Autoriteti i Konkurrencës shfrytëzoi veturat pa evidencë për karburante

Udhëzimi Administrativ për përdorimin e automjeteve zyrtare, obligon që drejtuesit e automjeteve zyrtare duhet të mbajnë evidenca të udhëtimeve dhe kopjet e faturave të furnizimeve të karburanteve, servisimit etj.

Por, sipas Zyrës Kombëtar të Auditorit, AKK-ja nuk ka mbajtur evidenca të tilla, shkruan lajmi.net.

“Gjatë testimit të katër pagesave për derivate në vlerë 1,438 euro, ne kemi vërejtur që prej 7 automjeteve, prej tyre 4 sish nuk mbajnë evidencë të librit të udhëtimeve dhe kilometrave të kaluara për të vërtetuar shpenzimet e ndodhura. Kjo ishte bërë si rezultat i kontrollit jo të mirë të këtyre shpenzimeve”, thuhet në Raportin e auditimit për Autoritetin Kosovarë të Konkurrencës për vitin financiar të përfunduar më 31 dhjetor 2019.

Sipas auditorit,  mos mbajta e evidencës së librit të udhëtimeve dhe kilometrave mund të ndikojë në menaxhimin jo të mirë të shpenzimeve.

Auditori ka rekomanduar që “Kryetari i AKK-së duhet të siguroj që për të gjitha automjetet që janë në shfrytëzim apo në pronësi të AKK-së, mbahen evidecat e udhëtimit dhe kilometrave për secilin udhëtim”.

Në vitin e kaluar ky institucion ka pasur një buxhet në vlerë prej 289 mijë eurove që janë shpenzuar për mallra dhe shërbime, paga dhe mëditje dhe shërbime komunale. /Lajmi.net/