Autobusi i “Besa trans” nuk ka pasur certifikatë për licencë për transport ndërkombëtar, kompanisë i është marrë licenca e punës

Shkup, 24 nëntor – Për autobusin e “Besa trans” në të cilin e humbën jetën 45 qytetarë të Maqedonisë së Veriut, ndërsa shtatë u lënduan në aksidentin me autobus në autostradën “Struma” në Bullgari, nuk kishte certifikatë për licencë për kryerjen e transportit të lire ndërkombëtar për udhëtarë e as për ndonjë lloj tjetër të transportit publik të udhëtarëve. Automjeti nuk është evidentuar në evidencën elektronike të licencave të dhëna për çka kompanisë “Besa Trans BTB” i merret licenca e punës, gjegjësisht i ndalohet kryerja e veprimtarisë, informon Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

“Pas të dhënave të dorëzuara zyrtarisht nga Ministria e Punëve të Brendshme, dhe lidhur me automjetin e djegur me numër të regjistrimi SK-0284-BA në pronësi të kompanisë “Besa Trans BTB”, e cila mori pjesë në aksidentin me pasoja tragjike në Republikën e Bullgarisë, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve konfirmoi se për automjetin në fjalë nuk është dhënë licencë për kryerjen e transportit të lirë ndërkombëtar falas të udhëtarëve dhe as për ndonjë lloj tjetër të transportit publik të udhëtarëve. I njëjti mjet nuk është i regjistruar në regjistrat elektronik të licencave të lëshuara dhe ekstraktet nga licencat për kryerjen e transportit publik të pasagjerëve të brendshëm dhe/ose ndërkombëtar të mbajtura nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve”, kumtoi Ministria dikasteriale.

Me këtë rast, përmendim, thuhet në kumtesë, se Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ka regjistruar katër automjete të licencuara të kompanisë “Besa Trans BTB”, ndërsa automjeti i cili mori pjesë në aksident nuk është ndër to.

“Në pajtim me nenin 12 nga Ligji për transport rrugor, ndërsa për shkak të mangësive që janë konfirmuar nga ana e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, dhe njëherit edhe me qëllim që të parandlohet çfarëdo veprimtarie tjetër nga ana e kompanisë e cila do të mund të shkaktojë pasoja negative, kompanisë “Besa Trans BTB” i është marrë licenca, gjegjësisht i ndalohet kryerja e veprimtarisë. Me këtë rast, kompania është e obliguar që menjëherë t’i depozitojë licencën për kryerjen e transportit të lirë ndërkombëtar dhe certifikatat nga licenca për kryerjen e transportit të lire ndërkombëtar të udhëtarëve tek Ministria e Transportit dhe Lidhjeve”, thonë nga Ministria.

Në mënyrë shtesë, shtojnë se Qeveria në seancën e fundit e obligoi Inspektoratin shtetëror për transport të kryejë mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese për transportuesin “Besa Trans BTB”.

“Ministria e Transportit dhe Lidhjeve është në koordinim të plotë me institucionet tjera shtetërore dhe qëndron në dispozicion me tërë bazën e të dhënave”, theksojnë nga Ministria.