Ambasada e SHBA-ve e ashpër me partitë politike rreth menaxhimit të pandemisë dhe krizës ekonomike

Në reagimin e ambasadës së SHBA-ve thuhet se partive politike iu është bërë thirrje tash e dy muaj të ulin retorikën e politizuar dhe të bashkohen rreth zgjidhjes së krizës ekonomike dhe shëndetësore, shkruan lajmi.net.

Më tutje, në reagimin e kësaj ambasade thuhet se Kuvendi i Kosovës ka humbur kohë me sulme personale në vend që t’i kryej përgjegjësitë e veta.

Ambasada e SHBA-ve shprehet se qytetarët e Kosovës meritojnë më mirë se ky trajtim që po iu bëhet.

“Dy muaj më parë, ne u bëmë thirrje të gjitha partive të ulin retorikën e politizuar dhe të bashkohen për të zgjidhur krizat ekonomike dhe shëndetësore. Kuvendi ka humbur kohë në shpërqëndrime dhe sulme personale në vend që t’i kryej përgjegjësitë e veta. Njerëzit e Kosovës meritojnë më mirë.”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-ve.

Në anën tjetër, sot kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka takuar kryetarët e komunave të Kosovës me të cilët ka diskutuar rreth masave të reja shtërnguese në funksion të parandalimit të përhapjes së virusit COVID-19.

Në diskutimet e Hotit me ta, nuk është përjashtuar edhe shpallja e Gjendjes së Jashtëzakonshme. /Lajmi.net/