ARSIMI NË DISTANCË: Mësimi që po ndan hallexhinjtë nga të pasurit

/
Disa shkolla të mesme të qytetit të Shkupit, përfshirë edhe një numër të konsiderueshëm të shoqatave civile joqeveritare, të cilët janë shprehur kundër Platformës për mësim onlajn, kanë përsëritur ftesën për bojkot të mësimit deri në kthimin e nxënësve në shkolla me prani fizike, gjithmonë duke respektuar masat përkatëse kundër pandemisë Covid-19. Nga informacione jozyrtare thuhet se një numër jo i pakët i nxënësve dhe disa profesorë të tyre nëpër disa shkolla të mesme të qytetit të Shkupit – si gjimnazi “Zef Lush Marku”, shkolla “Arseni Jovkov”, “Cvetan Dimov”, si dhe ajo e mjekësisë “Pançe Kargjozov”, të revoltuar po bojkotojnë procesin edukativo-arsimor, duke thënë se mësimi onlajn rezulton si joefektiv dhe se Maqedonia e Veriut nuk është e përgatitur për një sistem të ri të zhvillimit të mësimit në distancë. Situatë e njëjtë është edhe në shumë shkolla fillore. Dhe jo vetëm në Shkup.
Në gjimnazin “Zef Lush Marku” thonë se bojkoti është ndërprerë dhe se mësimi po vijohet në mënyrë të rregullt, me pak vështirësi. Edhe në shkollën e mesme “Cvetan Dimov” e pranojnë se ka bojkot, por thonë se është një përqindje e vogël e nxënësve që nuk kyçen në mësim. “Në gjimnazin ‘Cvetan Dimov’ deri më tani mund të them se numri i atyre që bojkotojnë mësimin shkon përafërsisht 10 deri në 50 për qind të atyre që bojkotojnë procesin arsimor, ndërkaq numri më i madh tjetër vijon mësimin onlajn. Megjithatë, në përfundim të javës do të shohim situatën më konkretisht”.
Në ndërkohë, bojkotin e mbështesin edhe prindërit e nxënësve duke thënë se fëmijëve të tyre po u përkeqësohet e ardhmja arsimore dhe psikika në një aspekt. A.K nga Komuna e Sarajit thotë se mbështet çfarëdo lloji të bojkotit për shkak se, siç shprehet ai, Ministria e Arsimit është treguar jo serioze në vendimin për mësim onlajn. “Më vjen keq ta them, por është realitet i pamohueshëm. Fëmijët tanë nuk janë të gatshëm të mësojnë kur janë prezent me prani fizike nëpër shkolla, e lerë më të mësojnë duke mos shkuar fare në shkollë. Ky sistem i ri po degradon fëmijët, por njëherësh atyre po ju çrregullohet edhe shëndeti psikik. E dyta, kjo teknologji aq sa është e mirë, aq është edhe e keqe. Unë mbështesë çfarëdo lloji të bojkotit për shkak se Ministria e Arsimit është treguar jo serioze në këtë vendim të marrë. Fundja, virusin e mund dija dhe vigjilenca jonë dhe jo mosprania në shkolla”.
Nexhmedin B., prind i tre nxënësve nga Shkupi, tregon se vetëm njëri fëmijë i tij mund të lidhet në Platformën nacionale për mësim onaljn. Për dy të tjerët, nuk ka mundësi ekonomike të sigurojë edhe dy kompjuterë për mësim. Madje, thotë se nuk ka edhe dy dhoma shtesë për mësim të duhur për tre fëmijët e tij. “Është absurde për ne që nuk kemi mjete të mjaftueshme për të siguruar teknologjinë për mësimin onlajn. Për tre fëmijët e mi, nxënës nga klasa e katërt dhe sipër, të sigurojë tre kompjuterë dhe tri dhoma. Orari i mësimit gati është në të njëjtën kohë dhe është problem të zhvillohet mësimi në një dhomë dhe me telefona. Nuk i kemi të rinj dhe me të gjitha teknologjinë brenda për të instaluar programin e ministrisë. Më thoni, ku të marr para për sigurimin e të gjitha këtyre gjërave që u duhen fëmijëve. Në klasën e bijës sime, në të shtatën, më shumë se gjysma e nxënësve nuk lidhet onlajn”, tregon Nexhmedini. Ai akuzon se, me pakon e katërt ekonomike familjeve të papunë u ndahen deri 12 mijë denarë, ndërsa tentohet që këto mjete sërish t’ua marrin duke i detyruar të sigurojnë teknologji për mësim onlajn.
