra, nëse një qytetar vendos të blej biçikletë, ai këtë ta bëjë vetëm në shitore zyrtare, të cilat do ta japin llogari fiskale dhe do ta vërtetojnë prejardhjen e biçikletës. Kjo sipas tyre ndoshta mund të kushtoj pak më shtrenjtë se një biçikletë në tregun zi, por shumëfishë është më e sigurt se askush nuk do të ndaloj nesër në rrugë.
Dendësia e madhe e komunikacionit në kryeqytet, por edhe dëshira për rekreacion, ka ndikuar që viteve të fundit në vend të shtohet numri i qytetarëve që i shfrytëzojnë biçikletat. Për blerjen e biçikletave ka qytetarë të tillë që ndajnë shumë të majme parash, megjithatë gjithnjë me frikë se biçikleta e tyre nesër mund të jetë shënjestër e vjedhësve, të cilat vazhdimisht shtohen. Ndryshe, nga Ministria e Punëve të Brendshme, për gazetën KOHA, thanë se gjatë ditëve në vazhdim do të përgjigjen në pyetjet se sa vjedhjes të biçikletave janë zbuluar gjatë këtij vite. Po ashtu nga policia pritet përgjigje sepse nuk kanë qasje me serioze ndaj këtyre rasteve, respektivisht sa denoncime për vjedhje të biçikletave janë bërë nga fillimi i vitit e deri më sot. (koha.mk)