Atentati ndaj Kalemit| Policia ‘blindon’ Tiranën, gjendet e djegur makina e autorëve

Gjendet një makinë e djegur në fshatin Bërzhitë që dyshohet se u përket autorëve të atentatit ndaj Zamir kalemit në Tiranë.
Atentati ndodhi rreth orës 22:55, tek rrethrrotullimi i Selitës, ku persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të 35-vjeçarit.
Policia informon se i plagosuri është transportuar me urgjencë në spital, ku po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor jashtë rrezikut për jetën. Bëhet me dije se ai është plagosur në këmbë.
Shërbimet e policisë po vijojnë krehjen e zonës dhe kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset kryesore dhe hyrje-daljet e Tiranës, për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve të dyshuar.
Kalemi është kushëri i Aleksdandër Sadikajt, i cili u vra në një atentat mafioz me shpërthim të telekomanduar në Tiranë.
Dyshohet se pas ekzekutimit të Aleksandër Sadikaj, Adriatik Kalemi dhe Zamir Kalemi mund të kenë gisht në organizmin e vrasjes së biznesmenit Edmond Papa nga Saranda, në shenjë hakmarrje për të afërmin e tyre.
Pas vrasjes së biznesmenit, në një hark kohor prej disa muajsh, Adriatik Kalemit i janë bërë dy atentate për ta eliminuar fizikisht.
Në muajin gusht ai u qëllua me breshëri plumbash në ishullin e Paksos në Greqi, ku kishte shkuar me pushime për familjen, por mundi t’i shpëtonte mrekullisht vdekjes pasi u plagos rëndë.
Më pas sërish në muajin dhjetor ai u tentua të eliminohej në burgun që ndodhej në greqi, ku u qëllua në arterien kryesore me mjet prerës nga një i burgosur egjiptian.