“Ata në Qeveria dhe të tjerët që kanë një pagë të mirë stabile, edhe mund të sigurojnë tre-katër kompjuterë, por ne të papunët, ushqimin nuk e sigurojmë dot e lëre më të blejmë nga dy-tre kompjuterë. Ani lavdërohen se po mbështesim qytetarët me pako ekonomike, e nga ana tjetër duhet dyfishi për t’u siguruar kushtet për mësim fëmijëve tanë. Le të kthehen aman në shkollë dhe të përfitojnë në radhë të parë fëmijët, e pastaj të lirohemi edhe ne nga obligimet shtesë”, thotë Nexhmedini.
Studenti Jasir Imeri nga Universiteti “Nënë Tereza” është shprehur se mundësia më e mirë për zhvillim adekuat të procesit arsimor do të kishte qenë mësimi i kombinuar. “Vërtet e dimë të gjithë se zhvillimi i procesit të mësimit në distancë nuk sjell dobi dhe punë efektive pasi ajo kurrë nuk mund ta zëvendësojë formën normale siç është prezenca në shkolla, por pa marrë parasysh – jemi këtu ku jemi. Tani duhet që bashkërisht të zgjidhim këtë ngërç të krijuar, Ministria e Arsimit dhe Shkencës duhet ta kishte të qartë se mësimi onlajn nuk sjellë asnjë dobi fitimprurës, pasi në kushtet dhe rrethanat që ndodhet shoqëria jonë, është e pavlerë. Bojkoti veçse ka filluar, ndërsa prania në orët mësimore pra klasat onlajn është shumë i ulët, nga kjo vijmë në përfundim se mësimi më i kapshëm do të ishte ajo me mësim të kombinuar. Për fat të mirë, universiteti ynë është duke zhvilluar ligjëratat me prani fizike. Shpresoj që sa më herët që institucionet ta kuptojnë këtë fakt, e aq më mirë do të ishte për ata dhe fëmijët”, thotë Jasir Imeri.
Nga ana tjetër, nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme insistojnë në kthimin e nxënësve në bankat shkollore. “Nga java e kaluar filluam me mësimin nga distanca, respektivisht nga shtëpitë. Në qoftë se gjendja epidemiologjike përgjatë muajit tetor do të jetë stabile, atëherë nxënësit më 1 nëntor duhet të kthehen në shkollë gradualisht me model të kombinuar. Në rast se kjo nuk do të ndodhë, çdo nxënës do të bojkotojë mësimin online në nëntor”, thotë Blendi Hodai nga UNSHM. Ndryshe nga deklaratat e shkollave dhe të dhënat në terren, Ministria e Arsimit këmbëngulë se mësimi në distancë po shkon mirë, pa pengesa teknike dhe se 80 për qind e nxënësve po ndjekin mësimin në mënyrë të rregullt, derisa 20 përqindëshi i mbetur bojkoton ose janë pjesë e kategorisë që nuk kanë kushte për blerjen e teknologjisë përkatëse për mësim. Alternativa e vetme për këtë 20 për qind të nxënësve që nuk kanë qasje në mësimin onlajn, sipas MASH-it, u mbetet ndjekja e mësimit në Radio Televizionin e Maqedonisë. (koha.mk)