Basha: SHBA-ja, ultimatum për përjashtimin e Berishës, jo vetëm nga grupi parlamentar

“Partisë Demokratike iu kërkua në mënyrë ultimative distancimi nga ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha, pas shpalljes persona non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Kështu është shprehur, kreu i PD-së, Lulzim Basha, në daljen e tij televizive në emisionin Open.

Ai ka theksuar, se SHBA-të, nuk kanë kërkuar vetëm përjashtimin nga grupi parlamentar të Berishës, por edhe largimin e tij nga Kuvendi dhe PD-ja.

Sipas Bashës, nëse ai nuk do ta përjashtonte Berishën nga grupi parlamentar, PD-ja do të izolohej nga çdo kontakt me amerikanët.

“Investim për një zgjedhje ndryshe”, e ka cilësuar ai, vendimin për përjashtimin e Berishës, vetëm nga grupi parlamentar.

Kreu i PD-së është shprehur se, Sali Berisha e ka të qartë pasojën për izolimin e një partie politike.

“Ai ma ka thënë në sy se para vetes nuk vendos Partinë Demokratike”, ishte komenti i Bashës mbi bisedën që ka pasur me ish-liderin demokrat.

Basha, ka shtuar se pavarësish çdo gjëje, “vendimi nuk është marrë nga kënaqja apo pakënaqja e amerikanëve, por ndaj demokratëve”.

“Më 9 shtator, vendimi u mor në bazë të statutit dhe përgjegjësitë e liderit të PD-së”, tha kryedemokrati.

Në vijim të intervistës së tij, Basha ka përsëritur se, nuk do të shkelë mbi “bashkëpunimin me Berishën”.

“Ndryshe nga ai, unë i qëndroj fjalëve të mia”, tha kreu i PD-së.

Pavarësish këmbënguljeve të gazetarëve, Basha nuk ka pranuar të komentojë ose të diskutojë “mbi faktet për të cilat, SHBA-të shpallën non grata Berishën”.

Kryetari aktual e përjashtoi nga Grupi Parlamentar Berishën më 9 shtator. Pas kësaj do të niste një lëvizje brenda demokratëve, të cilën lideri historik, do ta cilësonte fillimisht si “statutore”.

Më tej, ai ndërmori një seri foltoresh, derisa arriti në dorëzimin e 4 mijë e 200 firmave, për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së, me qëllim rrëzimin e vendimit të Bashës për ta përjashtuar atë nga partia.

Ndërkohë, më 10 nëntor, u dorëzuan firmat e mbledhura në kuadër të nismës ‘Berisha’, ku ky i fundit lajmëroi se Kuvendi Kombëtar do të mblidhet më datë 11 dhjetor.

Nga ana tjetër, Basha ka theksuar se data 18 dhjetor do të jetë data e vetme e mbajtjes së Kuvendit Kombëtar.