Aziri: Qeveria t’i dëgjojë dhe t’i pranojë propozimet konstruktive dhe të dobishme për qytetarët

Shkup, 26 prill– Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Elmi Aziri, në konferencën e sotme për shtyp në Kuvend tha se Qeveria nuk duhet të insistojë në injorancë dhe kokëfortësi politike, por në të ardhmen t’i dëgjojë dhe t’i pranojë propozimet konstruktive dhe të dobishme për qytetarët.
Aziri theksoi se qeveria ka ndryshuar disa herë qëndrimet dhe vendimet e saj dhe në fund ka ardhur tek ajo që ka thënë për Aleancën për Shqiptarët, por këtë herë, siç tha ai, fatkeqësisht për shkak të “kokëfortësisë së qeverisë e kanë pësuar studentët”.
“Gjatë debatit parlamentar për pagën minimale, grupi parlamentar i Aleancës për Shqiptarët propozoi amendamente për rritje lineare të pagave në administratën shtetërore dhe publike në përputhje me rritjen e pagës minimale. Qeveria aktuale më pas hodhi poshtë amendamentet tona, fillimisht me kokëfortësi me ne, pastaj me Sindikatat e Arsimit dhe në fund pranoi marrëveshjen për rritjen e pagave në arsim me 12 për qind, afërsisht në të njëjtin nivel që parashikonte Aleanca për Shqiptarët në propozimet. Çfarë ka fituar Qeveria nga kjo zvarritje dhe nga këto kokëfortësi? Fëmijët humbën dy javë nga procesi arsimor. Mësuesit u torturuan dhe shpesh u anatemuan nga qeveria”, tha Aziri.
Deputeti pyeti edhe BDI-në dhe ministrin e Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri se çfarë ndodhi me premtimin e tyre se në 100 ditët e para pagat në arsim do të rriten në 600 euro./Zhurnal.mk