Bahtiri kundërshton iniciativën për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, dënon sulmin ndaj Osmanit

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri e ka kundërshtuar iniciativën për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa edhe ka dënuar ashpër sulmin që iu bë mbrëmë Kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanit nga Xhavit Ukaj.

Ai thotë që shpallja e e gjendjes së jashtëzakonshme, do të ketë pasoja edhe më të mëdha se sa gjendja nëpër të cilën po kalojmë, shkruan Indeksonline.

“Njëkohësisht, dënoj ashpër sulmin që iu bë mbrëmë Kryetares së Kuvendit të Kosovës, znj. Vjosa Osmani nga një deputet. Veprime të tilla nuk kanë vend në Kuvendin e Kosovës, aq më pak ndaj një zonje të respektuar siç është Vjosa Osmani”, u shpreh Bahtiri.

Postimi i plotë:

Kundërshtoj ashpër iniciativën për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila besoj se do të ketë pasoja edhe më të mëdha se sa gjendja nëpër të cilën po kalojmë.

Një armik të padukshëm siç është koronavirusi COVID-19 nuk mund ta luftojmë me ushtri e me masa që do ta shkatrrojnë ekonominë e shtetit, e cila po kalon edhe ashtu në situatën më të rëndë që nga paslufta. Arsye tjetër pse nuk duhet shpallet gjendja e jashtëzakonshme, është se Qeveria aktuale fatkeqësisht nuk do të mund ta shtrijë pushtetin e kësaj gjendje në tërë territorin e Kosovës.

Njëkohësisht, dënoj ashpër sulmin që iu bë mbrëmë Kryetares së Kuvendit të Kosovës, znj. Vjosa Osmani nga një deputet. Veprime të tilla nuk kanë vend në Kuvendin e Kosovës, aq më pak ndaj një zonje të respektuar siç është Vjosa Osmani.